Në muajin gusht të vitit 1976, Seksioni i Shëndetësisë, dërgoi një ekip kontrolli në fshatin Vërmik, në përbërjen e të cilit isha dhe unë. Ishte mëngjes i bukur vere kur mbërritëm në Qendrën Shëndetësore të Vërmikut. Ajri i pastër e i freskët, flladi ledhatar dhe aroma e këndshme e pyjeve halorë na mbushi mushkëritë me frymë dhe na gjallëroi pa masë. Fshati është burim shëndeti dhe qetësie shpirtërore – tha njëri nga mjekët
Në muajin gusht të vitit 1976, Seksioni i Shëndetësisë, dërgoi një ekip kontrolli në fshatin Vërmik, në përbërjen e të cilit isha dhe unë. Ishte mëngjes i bukur vere kur mbërritëm në Qendrën Shëndetësore të Vërmikut. Ajri i pastër e i freskët, flladi ledhatar dhe aroma e këndshme e pyjeve halorë na mbushi mushkëritë me frymë dhe na gjallëroi pa masë. Fshati është burim shëndeti dhe qetësie shpirtërore – tha njëri nga mjekët. Vetëm në gjirin e maleve ndihesh zot i vetvetes dhe shijon bukuritë magjiplotë të natyrës – e përfundoi mendimin ai.
Vero Gjoka, infermjeri zemërbardhë dhe i përkushtuar në mjeshtërinë e tij, na priti fytyrëqeshur dhe i gatshëm të kryenim detyrën e ngarkuar, kontrollin mjekësor të fëmijëve të fshatit. Banorët e Vërmikut, që sillnin parreshtur fëmijët për vizitë, na uronin mirëseardhjen dhe na takonin me dashuri vëllazërore. Bujaria e tyre ishte mbresëlënëse. Një familje në lagjen Bletaj na ftoi për sillë. Atje shijuam mjaltin plot aromë të këndshme të lulnajave malore. Mjaltin na i shoqëruan me arrat e famshme të Vërmikut sofërshtruar. Nikoqirja e shtëpisë na solli për sillë zogj gushtjarë dhe vezë të tiganisura me gjalpë brumë, si dhe djathë, gjizë të freskët pa kripë dhe urrle lëkure. Po ҫ’ke gatuar kaq shumë dhe kaq mirë, moj nënë duarartë – i thashë unë fytyrëqeshur. Hani, o bijtë e mi, hani, se rruga e gjatë të trëndalis, të bën hon, ose finjë, siҫ themi ne këtej nga Shullëri – tha i zoti i shtëpisë. Një labe zemërbardhë pruri vajzën për vizitë dhe një shportë me qershi. Njomni gojën me këto koqurina, se jeni të lodhur dhe vapa të djeg – tha labushja plot mirësi. Dikush tjetër na solli fiq dhe rrush. Banorët bujarë të këtij fshati malor, ku shikoje vetëm një copë qiell, siҫ dukej ishin vënë n garë kush e kush të na kënaqte më shumë.
Po përse harxhoheni kaq shumë, moj nënë, ne një bark kemi? Frutat jepua fëmijëve, se janë të mira për shëndetin e tyre – e këshillova me dashamirësi. Ka aq shumë koqurina këtu, sa të hanë të pjellët tanë, zogjtë e qiellit dhe breshkat, se shumicën e tyre e rrëzon era në tokë – theksoi nëna duke vënë buzën në gaz. Po hani ju, se koqurina janë, nuk ju bëjnë dëm – e mbylli bisedën urtë e butë nëna fisnike vërmiqote.
