Enrieta Sina: Në krijimtari krijuesi thellon artistikisht raportet social-pikologjike

729
Sigal

INTERVISTA/  Flet shkrimtarja dhe botuesja Enrieta Sina

Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania, Prezidenca e saj i jep titullin e lartë “Krijuese e shquar i LNPSHA” PEGASI” ALBANIA, poetes dhe shkrimtares Enrieta Sina, me motivacionin: “Arritje të larta profesionale, konkurrim vlerash, ndikim  dhe impuls në rritjen e energjimit të shoqërisë, intelektuale, shpërthim e dhënie mesazh për ndryshim e progresivitet shoqëror, qënia në rol lideri në pasurinë kreative”

-Ju këto ditë bëtë një veprimtari kushtuar krijimtarisë suaj. Cili ishte motivi i kësaj veprimtarie?
Veprimtaria e zhvilluar për veprimtarinë time të përgjithshme ndër vite, u organizua nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania, në vazhdim të tërësive të veprimtarive të saj, tashmë të njohura jo vetëm në vend, por dhe në shumë degë ku ajo e zhvillon atë  me shkrimtarë dhe artistë në gjithë Botën. Kjo Lidhje tashmë ka portretin e saj të ngritur, mbi bazë të një pune shumëvjeçare, të gjerë dhe motivuese. Radhët e anëtarësisë  nga të gjitha moshat  shtohen dhe roli i saj është i padiskutueshëm mjaft efektiv , emocionues, nxitës dhe tërësisht në shërbim të zhvillimeve bashkëkohore në fushën e artit. Mendoj se idetë, tematikat, pozicionimet e vlerave të veprimtarive të kësaj Lidhjeje Ndërkombëtare, të njohura dhe jashtë kufijve, shërbejnë si ura të vërteta miqësore shpirtërore, artistike, miqësore, harmonike, nxitëse dhe progresiviteti në kohën që jetojmë. Motivi i kësaj veprimtarie në këtë kënd, mendoj se ishte evoluimi, transparenca më ideore dhe artistike në arritjet e kohëve të fundit që kam patur në këtë fushë. Në krijimtarinë e tij çdo artist thellon artistikisht raportet social-psikologjike të njohura dhe përjetuara nga të gjitha fushat. Këto shkëndija që e “djegin” shërbejnë si flakëndezës në frymëzim… Është mirë të dëgjosh nga artistë shqiptarë të kudogjendur vlerësime, sepse ndonjëherë njeriu ka dëshirë ta ndjej këtë raport të prekur dhe nga të tjerët..Në rreth pesëdhjetë vite, shoqëria, familja, libri, koha, talenti janë bërë bashkë si aortat e një zemre dhe mesa duket nuk do të ndahen nga njëra-tjetra deri në fund të jetës… Kur kjo lidhje është e “shkundur” në moment kulmore, atëherë energjitë e reja të rikthejnë atë që është e domosdoshme, frymëzimin dhe emocionin, një tjetër hapësirë ku i gjen të gjitha dhe merr prej saj atë që të bën progresiste. Unë nuk mund të ulem dhe të shkruaj pa qenë “e irrituar” prej kësaj kulmore dhe pa u ndodhur tërësisht në këtë hapësirë ndjenjash dhe refleksesh frymëzuese.

-Ku e ndjen vetën më mirë Enrieta në prozë apo poezi?
Mendoj se duke qenë poet, arrin të realizosh një prozë të bukur. Pra, një poet i mirë jo rrallë, përcjell në krijimtarinë e tij prozën interesante. Në fëmijëri dhe rini, duket se të gjithë janë në një farë mënyre poet, të paktën kështu duket. Pas kësaj, jeta tregon rrugët e saj të çudirave, të qenësishme dhe të duhur ku të jep pasqyrën të shikosh mirë vetveten, vlerat që rriten tek ty. Poezia të rrëmben në çast, në çdo kohë dhe për më tepër në moment që t’i kërkon vetvetja pa u zgjeruar shumë në raport me të tjerët, ata që të rrethojnë kudo që ndodhesh. Proza, ka grumbulluar më parë tek ty moment, ide, portrete, probleme, ndalesa, kapërcime, reagime dhe këtu ky raport ndërpersonal duket se kërkohet dhe tek të tjerët, pa i prekur ato. Në këtë mënyrë arrin të përpiqesh të realizosh të vërtetën sido që të jetë ajo. Deri më sot më tepër kam dëshiruar të shkruaj tregimin dhe novelën social-psikologjike dhe social-shoqërore. Ndofta vet profesioni im si gazetare për mëse tridhjetë e pesë vite ka hapur dyer më të dukshme hapësinore dhe kohore për këtë. Megjithatë, poezia mbetet brenda meje dhe del papritur duke më dhënë kënaqësi.

