Festohet me madhështi 22- vjetori i shoqatës “Labëria”

535
Sigal

Shoqata “Labëria” mbetet më atdhetarja, me fisnikja, më realistja

Dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u festua me madhështi 22-vjetori i themelimit të shoqatës, patriotike, kulturore “Labëria”. Në këtë festë merrnin pjesë, akademikë, intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, aktorë, poetë, këngëtarë, deputetë, anëtarë të shoqatës “Labëria” si dhe simpatizantë të kësaj shoqate në të katër anët e vendit dhe në diasporë. Në jetën e një organizmi të tillë shoqëror, 22 vjet veprimtari, nuk janë shumë, por nuk janë as pak kur është fjala për të shprehur vlerat dhe kontributin për çështje madhore kombëtare, siç ka bërë kjo shoqatë, që është më aktivja e të gjithë shoqatave mbarëkombëtare shqiptare. Në qoftë se do të futemi në historikun e saj kjo shoqatë, pikërisht në kryeqendrën e vendit, aty ku rreh zemra e Shqipërisë sonë, në Tiranë, 22 vjet më parë, më 12 dhjetor të vitit 1991, hodhi themelet e saj, duke u bërë promotor e të gjithë lëvizjeve atdhetare, patriotike, por edhe kulturore.

Ditët e themelimit

Ditë të vështira, por edhe ditë të arta. Nismëtar për themelimin e shoqatës, ishin një grup intelektualësh lab, të lindur, apo me origjinë nga krahina e Labërisë historike që si shumë shoqata të tjera, nuk i shpëtoi dot hera –herës politizimit dhe atrofizimit të saj.  Në rrugën e saj, me punë e  përvojë, larg frymës politike, dhe me pjesëmarrjen më të gjerë  të disa intelektualëve me personalitet dhe integritet që të forcohej e ringrihej,  shoqata “Labëria”, në misionin e saj historik, eci me devizën “Atdheu mbi gjithçka”. Rrugëtimi i saj ishte interesant, ku me punë dhe përkushtim, nisi jetën institucionale, duke krijuar degë në të gjitha trevat e Labërisë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Himarë,  Orikum, si dhe në ato qytete që kishte komunitet lab të shprehur, si në Tiranë, Durrës, Fier e Patos. Më 5 Qershor të vitit 1998, në respekt të simboleve, në kuadrin e përvjetorit të Luftës së Vlorës, ku treva e Labërisë ishte protagonistja kryesore e kësaj ngjarje madhore për kombin, u mbajt në Tiranë Kuvendi i Parë Themelues i shoqatës “Labëria”. Ky Kuvend, ishte guri i themelit që  përcaktoi filozofinë e gjithëpërfshirjes, pa dallime partiake, apo shoqërore. Një vlerësim të veçantë në këtë festim të 22-të, vjen për djalin e Labërisë Bujar Leskaj, i cili vitet e fundit ka qenë mbështetësi kryesor i të gjitha veprimtarive të shoqatës.