Aty nga mezi i ditës mbaruam vizitat e fëmijëve. Verua na tha: – lani duart se do të shkojmë në shtëpi të hamë nga një mëllë bukë. Jo, mor Vero – i tha një mesogrua, që priste durimplotë mbarimin e vizitave. Doktorët do të drekojnë tek ne – tha ajo me zë të qartë e të prerë. Im shoq sapo e hoqi kecin e pjekur nga helli. Ndaj, eja dhe ti Vero bashkë me doktorët, se drekën e kemi bërë gati. Doktor Nekiu m’i ktheu në jetë dy djemtë, që i ҫuam bashkë në spital, në gjëndje agonie, apo s’të kujtohet, o Vero vëllai. Mirë, moj motër, mirë – i tha Verua – po ik e shtro mësallën, se po vijmë edhe ne pas teje. I zoti i shtëpisë na priti me përzemërsi. Të dy vogëlushët m’u hodhën në qafë, më përqafuan fort me dashuri dhe me shikonin me admirim. Më preku aq shumë kjo sjellje mirënjohëse, sa sytë m’u mbushën me lot. I ledhatova vogëlushët dhe i putha në ballë. E shikoni – u thashë shokëve – këtu, në thelbin e Labërisë buron fisnikëria, mirënjohja njerëzore, nderimi dhe vlerësimi i punës urtiplotë për këdo. U përkulem, me nderim të veҫantë, o vëllezër e fëmijë me shpirt qelibar, për këtë sjellje njerëzore, që ruhet brez pas brezi në zemrën e Labërisë madhështore – u thashë i emocionuar. Dreka kishte brenda shijen e përsosur, dashurinë me shpirt, mirëkuptimin, sinqeritetin vëllazëror dhe mirënjohjen e pakufishme të kësaj treve hyjnore.
Dita ishte thyer plotësisht, kur mbërritëm në hyrje të fshatit Bashaj. Bardhosh Derri rrinte kumbisur pas një arre të moҫme, duke pirë duhan. Pasi u përshëndetëm me të, na ktheu në shtëpi të lagnim gojën me nga një gotë dhallë, se na pa të lodhur dhe të djersitur. Si shkëmbyem disa fjalë zemre me Bardhoshin babaxhan, u nisëm për në Brataj.
Dielli i lodhur, i rraskapitur dhe i venitur, po zbriste pas malit të Lungarës, siҫ duket për të marrë një sy gjumë. Sapo lamë pas fshatin Matogjini, errësira, sharpi i natës, u shtri gjatë e gjerë në të katër anët. Hap pas hapi u sosëm në Verbas. Një burrë i moshuar po ndizte ҫibukun me eshkë, që e ndezi mbi strall.
– Për ku shkoni kështu, o të uruar? – na pyeti i shqetësuar.
– Për në Brataj – u përgjigj njëri nga shokët e mi. Na u afrua dhe kur më njohu, më përqafoi dhe më tha:
– Po ku i ҫon në këtë natë të errët këta shokë, o doktor Nekiu? Nata është e ligë dhe e pabesë. Rruga është e rrëpirtë dhe do t’u shqyejnë qentë. Kthehuni tek unë – tha i vendosur plaku i Malajve. Po ty të kemi djalin tonë… Ja, këtu te ky sheshi para portës sime jemi takuar, kur fillove punën, si ndihmësmjek, apo na ke harruar? – më tha duke më përqafuar.
– Jo, o i madhi i Malajve – i thashë – nuk ju harroj kurrë. Me trup jam në Vlorë, po zemrën e kam këtu, midis jush. – Ashtu, më rruash, o biri ynë – ma ktheu i ngazëllyer plaku zemëbardhë.
Në dhomën e pritjes, ku qëndruam, ishin radhitur mirë e bukur shiltetë, jastëkët dhe kishin shtruar një hallí me zbukurime tradicionale të këndshme. Mbi oxhak ndriҫonin dy llamba me vajguri. Muret ishin veshur me fotografitë e familjes dhe të farefisit. Sytë më mbetën te një fotografi me shirit të zi. – Po kjo fotografi e kujt është? – i thashë plakut, i shqetësuar. Ēshtë një fotografi e vjetër e një nipit tim – tha pak i tronditur i zoti i shtëpisë.