-Si keni arritur ta mbani në treg gazetën tuaj ‘Horoskopi’?
Sot numri i gazetave dhe revistave politike-shoqërore,atdhetare, letrare, shkencore, etj., janë me dhjetëra. Në qershor të vitit 1992 kur nisa botimin e gazetës “Horoskopi” shtypi privat ende nuk kish gjetur shtratin e vërtetë të tij. Ishte një shkëndijë  profesionale e lindur nga tetori i 1989-ës kur isha për një vizitë turistike në Stamboll dhe u njoha me gazetën “Haber” drejtuar nga vëllezërit Barut. Takimi me Zeki Barut, por dhe shumë shqiptarë emigruar këtu prej 1920-s, ishte një kënaqësi e paprovuar më parë. Mendimin për të patur një gazetë të tillë ma përforcuan miqtë e mi, Shpëtim Shyti dhe mjeku Arqile Boti. Fillova të studioj dhe të tërheq literaturë bashkëkohore dhe të njihem në një farë mënyre me eksperiencat në fushën e astrologjisë. Ndërkohë, pas vitit 2002, literatura e shumtë astrologjike amerikane , shumë intensive dhe interesante, e ka cilësuar më shumë këtë temë. Megjithatë, dua të them se gazeta “Horoskopi” që fillojë me katër faqe dhe sot është me gjashtëmbëdhjetë, i ka dhënë më shumë rëndësi temave shoqërore, artistike, njohurive shkencore dhe bashkëkohore. Ajo ka shërbyer dhe shërben si nxitje për krijuesit, shkrimtarë dhe artistë duke ekspozuar vlera dhe suksese të herë pas hershme të  arritura në pozicionet hollivudiane deri tek skena dhe publiku ynë, ndofta në përmasa përherë edhe më të mëdha. Kam organizuar takime me lexues, krijues, bashkëpunëtorë, kam stimuluar dhe motivuar. Sigurisht që, të mbash në kohë në botim një gazetë, është një punë shumë e lodhshme, madje në bisedë me lider të partive politike, është quajtur heroike… Por, profesionalizmi dhe nevoja për të kapërcyer kërkesat elementare ekonomike (edhe pse gazeta më merr shumë kohë), lidhja e  pandalshme me lexuesin pa bëjnë që ajo ende të marrë frymë, pa patur në asnjë rast asnjë lloj financimi. Shpesh mendoj se me merr shumë kohë kur jeta nuk është aq shumë premtuese, kalon… Dikur shkrimtarit i njihej krijimtaria e lirë dhe për këtë merrte një lloj shpërblimi..Tani, kjo jo vetëm që nuk ndodh, por dhe rrugët e artistëve për të qenë më shumë i qetë dhe i ekuilibruar, janë vështirësuar… Një ditë do të ndahem dhe nga gazeta, por jo nga poezia, proza..Ato them se do t’i kem të përjetshme, jetike, të qëna si të domosdoshme për të ndjerë botën ku jetoj.

