Elsa Xhai: Sot në radio mungojnë emisionet speciale që i mbanin shqiptarët me vesh pranë aparateve

912
Sigal

PERSONAZH/ Flet për “Telegraf” gazetarja, moderatorja dhe publicistja Elsa Xhai: Radiot shqiptare kanë “vdekur”

Një gazetare dhe publiciste e spikatur. Emri i saj është skalitur në radio Tirana për vetë timbrin e veçantë të zërit të saj duke drejtuar me qindra emisione radiofonik. Por ajo ishte dhe një kolege, mike dhe profesioniste e veçantë për të gjithë në Radio Tirana. Ka mbaruar fakultetin e Histori-Filologjisë, dega gjuhë-letërsi dhe zotëron katër gjuhë të huaja, mes të cilës dhe persishten. Ajo ndoqi me shumë respekt  gjurmët e zërave të mëdhenj të radios që nga Vera Zheji, Meropi Matlia, Bejleri, Lutos etj. Një zë që ka jehuar për 36 vjet në valët e Radio Tiranës duke e bërë të dashur dhe miqësor për miliona shqiptarë. Emisioni “Mikrofoni midis jush” drejtuar nga ajo për 10 vjet rresht ka qenë më i ndjekuri. Në vitin 1990, falë erës pluraliste që frynte në portat e Shqipërisë, ajo ideon dhe realizon për herë të parë komunikimin direkt me dëgjuesin në transmetimin e mëngjesit, emision që e vazhdoi për 8 vjet radhazi. Në kanalin e parë të Radio Tiranës programon emisionin “Një shoqëri për të gjithë” i cili në qendër të tij kishte njerëzit me aftësi të kufizuar. Kjo  rubrikë u transmetua për 10 vjet rresht. Në vitin 2001 ajo realizon emisionin “Gruaja shqiptare në karrierë” në kanalin e parë, ndërkohë që nga viti 2000 punon si koordinatore e tre kanaleve. Përpiqet të punojë dhe të kualifikojë gazetarët e rinj, të cilët sot shprehin konsideratat më të larta. Organizon sondazhe për dëgjimin e radio Tiranës në gjithë vendin, deri tek shqiptarët jashtë atdheut, grumbullon vërejtjet dhe jep mendimet për organizim dhe çelje rubrikash të reja, duke ndikuar kështu në dëgjueshmërinë e këtij stacioni. Me zërin e saj brilant janë realizuar qindra reklama dhe spote publicitare. Ajo ka regjistruar me qindra dokumentarë dhe emisione nga më të shikuarit e të dëgjuarit. Veçanërisht emisionet e saj për bashkëatdhetarët nga Amerika, Greqia, Italia dhe e gjithë Europa, kanë qenë ndër më emocionuesit. 

 -Të mungon Radio Tirana?

Po shumë (loton). Aty u rrita, aty u formova si gazetare, aty kam marrë emocionet më të bukura të jetës, aty kam kaluar ditët më të bukura por edhe më të vështira. Radio Tirana, ishte burim kulture, etike, informacioni real. Emisione me nivel të lartë…Tek ajo radio kemi marrë mesazhe urimi nga gjithë shqiptarët kudo në botë. Zërat e veçantë edhe sot komentohen nga shqiptarët kudo që janë.

Po sot…?

Përgjigjen ndoshta ti e di më mirë se unë. I ke ndjekur zhvillimet aty. Sot janë larguar profesionistët më të mirë. Janë larguar zëra që bënë epokë. Sot nuk ka më ato emisione të cilat i mbanin dëgjuesit shqiptarë me veshë pranë radiove në çdo shtëpi. Shumë janë larguar nga kjo jetë dhe nuk kujtohen, shumë i kanë pushuar padrejtësisht në vitin 2005, të tjerë i kanë kaluar në vende të rëndomta. Profesionalizmi në Radio Tirana vlen për të dëshiruar. Besoj shumë se Edi Rama do të bëjë një reformë serioze.

Sot ka shumë radio, mendoni se është në të mirë të medias fonike?