Pas pak erdhi e zonja e shtëpisë. – Mirë se erdhët, o mysafirë të nderuar! – tha zonja zemëmirë, me një buzëqeshje disi të sforcuar. Po paska ardhur dhe doktor Nekiu, djali i shtëpisë tonë – vazhdoi plaka dhe më përqafoi me mall. Shtrona bukën! – i tha i shoqi, – se nata është e shkurtër dhe miqtë janë për rrugë. Një nga një erdhën dhe zunë vend edhe gjitonët, me të cilët u takuam përzemërsisht. Nikoqiret shtruan mësallën, rakinë dhe mezetë. I zoti i shtëpisë ngriti gotën e rakisë dhe na uroi mirëseardhjen. Mbasi u ngritën disa mirësi, i zoti i shtëpisë i tha nipit, t’ia merrte këngës.
Më mirë të qajmë ndonjë hall shëndetësor me doktorët, se rrallëherë i kemi ballë për ballë në trapezë, siҫ po na nderojnë sonte – i tha nipi, si me të lutur.
– Merrja, merrja këngës, se edhe ndonjë hall mjekësor do të na i sqarojnë doktorët – e kundërshtoi plaku i moҫëm. Jehona e këngës shpërtheu në dhomë, ҫau tavanin, qeprat, qeramidhet dhe u përhap anekënd Shullërit. Plaku i moҫëm mbante kaba, po në mendje dukej se diҫka bluante. Këngët pasuan njëra-tjetrën deri sa përfundoi darka. Mbasi morëm një sy gjumë, u ndamë përzemërsisht me pjesëtarët e familjes finike ramiciote, që mesa vumë re, nuk kishin vënë gjumë në sy. Dita ishte në të ëngjëlluar, kur po zbrisnim rrëpirën anës lumit të Vërmikut. Në ҫastin që u sosëm përbri shtëpive të moҫme të Ago Sheros, dëgjuam një ulërimë të beftë dhe mjaft rrënqethëse, që përhapej drejt malit të Tartarit e rrjedhës së lumit të Vërmikut, e cila alarmoi ramiciotët, që sapo ishin zgjuar.
Kjo kujë e papritur na la të habitur e të shqetësuar. I lamë shëndoshë e mirë. Ҫ’hata t’u ketë ndodhur vallë? Meraku na brente të gjenim ҫ’qe kjo kuje që tronditi dhenë? Cilës shtëpi i dogji shpirtin?
– Kthehemi, – u thashë shokëve, – të mësojmë ҫfarë ka ndodhur dhe kë ka lënduar kjo gjëmë. U sosëm në Verbas me një frymë. Ulërima e grave ҫante qiellin. Burrat të ngrysur e të zymtë në fytyrë i gjetëm para portës së shtëpisë, ku na strehuan me aq dashamirësi. Njëri nga familjarët na e tori gjëmën fill e për pe. Një djalë i tyre, dhjetëvjeҫar, kishte disa ditë me kollë, temperaturë të lartë dhe vështirësi në frymëmarrje. Ai u nda nga jeta papritur mbrëmjen e djeshme, pas perëndimit të diellit. Plakun e gërryente mendimi që nuk e vizituan në kohën e duhur, te doktori në Brataj. – Kështu vdesin fëmijët tanë, se nuk i ҫojmë për vizitë te mjeku kur duhet, se na tërheq puna zvarrë – tha i penduar një nga familjarët. Kur erdhët ju, gratë po bënin shtëpinë gati, për të hapur kujen dhe për të pritur vardharin e fshatit. Plaku, që e brente ndërgjegjja për gabimin fatal, doli nga shtëpia për të ndezur ҫibukun. Kur u takua me ju e shtyu për të nesërmen vajtimin, se ra nata. Është gjynah të hapet kuja natën. Pastaj, sonte kemi edhe mysafirë. Bëni gati darkën të nderojmë miqtë – tha fjalëprerë. Kujen e nipit e hapim nesër, kur të zbardhet dita. Nuk dua t’u shikoj fytyrëngrysur, apo të ksinjet ndokush – tha dhe erdhi në dhomën e pritjes. U futëm në dhomën e burrave dhe me hidhërim të thellë ngushëlluam gjyshin dhe babanë e djalit. – Ҫ’qe kjo gjëmë që të gjeti? – i thamë të atit. Mos e pyet ҫ’na gjeti, o bijtë e mi – tha gjyshi i helmuar deri në thua të këmbës. Na iku nga duart vogëlushi i gjyshit. Mjalti i mjaltit. Po s’ke ҫ’bën, ky qe fati ynë, na i ngriu buzëqeshjen në buzë – vazhdoi gjyshi i pikëlluar dhe një ҫurg loti iu var nga qerpikët. Më falni, – tha, – se lotët nuk janë për burrat, po s’e përmbaj dot veten, se pleqëria t’i dobësoka nervat. Vdekja e vogëlushit, që më ngazëllonte dhe më ngrinte hopa me shikimin e tij ëngjëllor, më piku në zemër dhe më lëndoi, ja këtu, dhe vuri dorën në zemër. Im bir do të bëjë fëmijë të tjerë e do argëtohet me ta, se është i ri, po unë jam në buzë varrit, nuk do t’i gëzoj e t’i ledhatoj dot – e mbylli fjalën pikëlluese gjyshi zemërvrarë, po i zoti i nderit dhe i zakonit.Helmin e asaj gjëme e ndamë së bashku me ata njerëz fatkeqë, po fisnikë e robër të dokeve e zakoneve të mrekullueshme të Labërisë. Qëndruam me ta deri sa xhenazeja mori dhѐ.