-Cila ishte poezia apo tregimi i parë në regjimin komunist?
Isha dhjetë vjeçe kur me një fletore me vjersha trokas në derën e zyrës, ku punonte Andrea Varfi, shkrimtari ynë. E ndrojtur, por këmbëngulëse për të marrë një mendim… I thjeshtë dhe i dashur, arriti t’i shkrije emocionet e një fëmije vjershëtor, siç isha unë… Më tha se, sapo kisha nisur një rrugë të bukur dhe duhet të vazhdoja… Lexoja shumë dhe kartelat e mia në bibliotekën e qytetit të Vlorës, mbusheshin lehtë. Biblioteka e qytetit  më aktivizonte në konkurrimet “Miku i vogël i librit”. Në klasën e shtatë marr pjesë në një konkurs letrar të Radio-Tiranës, ku vlerësohem më çmim të dytë, ndërsa në klasën e tetë, hartimi në provimet e fundvitit u cilësua si më i mirë…Në vitet  e gjimnazit kam qenë korrespondente e rregullt e gazetës lokale “Zëri i Vlorës”, kryetare e rrethit letrar të gjimnazit “Ali Demi”, anëtare e Degës së Shkrimtarëve dhe Artistëve vlonjatë. Kam qenë e ftuar në konferenca dhe konkurse të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Kur isha maturante, në gazetën lokale të Vlorës, në një vend të dukshëm, u botua portreti im “Me vullnet çan përpara”, shkruar nga Bashkimi Fifo, redaktor i kësaj gazete. Në vitin 1971, marr pjesë  për herë të parë në takim ndërkombëtar të artistëve, nuk mbaj mend mirë nëse ishte konferencë apo kongres, por nuk harroj butësinë e fjalës, bukurinë artistike që përcolli në tryezën tonë,(shtruar në ambientet e Pallatit të Kulturës) poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli, që për shumë nga ne ishte idhull. Në nëntor të vitit 1973 (ndofta në datat 23-25 nëntor) isha sërishmi e ftuar në Konferencën e shkrimtarëve dhe artistëve që u zhvillua në qytetin e Korçës dhe kam qenë në një nga rreshtat e para duke patur në krah të madhin Ismail Kadare, ku dhe munda të shkëmbej mendime për poezinë.
Pas fillimit të punës së gazetare në gazetën “Jehona e Skraparit”, Skrapar, kam qenë e ftuar në festivalet e filmave artistikë , organizuar nga Kinostudioja. Më është dhënë rasti të njihem me skenaristë, regjisorë, artistë tashmë nga më të mirët si me zotin Viktor Gjika, zonjën Natasha Lako, por dhe të ftuar nga rrethet. Pra, eksperiencat nga bashkëpunimet me radio-Tiranën, gazetat e asaj kohe, takimet e  gazetarëve dhe artistëve, etj., më kanë ndihmuar të njoh më shumë problemet e kulturës dhe artit. Kam fituar shumë nga takimet dhe bashkëpunimet profesion ale me gazetaret dhe krijueset Feruze Bajo, Fane Boshanjaku, Zhuljana Jorganxhi, Alqi Boshnjaku, por dhe me poetët e njohur vlonjat Fatos Arapi, Irfan Bregu, Hiqmet Meçaj, etj..

-A ke pasur kufizime krijimtarie në atë regjim?
Sigurisht. Mbaj mend që kisha dërguar për të botuar një cikël me poezi në revistën “Nëntori”, organ letrar. Njërën prej tyre ia kisha përkushtuar një njeriu punëtor, fjalëpak dhe që kish ndërtuar një jetë familjare të qetë dhe me shumë edukatë. Titullohej “Njeriu i mirë”. Kur e lexova, poezia ishte tjetërsuar dhe përfundonte me fjalët: ‘njeriu i mirë, sekretari i partisë’. Sigurisht që nuk debatova. E dija mirë se fakti që emërimi im kaloi nga Radio-Tirana, në “Zërin e Vlorës” dhe përfundoi në “Jehona e Skraparit” ishte ajo njolla në biografi, si vajzë tregtari, me pasuri të konfiskuar nga regjimi komunist edhe  pse familja ime kish ndihmuar materialisht luftën nacional-çlirimtare. Duke punuar në gazetë dhe qenë në kontakt të padiskutueshëm me direktiva e Partisë, tregohesha  e kujdesshme të mos përfshihesha në luftën e klasave. Më kujtohet njohja e rastësishme me një vajzë të mrekullueshme që atëherë jetonte në Roskovec, P.Dishnica. Bëmë një udhëtim të bukur me tren së bashku. Pas dy ditësh më takon një person i panjohur dhe më thotë. “Ti je gazetare, ….E di cila është ajo vajzë… Për të atin e saj flitet në veprën e parë të Enver Hoxhës. Merre lexoje…Më tha diçka për luftën e klasave, si një leksion dhe prej atëherë e kam parë atë njeri të fiksuar mirë vetëm pak vite më parë në treg duke tregtuar bulmet…

