Arjola Krasta: “Ndihem e vlerësuar kur më ngacmojnë”

1258
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish-pjesëmarrësja e BB-5, studentja e juridikut Arjola Krasta: “Nuk më pëlqenin skenat rozë në Big Brother”

Është nga qyteti i bukur i Pogradecit dhe i pëlqen gjithmonë që të lexojë peozi të Lasgushit. Vazhdon Universitetin për juriste, por jo pak herë merr pjesë në sfilita si modele. Ajo ka dhe një eksperiencë në jetë, atë të pjesëmarrjes në Big Brother-5.

 -Si lindi dëshira për të hyrë në Big Brother?

Në fillim e mora si lojë, pastaj dhashë dy tre intervista dhe në fund mora përgjigjen që kisha fituar dhe do të isha një ndër pjesëmarrëset në Big Brother-5. Se prisja në fakt. E mora shumë me të qeshur. Isha në mëdyshje. Por pastaj vendosa dhe shkova bëra klipin në Pogradec dhe u ktheva këtu. Klipi zgjati dy ditë ku ishin ditët më të bukura në Big Brother-5. Ajo pjesë më kënaqi shumë, pasi përcolla shumë emocione të jetës time si dhe shumë kujtime të bukura që më lidhin me qytetin tim. Pastaj erdha në Tiranë ku u mbylla në shtëpinë e Big Brother-5.

 -Big Brother-5 është një lojë e ashpër, ku ka shumë provokime, shumë xhelozi, tendenca çfarë ka përbërë në jetën tuaj hyrja në të?

Hyrja në Big Brother-5 më ka dhënë shumë eksperiencë. Nuk është se kam fituar ndonjë gjë apo se kam ndryshuar diçka në jetën time. Thjesht aty mësova të kultivoj pak më shumë durimin dhe qetësinë. Këto dy elementë janë mese të domosdoshëm në Big Brother. Pikërisht këto dy cilësi, që unë nuk i kam, më bënë që të mos rezistoj dhe të mos qëndroj deri në fund.

 -Në Big Brother-5 kishte shumë ngacmime nga meshkujt, si i përballoje ato?

I merrja të gjitha me sportivitet. Nuk kisha asgjë serioze dhe nuk mund të lidhesha me asnjë pasi lidhjet për mua janë të ndjeshme, janë shumë të forta dhe jo disa ditore. Kur pash që mu sos durimi u largova. Isha vetë unë që e kërkova largimin nga BB pasi nuk rezistoja mbylljen në godinë, mbylljen jashtë jetës reale. E kërkova dy herë largimin, pasi s’rrija dot më mbyllur.

 -Si u sollën meshkujt në Big Brother-5 me ty?

Të kesh parasysh diçka. Meshkujt bëjnë si gjejnë. Unë ua preva të gjithëve që s’doja një aventurë dashurie sa për 30 ditë. S’jam e asaj natyre aventureske. Duke parë natyrën time meshkujt aty filluan të më respektonin, të më trajtonin shumë mirë. Nuk kam asnjë ankesë ndaj tyre.

 -Si do t’i komentosh skenat rozë në dhomat e Big Brother-5? Ishin flirte apo dashuri e bukur, romantike, e veçantë?

Ishin dashuri të çastit, pasi asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në martesë, ose bashkëjetesë. Ato janë dashuri që lindin në mënyrë spontane, pa shumë njohje ndaj patjetër që nuk do të ishin jetëgjata.

 -Ato skena rozë ishin pjesë e spektaklit, apo dëshirë e lidhjeve që krijonin vajzat vetë?

Absolutisht ishin lidhje apo dëshirë e vet të rinjve. Nuk kishte asnjë lojë detyruese nga organizatorët. Aty ishe i lirë, ishe vetvetja dhe mund të veproje si ta ndjente shpirti. S’kishim detyrime, s’kishim orientime.

 -Si jeni ndjerë në Big Brother-5 kur ke parë skena rozë?

S’jam ndjerë mirë. Nuk janë skena për publik. Është diçka shpirtërore që nuk duhet shpërdoruar. Vetëm skena të tilla duhen të jenë shumë private.

  -A të ka dhënë emër Big Brother-5?

Pak a shumë po. Më dha njohje në publik, por që nuk e kisha qëllim në vetvete. Thashë që u futa thjesht për një eksperiencë më shumë në jetë. Edhe sot shumë njerëz më njohin nga BB.

 Ju vazhdoni shkollën e lartë për juriste, kush ju nxiti për këtë degë?

Ishte thjesht dëshira ime. E dashuroja këtë degë që në bankat e shkollës. Në gjimnaz pastaj mu shtua më tej kjo dëshirë ku konkurrova. Unë kam qenë me rezultate shumë të larta dhe në gjimnaz dhe në Universitet. Mesatarja ime ka qenë 9.5, në gjimnaz ndërsa tani 9.2. Ndaj shkoj në shkollë me dëshirë

 -Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni e bukur, apo jeni e zgjuar?

Kur më thonë jeni e zgjuar, nëse do të zgjidhja një nga të dyja. Por n.q.s do më kërkonin të dyja, do ishte më perfekte, pse jo të dyja.

 -Si një femër e bukur, ndiheni mirë dhe si reagoni ndaj ngacmimeve të meshkujve në rrugë?

Ndihem e vlerësuar kur më ngacmojnë. Nuk reagoj. Këto tashmë janë bërë të zakonshme. Rolet janë ndarë në jetë.

 Çfarë pëlqen tek një mashkull?

Sinqeriteti, të jetë shumë fin dhe të jetë më i zgjuar se unë. Dua të jetë i shkathët, i zgjuar dhe të më bëjë shumë për vete.

 Kjo do të thotë se jeni e dashuruar?

Jo. Ende s’kam rënë në dashuri. Të jesh e dashuruar humb dhe kontrollin.

 -Ku i bëni zakonisht pushimet?

I bëj në jug të Shqipërisë. Aty deti është më i pastër, më i thellë, vendi më i gjelbëruar. Pastaj një javë dua të shkoj në Turqi, ose pikërisht në Antalia. Ky vend për mua është shumë magjik. Kam  lexuar shumë për të dhe kam parë shumë foto më duket vend përrallor.

 -Kam lexuar në revista se kohët e fundit janë shtuar plazhet nudo. Preferoni të bëni plazh nudo?

Nuk i preferoj fare. Unë jam pak tradicionale edhe në shpirt jam shumë serioze. Nuk ka ndonjë bukuri të madhe plazhi nudo. Janë preferenca, por ka dhe norma. Nuk do të arrihet kurrë që kjo pjesë të bëhet masive.

 -Cila është veshja kryesore verore?

Në verë më pëlqen të vishem shumë fine, me fustane të shkurtra, me xhins dhe kanotiere.

 -Përse i keni bërë flokët biond, ngjallni më tepër interes, apo është thjeshtë një dëshirë?

Krejt rastësisht u bëra bionde. Kur shkova në parukeri dikush më tha provoji bionde dhe i bëra. Kureshtje. Por pas kësaj ngjyre do jem gjithmonë brune.