Për mua s’ka rëndësi sasia por cilësia. N.q.s. kjo mori radiosh do të ishte në funksion të cilësisë, do isha dakord. Por jo, nuk po ndodh diçka e tillë. Sot nuk gjen një emision që të të ngelet në kujtesë. Radiot japin gjithë ditën muzikë tallava që të bën ta ndërrosh shpejt kanalin. Radiot shqiptare kanë “vdekur”

Po kur flasim për spikeret?

Ah, kjo është pika ime e dobët. Në shume spikere po humbet gjuha jonë e bukur, pasi përdoren shumë fjalë të huaja. Shumë të tjera nuk kanë diksion, nuk interpretojnë lajmin, apo tekstin, por vetëm e lexojnë atë. Spikeret nuk kalojnë nëpër teste apo në kurse parapërgatitjeje.

Çfarë duhet të ndryshojë në Radio Tirana?

Atë më mirë e di kryeministri i cili është i fushës së artit. Ai po bën shumë ndryshime, shumë zhvillime, besoj do ndalë dhe në këtë pikë. Në Radio Tirana duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Duhet të ketë emisione speciale, emisione me peshë, të cilat të lënë gjurmë. Radio Tirana duhet të ecë me konceptet e BBC. Pra shembujt ekzistojnë, modelet janë, ne na mbetet vetëm ti përvetësojmë duke i përshtatur për vendin tonë. Magjia e radios ende ekziston, por neve e kemi shpërdoruar këtë media fonike, kaq të bukur dhe të fuqishme.

-Jeta juaj ka pasur një rrugë të gjatë, atë të radios dhe të gazetarisë së shkruar. Kur keni qenë për herë të parë para mikrofonit dhe si jeni ndjerë?

-Kam qenë në vitin e dytë të shkollës së mesme në Korçë, “Raqi Qirinxhi”, kur u ndodha para mikrofonit të qendrës së zërit të kësaj shkolle, si fituese e konkursit letrar me një poezi dhe ese të cilat i paraqita siç i kërkonin, në gjuhën shqipe, ruse dhe angleze. Bashkëmoshatarët e mi dhe mësuesit më falënderuan dhe pas dhjetë ditësh u ndodha në një konkurs rinor në mikrofonin e Radio Korcës. Më thanë se përveç emisionit të rinisë, ti çupë do të vish  çdo të diel në mikrofon, të japësh lajmet dhe të hartosh dhe t’i flasësh programet muzikore të radios. Fillova të shtypja gjithçka me makinë shkrimi “Olivetëti”, sepse atëherë nuk kishte kompjuter. Pas disa muajsh viziton Radio Korçën drejtori i Përgjithshëm, z. Thanas Nano. Hyri në studion e transmetimit më përshëndeti dhe me sa pashë unë isha e dobët dhe nuk ia mbushja syrin që me ato duart e holla po shtypja dhe po hartoja

 programin. Më tej sapo kisha filluar vitin 4-të të shkollës së mesme e përgatitesha të shkoja në universitet. Më njofton drejtori që pas një viti do të organizohej një konkurs i madh në Radio- Tirana për redaktor-spiker, me pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. Viti kaloi shpejt dhe unë u ndodha në Tiranë, studente tek Shkencat  e Natyrës, aty më kishte caktuar seksioni i arsimit. Ditën që mora pjesë në konkurs në ish kameralen e Radio Tiranës, më shoqëruan emocione pa kufi, përpara kisha zonjën Vera Zheji, Ruzhdi Pulahën, Nasi Lerën, Agron Çobanin e plot gazetarë e shkrimtarë që punonin aty. Pas leximit e pyetjeve të pafund dëgjova zërin kumbues të Vera Xhejit që përsëriti emrin tim dhe më la një takim tjetër. Radio-Tirana mu duk gjigande, tepër e pastër, transmetoheshin përveç shqipes edhe emisione në 22 gjuhë të huaja, emisioni për bashkëatdhetarët tanë ishte i përditshëm. Ndërkohë kur dal jashtë mjedisit të radios shoh grumbuj njerëzish pa fund, që kishin në duar valixhe të ardhur nga të gjithë rrethet, për të marrë pjesë në konkurs, nga i cili do të pranoheshin vetëm dy persona, një në radio e një në televizion.