U ndamë nga ai mort me lot në sy, duke marrë me vete e ruajtur në kujtesë madhështinë zakonore të kësaj vatre labërore, e cila, për të nderuar miqtë, e la për të nesërmen ceremoninë mortore. Pra, lotët pikëllues të asaj nate zie, i ktheu në këngë për të nderuar miqtë. Kjo është Labëria, thesar traditash dhe nderimi për miqtë, shokët dhe për ҫdo kalimtar, që e kërcënon nata.
Duke ngarë rrugën për në Brataj, u tregova shokëve të mi një ngjarje mortore, pak a shumë si kjo, që ndodhi në familjen tonë në Kaninë.
-Ishte fundi i korrikut të vitit 1966. Unë po përgatitesha për të dhënë provimin e fundit shtetëror, kirurgjinë. Kushëriri im, Bardhoshi, ishte ushtar në një repart ushtarak të Tiranës. Një mbasdite, Bardhoshi erdhi tek unë në sallën e studimit. Mbasi u takova përzemërsisht me të, më tha: – Kam qenë disa ditë në Kaninë. Im atë, Skëndua, xhaxhallarët, motra dhe dajot e Qishbardhës më dorovitën me ca lekë. Sonte jam i pasur. Lëri librat, të qetohen pak, sa të pimë ndonjë kriko birrë te Vollga e Vogël. Atje ku avujt dhe aroma e salҫiҫeve dhe bërxollave të viҫit të pjekura në zgarë, të hapin oreksin. Ah, – i thashë, – sa do të doja të pija një kriko birrë me bërxollë viҫi te Vollga e Vogël, ku të këndell aroma dhe avujt e ngrohtë të tyre, po s’ndahem dot nga leximi, se nesër kam provimin e fundit shtetëror, kirurgjinë. Pas provimit do të qeras unë – i thashë vëllazërisht. U mirëkuptuam dhe u ndamë përzemërsisht. Të nesërmen, në orën 8.oo të mëngjesit ishim përpara sallës së provimit. Profesor Petro Cani, një burrë trupmadh, njerëzor, mendjendritur e babaxhan, na uroi suksese në provim. Pastaj, fytyrëqeshur na tha: – Sot do ta fillojmë provimin me ata që e kanë emrin nga fundi i listës, nga ata hileqarët, që presin gojëhapur të lodhemi ne, që t’i pyesim shkeleshko. Prandaj, sot po e fillojmë provimin me emrin Neki Dredha. Urdhëro Neki, ja sheshi, ja mejdani, fol o Neki kapedani – tha, duke qeshur, i madhërishmi profesor Petro Cani. Anëtarët e tjerë të komisionit po më shikonin me buzë në gaz. Pasi i shtjellova pyetjet e provimit një nga një, profesor Petroja më tha: – Shumë mirë, Neki! Vendosi notën dhe pasi e firmosi, më dha librezën e notave. Tani, – vazhdoi ai, – ik, se po të pret, te dera Skënder -Skënderi, shoku yt.