– Cila ka qenë dita më e bukur e krijimtarisë në regjimin komunist, po dita më e vështirë?
Në fëmijëri familja dhe shoqëria më kanë dhuruar ditë me mbresa shumë të bukura. Në krijimtari përsa i përket poezisë sime, nuk e kam patur të lehtë të evidentohet nëpërmjet botimeve. Miku im Miho Gjini, kur pretendoja të vazhdoja studimet e larta për gazetari më tha: “Unë mendoj se do të ishte më mirë të ndiqje artet, ndofta regjisurën…”. Dita më e bukur ka qenë pjesëmarrja ime në vitin 1971 në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe  më e vështira, kur ftohen sërishmi pas dy vitesh në Korçë në nëntor të ‘73-it. Im atë kishte vetëm dhjetë ditë që kish ndërruar jetë. Kur më sollën ftesën, këmbëngula mes lotësh se nuk mund të udhëtoja. Mamaja ime që falte vetëm dashuri, ekuilibër, kulturë, edukim, që kish kontribuar në qytet si mësuese në luftë kundër analfabetizmit, në vitet e para të pasçlirimit, më përqafon dhe më thotë se unë duhet të isha në atë sallë, se jeta ime artistike sapo kish filluar dhe nuk duhej parë në këtë mënyrë..Gjithë rrugës nuk më ndahej kujtimi i afërt i tim eti, aq shumë i përkushtuar për familjen një baba shembullor… Ishte një udhëtim me shumë dhimbje. Pastaj në jetë të gjithë përjetojnë moment gëzimesh, lumturie, zhgënjimesh dhe dhimbjesh, por ajo që është e rëndësishme, mbetet  të ekuilibrohesh për të mos u rrëzuar në asnjë rrethanë.

-Sa e vështirë ka qenë në atë sistem të ishe krijuese?
Në atë sistem gjithçka shikohej në dritën e direktivave të partisë, poezia, tregimi, drama. Mjafton të kujtoj Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror dhe lufta që u bë ndaj krijuesve më me zë të kohës. Fadil Paçrami me  dramën “Shtëpia  në bulevard”, apo Minush Jero më dramën “Njollat e murrme”, apo dhe poetë të tjerë të asaj kohe të cilët pësuan atë që s’e kishin menduar kurrë nën “luftën e klasave”.Dhe si mund të  ishe vetvetja? Burgimi, internime dhe masa ndëshkimore, deri në pushkatim në emër të Popullit ishin ato që të mohonin të drejtën e të jetuarit dhe të menduarit i lirë.
Shkrimtari bashkëkohorë, një intelektual i mirëfilltë që jeton në Korfuz, Robert Martiko e ka përshkruar në mënyrë jetësore këtë problem, në disa vepra të tij, kjo sepse ai e ka ndjerë këtë peshë dukshëm si djali i armikut të klasës, i dënuarit politik,i një zotërie të vërtetë siç ishte z. Dino Martiko. Fakti që dhe unë apo shumë të tjerë e gjetëm veten si poet e shkrimtarë pas përmbysjes se diktaturës, regjimit totalitar flet më shumë se gjithçka tjetër.

-A mbështeteshin femrat krijuese në atë sistem?
Në mënyrën dhe formën duke ndjekur vijën e partisë në art, rrethet letrare kanë funksionuar duke përfshirë në to dhe disa vajza të talentuara. Sigurisht, shikohej biografia e tyre, pozicioni që mbanin dhe stimulonin për aq sa mendonte Partia. Ndrojtja, pasiguria, mungesa e mbështetjes tek vajzat e talentuara tashmë janë “të ekspozuara”.Politika qëndronte mbi talentin dhe kjo dihet tashmë, shprehet në emisione televizive apo nëpërmjet kujtimeve të shkruara nga shumë prej tyre, nga shumë artistë të cilët janë dhe ndëshkuar për lirinë e mendimit.