– Më 1971 filluat të punonit në Radio-Tirana dhe pas 13 vjetësh më 1984 ju keni botuar  një libër interesant  për ata apo ato  që punojnë në radio dhe për bashkëpunëtorët e RTSH (në mos gaboj libri i parë shqiptar në fushën  e medias)?

-Libri titullohej “Të flasim bukur dhe me kulturë në RTV” u botua në vitin 1984 nga Drejtoria e Përgjithshme, me drejtor z. Marash Hajati. Iniciativa ishte e kolegut tim Ahmet Balliu, me vajzën e të cilit , Albanën që tashmë punon në Danimarkë, hapa edhe transmetimin e parë direkt të R-Tiranës me dëgjuesit e mëngjesit në vitin 1990. Janë theksuar në libër tiparet e gazetarit e redaktorit radiofonik:  Një përgatitje e përgjithshme shumë e mirë universitare. Një mendësi shumë e zhdërvjellët, radioja është një mjet i ri, në ndryshim të përhershëm, është e rëndësishme të eksperimentosh produkte dhe gjuhë të re. Një aftësi e veçantë për të punuar në kohë tepër të kufizuar. Të komunikosh e të punosh me lehtësi në grup. Asnjëherë të mos hamendësosh kush thotë dhe ku qëndron vështirësia? Hap një mikrofon dhe fol, jo vetëm nuk është e aftë, por edhe nuk do të mësojë  kurrë. Pak shpirt sakrifice përsa i përket orarit (puna nis herët në mëngjes). Një këshillë që ka të bëjë me synimet që do të arrish. Kush klikon (të bëhet shumë i famshëm. (i llojit “Gjithë njerëzit më njohin kur kaloj rrugës) është mirë të rrahë rrugë të tjera( jo radion). Janë shumë të rralla rastet kur fillon punën në radio e mbetesh aty të bëhesh personazh i famshëm. Por në të gjitha rastet e tjera mbetet kënaqësia e të pasurit dëgjues besnikë që, më shumë se  emrin do të kujtojnë zërin tuaj. Kam filluar të ripunoj materialin e librit e kam nënvizuar se në një takim  që kam pasur  në Nju Jork, në Amerikë, ndër të tjera identifikonin radion me drejtuesin e emisionit (bie fjala). Përveç librit, mbas viteve 90 kam shkruar një sërë artikujsh në revistën “Sfida”, kam realizuar disa studime rreth emigracionit  në Itali, Greqi, Angli, ShBA e Kanada, që një pjesë i kam botuar. Këto vitet e fundit kam realizuar edhe një sërë emisionesh  në Nju Jork (SHBA)kam marrë pjesë në marshimin e madh për çështjet e gruas në Uashington DC, në OKB “Pekini + 10” Një sërë telereportazhesh, nga vendete mësipërme. Kam botuar  librin “Dropullitët”pas një cikli radio e telereportazhesh nga 34 fshatrat e Dropullit etj. Shkrime në shtypin tonë të përditshëm

-Kur flasim për  emisionin tuaj më të suksesshëm në Radio?

-Dikur radioja ishte një metalurgji. Pas vitit 90 kam realizuar një cikël emisionesh  për njerëzit me aftësi të kufizuar (1993-2003) titulluar “Një shoqëri për të gjithë” Vitin e parë e realizuam tre gazetarë, unë, Antoneta Malja dhe Adi Murraj, pas një viti e vazhdova e vetme ciklin e  emisioneve, deri në vitin e dhjetë dhe pas kësaj, emisione për njerëzit me aftësi të kufizuar nuk u realizuan më.

-Kolegët tuaj që keni ndarë ditë të mira e të këqija e që keni sakrifikuar  shumë nga orët e lira për t’ju kushtuar radios?