I falënderova dhe ika pak i hutuar. Ҫ’qe kjo lojë, thashë me vete, sepse pas meje hyri në provim ai që e kishte emrin në krye të listës. Skënderi, shoku im i halleve dhe i derteve, më sqaroi: – Ka ardhur një telegram në Dekanat, ku thuhet: “Ka ndërruar jetë një i afërmi juaj”. U trondita pa masë. Shkuam menjherë në konvikt ku vesha një palë rroba të errëta. Pastaj u nisa për në Vlorë, me një mikrobus të kinezëve, që punonin në Uzinën e Sodës Kaustike. Rrugës vrisja mendjen: kush vallë ishte ndarë nga jeta? Mos ishte aksidentuar vëllai im, Petrefi, që ishte shofer në Korpusin ushtarak të Tropojës? Te Pusi i Mezinit, në Vlorë, shtëpinë e gjeta mbyllur. Një gjitonia jonë, Ylvija, më tha: – Kanë shkuar familjarisht në Kaninë. U ktheva shpejt te makina, që po më priste. Shoferi me shumë dashamirësi dhe pa ngurrim më ҫoi në Kaninë. Te Xhamia, mbi Oxhallaj, pashë kortezhin që përcillte xhenazenë për në banesën e fundit. U bashkova me familjarët e mi. Ata më treguan ҫ’kishte ngjarë. Xhaxhai, i ati i Bardhoshit, më përqafoi fort dhe më tha: – Erdhe, o biri im? Të më rroni ju – më tha i përlotur, – se Bardhoshi na la. M’i fshiu me shami, ҫurgun e lotëve, që më kullonin parreshtur.
– Jo kështu, jo kështu, – më tha, – mbaje veten, mos u lësho, tregohu i fortë, se jeta përkundet midis lotëve të lindjes dhe atyre të vdekjes, të gëzimit e të hidhërimit.
Hap pas hapi kortezhi arriti te varrezat e fshatit të Kaninës. Ato ndodhen mbi një kodër të bukur vezake, nga ku shfaqet si në pëllëmbë të dorë, një pamje natyrore e mrekullueshme.
Fjalën mortore e mbajti oficeri i lartë, që e solli kufomën nga reparti ushtarak i Tiranës në Kaninë. Nga ai mësova se Bardhoshi, të nesërmen e ditës që u nda nga unë, u mbyt në lumin e Erzenit, ku kishte shkuar me ushtarë të tjerë, për të larë rrobat, sepse pas dy ditësh do të lirohej nga shërbimi ushtarak. Bardhoshi ishte zhytur disa herë në ujë, po herën e fundit nuk doli dot nga lumi. Shokët e tij u shqetësuan, kur e panë që nuk po dilte në sipërfaqe. U përpoqën ta nxirrnin, po nuk e gjetën dot. Të dridhëruar, njoftuan komandën. Palombarët që e nxorën trupin e tij pajetë nga lumi, treguan se Bardhoshin e mbante nën ujë një tel me gjemba, i kapur te rrobat e tij.
Pas përfundimit të fjalës mortore, skuadra e pushkatarëve, me urdhër të komandantit të tyre, shkrepi tre bataré, për nder të ushtar Bardhoshit, që u nda aksidentlisht nga jeta.
Pas mbarimit të drekës, Skëndua, i ati i Bardhoshit, më këshilloi të gjeja disa djem këngërrekë. Kjo kërkesë më habiti.
Im atë, Jaupi, më tregoi, se gjitoni ynë, Hamit Ademi (Limaj), një burrë fisnik e i traditës, kishte dasmë atë ditë. Martonte djalin e madh, Besimin. Kur mori vesh për tragjedinë e familjes tonë, e mbylli këngën dhe bashkë me dasmorët e tij erdhën për ngushëllim dhe në përcjelljen e birit tonë për në banesën e fundit.
– Nderi shpërblehet me nder – më tha babai. Nuk të bën njeri më të madh se veten. Prandaj, ik, mbaro porosinë e xhaxhait. Hamiti, i zoti i dasmës dhe dasmorët janë ende këtu, në vakí.