 Festimi

Ky 22 vjetori ishte i veçantë për shumë arsye. Ishte i veçantë për vetë kohën në të cilën u festua. Ishte i veçantë pasi pati një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Ishte i veçantë pasi të pranishmit u befasuan me këngët e reja labe. Ishte i jashtëzakonshëm pasi aty ishin nga të gjitha trevat e Shqipërisë që nga Vermoshi deri në Konispol. Ishte i veçantë pasi aty kishte dhe shumë kosovarë, që  erdhën me dëshirën për të parë një koncert me këngë labe. Ishte i veçantë pasi aty u lexuan fjalët më të bukura nga Akademiku kosovar Rexhep Qosja, “Nderi i Shoqatës Labëria”, i cili në pamundësi të ardhjes dërgoi dy letra përshëndetjeje. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i shoqatës “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha, i cili theksoi se sot për Labërinë është një ditë e veçantë, një ditë e shënuar, pasi shoqata “Labëria” ka pasur një dinamik të admirueshme dhe është rritur nga njëri kuvend në tjetrin, jo thjeshtë në aspektin sasior, por përmes veprimtarive të  saja të shumta e mbresëlënëse, për çështje madhore të kombit. Mjafton të sjellim në kujtesën e lexuesit, disa nga veprimtaritë më përfaqësuese, që kanë pasur ndikim mbarë kombëtar. Në vazhdimësi, ka qenë  Shoqata “Labëria, që ka sensibilizuar mbarë opinionin shoqëror, për fenomenet që janë shfaqur në shkatërrimin e vlerave kombëtare. Ishte ajo iniciatorja, që në Muzeun Historik Kombëtar, mblodhi rreth 70 shoqata mbarëkombëtare, ku denoncoi “Marrëveshjen famëkeqe të shitjes së detit fqinjit tonë Greqisë dhe vuri para përgjegjësisë,   qeverinë dhe politikën, duke sensibilizuar opinionin shoqëror nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike. Të njëjtin qëndrim aktiv, ka mbajtur edhe për vetë deklarimin e popullsisë, sipas etnisë dhe fesë, apo për problemin e varrezave greke në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, për çështjen e pretendimeve të Vorio- Epirit, në Himarë, për shkollat publike greke në trevat jugore, për shkatërrimin e mjedisit turistik në Vlorë, ku organizuam një tubim me pjesëmarrjen e mbi 60 shoqatave, me moton: “Vlora në rrezik”, e shumë veprimtari të tjera me karakter kombëtar. Shoqata “Labëria, gjatë këtyre 22 vjetëve aktivitet, një aspekt të veprimtarisë së saj, ka pasur edhe botimin dhe promovimin e krijimtarisë të autorëve lab. Ato kanë qenë të shumta, por unë desha të veçoj Kanunin e Labërisë të autorit Prof. Dr. Ismet Elezit, që është edhe pasaporta e zakoneve dhe traditave të Labërisë, për të cilin e përgëzoj duke evokuar të kaluarën, në këtë ditë historike  për shoqatën. Jetën dhe aktivitetin e “Labërisë”, e ka përcjellë te komuniteti Lab dhe më gjerë, zëdhënësja e saj e fuqishme, gazeta “Labëria”. Nëpërmjet saj, janë evidentuar e pasqyruar veprimtaritë e Shoqatës në qendër dhe në rrethe dhe janë ofruar eksperienca dhe figura që kanë pasur ndikim në jetën e komunitetit lab. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët dhe redaksinë e kësaj gazete në vite e deri më sot, duke filluar nga Pëllumb Tare, Lirim Deda dhe Albert Zholi”.

 Vlerësimi

Me rastin e jubileut të 22- vjetorit të shoqatës “Labëria” (theksoi Kryetari Nezha), në gjerdanin e figurave të shquara, të anëtarëve të nderit të Shoqatës “Labëria”, i shtohet edhe një personalitet i nderuar i familjes së madhe Kavajase të Moisive, Dr. Alfred Moisiu, Presidenti që tregoi dinjitet, integritet dhe përgjegjësi kombëtare, me një ndjenjë të theksuar atdhetare. Në këtë jubile, Labëria nderon me titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë”, në vlerësim të artit, kulturës dhe atdhetarisë, këngëtaren e njohur, sarandjoten minoritare, “Mjeshtre e Madhe” Irini Qirjako, që e ka ngritur këngën Labe në panteonin e folklorit më popullor.  Me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, vlerësojmë një personalitet të artit, “Nderin e Kombit”, “Artistin e Popullit”, “Mjeshtrin e Madh”, tiranasin Reshat Arbana, që ka qenë gjithmonë pranë Labërisë me recitimet e tij mbresëlënëse e të fuqishme, që është vështirë të shlyhen nga kujtesa e shqiptarëve. Perlat e poezisë të vlonjatit Ali Asllanit, në gojën e të madhit Reshat Arbana, na bien si kambana për realitetin e sotëm politik dhe shoqëror.  Një tjetër artist i skenës, që ka ndjekur veprimtaritë e Labërisë, jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra, duke filluar nga Kuçi, Drashovica e deri në Buzë të Tepelenës, duke recituar poezi nga poetët lab, është artisti i mirënjohur “Mjeshtër i Madh”, gjakovari Mirush Kabashi, që sot Labëria e nderon me titullin e lartë “Mirënjohje e Labërisë”.