-Punën time e ndaj në dy periudha, para 90-ës dhe mbas 90-ës. Para 90-ës së bashku me kolegët e mi Kico Fotjadhi, Meropi Mathia, Viron Noti, Lili Kosta, Haki Bejleri etj., kemi qëndruar të mbyllur në studiot  e transmetimit edhe 12 orë, ditë festash e ditë zie kombëtare. Në studiot e regjistrimit e të montazhit edhe ditët e pushimit në mëngjes herët, orët e vona, por edhe duke qenë  non stop, 24 orë. Kemi derdhur lot por edhe kemi qeshur me zor. Kemi lënë fëmijë të sëmurë në shtëpi dhe kemi folur pa fund për suksese, për arritje për të vërteta e jo të vërteta,  këto të përgatitura nga persona të redaksive të tjerë, të sjella enkas për transmetim, kemi folur mes kolegëve të lartpërmendur me pëshpëritje, me vështrime vëngër deri  në prag lirinë e 90-ës

-Momenti, periudha mbas 90-ës?

Në 91-shin kam ngrënë edhe shkopinjtë e parë  të gomës me inxh. Eli Vejsiu duke u bashkuar me lëvizjet e studentëve në qytetin e  studentëve, ku ndodhej edhe vëllai im. Shqetësime e gëzime. Erdhi për mua periudha pas viteve 90-të.

 Kolegë të tjerë: Me Agron Çobanin kam transmetuar nga ora 5 e mëngjesit  deri në orën 24, ardhjen në Shqipëri të Papa Gjon Palit  të Dytë, eveniment për Shqipërinë. Agroni me elokuencën e tij të krijonte në studion e radios emocione të forta. Papa Gjon Pali i Dytë puth tokën shqiptare. Emocione e lot ka qenë transmetimi maratonë  i asaj dite, e shumëpritur për çdo shqiptar. Kam qenë me fat që e para kam folur direkt me dëgjuesit e radios nga ora 5-8 e mëngjesit. Më vonë kujtoj debatet  në studion  e Kanalit  2 të Radio Tiranës me Alfonsin, Agronin, Pirron për tematika e çështje që audience po shtohej sidomos jashtë vendit me emigrantët. Të paharruara ishin transmetimet e vitit  1999 me të ardhurit  nga Kosova kur në kanalin e parë e të dytë, non stop, bashkonin familjet e njerëzit e humbur në atë ngjarje të jashtëzakonshme. Nëna që qanin në mikrofon për fëmijët e tyre, baballarë të heshtur  e të lodhur, pleq e plaka të sëmurë, fëmijë që kërkonin motrat e vëllezërit. Thirrje të pafundme nga mikrofonat  tanë që ishin kthyer me shpresën e vetme të njerëzve të humbur e të ngatërruar në vendstrehime zemrash të fisme.

-Pas më shumë se 36 vjet në radio, ju, në vitin 2007, u larguat nga Radio Tirana. Cili ka qenë motivacioni dhe si jeni ndjerë?

 Pesë vitet e fundit kam qenë drejtuese e zyrës së Etikës, Sondazheve  e Monitorimit. Në Radio Tirana,  në  vitet  e fundit  ishte lakuar emri im në parlament e propozuar nga shoqëria civile si kandidate për në Këshillin drejtues të RTV. Po kështu kisha realizuar disa sondazhe  në rrethe për dëgjimin  e Radio Tiranës. Për vetë detyrën që kisha, evindentoja punën kur nuk shkonte mirë. Shpesh radio Tirana nuk  dëgjohej në zona të ndryshme, bile ndodhte që në këto zona dëgjoheshin radiot e huaja, por se di pse më hoqën. Radio duhej të depolitizohej e të  tjera çështje që Zyra e Etikës ngrinte shpesh në informacionet e saj sidomos në problemet e audiencës. Motivacioni i largimit tim ka qenë ristrukturimi i institucionit?! Largimin e përjetova shumë keq, më mungonin kolegët, dëgjuesit,dhe sidomos më varrosën të gjithë investimin që kisha bërë që nga  viti 1970. Ndërkohë, në fund të vitit  2009, Gjykata vendosi që të më dëmshpërblente maksimalisht. U përballa me gjyqtarë tepër seriozë, kompetentë dhe të pa korruptueshëm, si në Gjykatën e Shkallës së Parë, ashtu edhe  në atë të Apelit. Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e RTSH iu përgjigj me korrektësi gjykatave duke vepruar ne kohë për ekzekutimin e vendimit. Gjithsesi, unë me kolegët e larguar pres ripunësimin tim në institucionin që shkriva rininë time.

Albert Z. ZHOLI