– A i keni takuar Kadarenë apo Agollin në atë kohë dhe cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja. Cili është mendimi juaj për ta?
Për brezin tonë, por dhe sot këta janë emrat më me zë të letërsisë shqipe. Ju fola pak më lart për mundësitë e rastësishme që më janë dhënë. Me të madhin Dritëro Agolli, të cilin e pëlqej për harmoninë e trajtimit të problemeve dhe tipizimin e personazheve, jam takuar dhe para pak kohësh në një nga ambientet e Tushemishtit. Ishte me bashkëshorten dhe unë sapo kisha botuar  romanin “Lot në vjeshtë”. Ishte një tjetër kënaqësi bashkëbisedimi me ‘të. Për mua mbetet një njeri, shkrimtar vizionar që zë një vend të spikatur në letërsinë tonë. Sa për Kadarenë, proza e tij është ajo që të rrëmben dhe  më pëlqen këmbëngulja e tij për të qenë në një pozicion edhe më të dukshëm në letërsinë botërore.

– A keni takuar në atë regjim udhëheqësit e kohës, Enverin, Mehmetin etj., dhe si jeni ndjerë?
Si të gjithë të rinjtë e asaj kohe, ne “takoheshim” me udhëheqjen nëpërmjet tribunave në dita festash dhe parakalimesh. Personalisht me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun nuk më është dhënë rasti të takohem, por në konferenca shtypi me personalitete, anëtarë të Byrosë Politike na është dhënë rasti. Si jam ndjerë? Pothuajse u jam shmangur, sepse e dija se kush ishte origjina e familjes time dhe i trembesha ndonjë “kthese” të papritur. Jam takuar dhe ruaj kujtime të bukura me shokun Petro Dode, i cili ishte njeri që të jepte në një farë mënyre optimiste.

– Thuhet se kritika shqiptare ka qenë më e saktë në  atë sistem në raport me sot. Mendimi juaj?
Atëherë gazeta “Drita” , organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, botonte herë pas here artikuj kritik për vepra letrare. Kritikat ishin të drejtuara. Censura dukej qartë në zgjedhjen e temës, kompozicionin e veprës deri në trajtimin artistik të personazheve. Bukuria në art është gjithmonë e vërtetë por e vërteta nuk është gjithmonë e bukur. Sot  kemi nevojë për një kritikë më ta hapur dhe direkte dhe jo të rendet pas dëshirës për botime librash edhe kur dihet që janë pa nivel.

– Cilat janë problemet e letërsisë shqiptare sot?
Mendoj se letërsia duhet t’i shërbejë temave bashkëkohore dhe të jetë progresiste në to. Numri i talenteve të reja është mjaft i dukshëm por ka dhe botime shumë të dobëta, të cilat jo vetëm nuk të japin kënaqësi estetike dhe botë shpirtërore të dëshiruar, por ndihesh disi “keq”. Nga letërsia e periudhës së monizmit, ka vepra të cilat duhen vlerësuar për cilësinë e tyre artistike, vlerat tradicionale dhe novatore, përshkrimin e botës së brendshme të personazheve , me të mirat dhe të këqija e tyre. Sot, llojshmëria e zhanreve në letërsi, rendje edhe pas snobes dhe modernes, ndodh të lerë personazhin pezull, të çorientojë kompozicionin, karakterin e personazhit dhe ndërkohë dhe lexuesin. Nuk mund të themi se bëhet art kur lexojmë  vargje për t’u quajtur vargje, apo skicova dhe tregime me mangësi të shumta artistike dhe gjuhësore…Do të hidhja mendimin që shtëpitë botuese që janë aq të shumta sot, të kenë pranë vetes redaktorë letrar, kritikë, me qëllim që e bukura e artit të mbetet e bukur dhe të qëndrojë gjatë në kohë.

– Femra shqiptare në demokraci a ndihet e vlerësuar?
Nëse e keni fjalën për femrën krijuese, pozicioni i saj është i lëkundur. Mungon mbështetja e saj financiare, por dhe morale. Dhe stimulimet që bëhen në konkurse “të heshtur”, duken se realizohen sipas njohjeve apo klaneve fisnore dhe shoqërore. Shpresoj që kjo gjë të përmirësohet me kohë. Konkurrimi i ndershëm do të ishte gjëja më e mirë që do tu shërbente si krijuesve por dhe artit përgjithësisht.”Çdo gjë kalon, vetëm arti i shëndoshë është i përjetshëm”, shkruar nga T. Gotje. Dhe kjo është një e vërtetë që duhet parë në sy.