Alfred Moisiu

Ndihem sot më i vlerësuar se kurrë. Ndihem sot sikur të jem i lindur në Labëri dhe pse jam lindur në  Shkodër dhe me origjinë jam nga Kavaja. E kam ndjekur në vijimësi të gjithë veprimtarinë e kësaj shoqate dhe e them me shumë bindje që është shoqata që ka veprimtarinë më të madhe, është shoqata që ka  qëndruar më pranë shqetësimeve të atdheut, është shoqata që më ka thirrur në të gjitha aktivitete e saj. Dekorata e dhënë nga kjo shoqatë, për mua mbetet më e veçantë ëpr shumë arsye, por mbi të gjitha mbetet e veçantë, pasi vjen nga një shoqatë që është atdhetare, patriotike, dhe pa ndikime politike. Unë kam lexuar, kam dëgjuar dhe dëgjoj shumë këngë labe. Ato për mua janë ilaç për shpirtin pasi frymojnë shqip, kanë fjalën e bukur shqipe, mbajnë përbrenda dëshirën për të thënë të vërtetën shqip.

 Reshat Arbana, “Nderi i Kombit”

 Sot jam shumë i vlerësuar. Ndihem shumë i emocionuar.  Unë jam tiranas, jam lerë rritur dhe me origjinë jam nga ky qytet. Por sot ndihem lab. Këtë atmosferë që kam parë sot, se kam ndjerë kurrë në jetën time, as kur kam marrë vlerësime nga shoqata “Tirana”. Sot për mua mbetet një ditë e veçantë, pasi vargjet e poetit tim të zemrës, poetit lab Ali Asllani, i kam recituar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ato poezi më kanë rrëqethur trupin, por mbi të gjitha kanë ngritur në këmbë  të gjithë shqiptarët kudo në botë. Ky nder që më është bërë nga shoqata juaj, unë do tua shpërblej me punë, me pjesëmarrjen në të gjitha aktivitetet që do të zhvillojë kjo shoqatë kaq patriotike, kaq e lidhur me zhvillimet e fatit të atdheut.

 Mirush Kabashi “Mjeshtër i Madh”

E di si ndihem sot? Një njeri tjetër. Ndoshta jam një aktor që kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e Shoqatës “Labëria” që nga Kuçi e deri në Drashovicë. Labëria është një krahinë që ka një histori të veçantë, një krahinë që e ka nderuar Shqipërinë. Unë shpesh kam interpretuar poezi që i kushtohen Vlorës dhe të them të drejtën kudo janë mirëpritur. Mes njerëzve të tillë, mes personaliteteve të tillë ndihem krenar dhe shumë i vlerësuar. Çdo dekoratë, çdo lavdërim ka të veçantat e saj, por ky vlerësim i sotëm ka një timbër, ka një tingëllim që unë e veçoj. Do jem përkrah çdo aktiviteti të kësaj shoqate, pasi ajo kudo përçon zërin, ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë e Shqipërisë.

 Irini Qirjako “Mjeshtër i Madh”

 Faleminderit për këtë vlerësim. Unë jam një minoritare greke e Shqipërisë. Port ë gjithë më thonë nga cili fshat i Labërisë je?  Me të drejtë, pasi unë kudo në botë kam kënduar polifoninë labe, kam kënduar labçe. Kudo që kam shkuar, që nga Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Suedia, Zvicra, kënga labe i ka mahnitur të gjithë. Madje më aknë thënë se ku janë instrumentet. Kjo është magjia e këngës labe, kjo është magjia e polifonisë. Jam dhe ndihem e vlerësuar që kjo shoqatë  me kaq aktivitete, më vlerësoi për punën time. Ndoshta vlerësimet nga qeveria janë dhe të njëanshme, por shoqatat sjellin zërin e së vërtetës, zërin e popullit, zërin e së vërtetës. Ju faleminderit dhe që prej sot e ndjej veten pjesë të kësaj shoqate.