Hamiti e kuptoi qëllimin e Skëndos dhe u kthye në shtëpinë e tij bashkë me dasmorët. Pak më vonë u sosëm edhe ne tek ishte dasma. Në portën e jashtme na priti i zoti i shtëpisë, Hamiti, me djalin e madh, Besimin. Të trashëgohesh, o bir! – i tha Skëndua, Besimit, duke e puthur në ballë. – Po pse u mundove, o Skëndo? – ia ktheu Hamiti. Ty të ka zënë mali nën vete, o Skëndo vëllai. Ti je plagosur deri në thelb të zemrës. E ku e gjen gjithë këtë forcë, që vjen deri këtu të më urosh për martesën e djalit tim? – Te shokët e te miqtë, o Hamit vëllai. Te ju, që m’u gjendët në këtë ditë të zezë. Po, na pri, të bisedojmë më shtruar, atje ku ke dhe dasmorët. Ata që më nderuan në përcjelljen e djalit – ia ktheu xhaxhai. Mirë se u gjeta, o vëllezër dhe miq të nderuar! – përshëndeti si hyri dhe u ul në qoshe, ku e drejtoi i zoti i shtëpisë, Hamit Ademi. – Mirë se erdhe, o baba i helmuar, o zemërplagosur, o njeri i nderit dhe i lezetit, o njeri i madhërishëm! – u përgjigjën dasmorët njëzëri. Një djalë i shtëpisë, u afrua me tabaka në duar, ku kishte një kupë me llokume, një gotë raki dhe një filxhan kafe. Skëndua mori goten e rakisë dhe llokumen. Kafen e la në tabaka. – Të na trashëgohet djali! Nusja ardhtë me këmbë të mbarë! Bëftë djem e ҫupa plot! – uroi Skëndua, Hamit Ademin, babanë e dhëndrit. Si hëngri llokumen dhe ktheu gotën e rakisë, vuri peshqeshin në tabaka. – Të faleminderit, o Skëndo! Ta paҫim hua në dasma e ziafete të fëmijëve të tu! – i thanë njëzëri zotit të shtëpisë dhe dasmorët e tjerë. – Mbushmani prapë goten me raki, o djem – kërkoi xhaxhai. E ktheu gotën me fund dhe u bë gati t’ia merrte këngës. – Jo, Skëndo! – i tha Hamiti, me nxitim dhe i vendosur. – Dasmën do ta mbyllim pa këngë. Do të kemi dasma të tjera për këngë e valle, o vëllai im hallemadh. Po Skëndua e kishte bërë mendjen top. Ia mori këngës: “Natë e errët mbi Shkumbin e mbi Bulan,/ dhe mbi Vjosën valë e trubull, anembanë”. Djemtë që kishte sjellë me vete e mbushën këngën. – Hajde, Hamit, thyeja, se edhe mua ma zbut helmin kënga – i tha xhaxhai fytyrëҫelur dhe i hodhi dorën në qafë. Këngët pasuan njëra-tjetrën. Jehona e tyrë gjallëroi dhe ҫeli fytyrën e dasmorëve. Ajo ҫau përmes dritareve në bahҫen e Çorroke dhe u përhap anekënd lagjes Resulaj. Të këndoftë zemra, këtej e tutje, o Skëndo vëllai! – i thanë xhaxhait Hamiti dhe damorët, – që u lartësove mbi helmin e flamosur, që të gërryen e të pik në zemër. – Ka pasur, po paska ende burra fisnikë e madhështorë Kanina – tha me nderim një dasmor nga Lumi i Vlorës. – Kjo është tradita jonë labërore, o burazer – ia ktheu një dasmor nga Vranishti.Hamiti na përcolli deri te Bregu i Kishës. U ndamë me lot në sy. – Ta paҫa borxh këtë nder, që më bëre, o Skëndua i traditës dhe zakoneve fisnike – i tha Hamiti dhe u largua me sytë pus me lot…



















