Dr. Alisa Velaj: Ironia tragjike e një narrative historiko-letrare

51
Sigal

Novela “Ndihmomë dhe ti, o shpend me zemër” e Fatos Arapit 

Toli Stavre Arapi (i ati i Fatosit) kreu detyrën e komisarit të policisë në qeverinë e Ismail Qemalit, mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe ka propaganduar e luftuar që në kishën ortodokse të flitej gjuha shqipe. Në vitin 1922, si delegat i Vlorës, mer pjesë në Kongresin Kishtar të Beratit, ku u themelua Kisha Autoqefale Shqiptare.

NOA

Prozën antologjike të Fatos Arapit e kam parë përherë të përmbledhur në një libër të vetëm, ku sipas gjykimit tim mund të përfshihen këto novela: “Cipa e dëborës” botuar së pari më 1985 në gazetën “Nëntori” në Tiranë; “Aksinja e Holtës” shkëputur nga përmbledhja me tregime e novela “Nuk shitet shpirt në tetor” (Tiranë 2002) ,“Ndihmomë dhe ti, o shpend me zemër”,  pjesë e librit “Gjeniu me kokë të prerë” (Pejë, Kosovë 2000), “Heretiku i Mirditës” dhe “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, pjesë e librit me të njëjtin titull, botuar së pari në Shkup më 1993. Novela “Ndihmomë dhe ti, o shpend me zemër” mban si datë shkrimore 14 prill 1997, Tiranë, ndërsa shoqërohet me shënimin “Kronikë e vërtetë” dhe vjen e ndërtuar nga ana strukturore në dy pjesë.  Pjesa e parë ngërthen gati gjithë rrjedhën e ngjarjeve, ndësa pjesa e dytë duket si imazh i gjallë i një pezullie shpirtërore të pambarimtë, ku koha ka ngrirë, sikur ora e ishullit të jetë zhvidhosur përjetësisht.

Ajo që duhet theksuar prej fillimit është se kjo novelë vjen e ngjizur si proza e një poeti, çka bën që përpara se të lexohet e perceptohet si narrativë historiko-letrare, të shijohet më së pari si elegji për njeriun dhe shpirtin e tij. Të gjitha përshkrimet në tekstin letrar kanë një të tillë intensitet dramatik, sa të duket se narratori i gjithdijshëm hyn e del nga rrëfimi i prozës, për t’u spërkatur herë pas here me ligjërimin baladesk të poetit. Madje mund të themi pa hezitim, se në pjesën e dytë kufiri mes prozës e poezisé është aq i tejdukshëm, sa lexuesi tejngopet me një ndjesi ku ngashërimat e rrëfimit nuk mund të ndahen dot nga një rrëfim i ngashëryer. Ja disa nga përshkrimet poetike në funksion të dinamikës së ngjarjeve.

“Jeta në Manastir buronte prej harrimit të gjithçkaje.”

“Nën dritën e hënës, varret e bardha vezulluan mbi tokë si lule të natës”.

“Këndoi kukuvajka ndën strehë të kishës. Duke shkelur mbi vajin e zogut, gruaja ngjiti ngadalë shkallët e ngurta, përshkoi çardakun dhe hyri në dhomë.”

Të gjithë personazhet hyjnë vrulltazi brenda një atmosfere harrimi. Ata duhet të harrojnë gjithë çkanë qenë dhe të vazhdojnë të jenë gjithë ç’nuk kanë dashur kurrë të bëhen. Narrativa letrare bazohet mbi narrativën historike të vitit 1943. Ka kapitulluar Italia fashiste dhe vendi ndodhet nën pushtimin gjerman. Këta të fundit mbajnë në vëzhgim territorin shqiptar dhe me këmbëngulje kërkojnë çdo italian të fshehur në familjet shqiptare. Familja e patriotit vlonjat Tol Stavre Arapi (babai i autorit) është vendosur në ishullin e Manastirit në Zvërnec. Shtëpinë ia kanë djegur fashistët për shkak se ka qenë bazë e LANÇ-it, ndërsa fëmija i tij më i madh, Vllasi është hedhur në rradhët e partizanëve, për të misionin e vërtetë të të cilëve ka nisur të ketë prej kohësh dyshimet e veta. Në Manastir, si pikë strategjike, ku italianët e mbetur nisen drejt brigjeve të atdheut me varka të vogla mbizotëron një situatë e tensionuar dhe absurde. Në rradhët e italianëve ka ushtarë dezertorë prej fillimit të luftës, ka dhe njerëz që kanë shkatërruar jetë shqiptarësh, përfshirë dhe vetë jetën e Arapajve, ku ata bujtin tashmë si në një vend të sigurt për të shpëtuar kokën.

Nga njëra anë kemi të pushtuarit e dy pushtimeve, në anë tjetër kemi ish pushtuesit e shndërruar në robër që kanë marrë aratinë. Tirani i gdhirë skllav gjen përfaqësimin dinjitoz në figurën e Karlo Drusianit, një personazh historik dhe nga personazhet më komplekse të letërsisë shqipe. Arapi zbërthen psikologjinë e Drusianit me një asnjëanësi mahnitëse. Figura e Drusianit zbërthehet nga prespektiva e njeriut që përpara se të shkaktojë viktima, ka vrarë shpirtin e tij dhe kur gjykimi i tij kthjellohet, atëherë kupton vlerën e vërtetë të gjithçkaje. Të qenit fitimtar dhe skllav, tiran dhe humbës është gjithë çka i duhet dikujt për të kuptuar tjetrin. Drusiani ka qenë vetëm pushtues dhe të qenit i pushtuar e ndihmon të kthjellohet, ndërsa shqiptarët që e strehojnë duke i shpëtuar kokën kanë qenë vetëm të pushtuar. Për të pushtuarit Drusiani është vetëm njeriu që lufton për ekzistencë, nuk është pushtuesi. Misioni i jetës për më tepër në një vend të shenjtë si Manastiri ngre lart figurën e shqiptarit si popull që nuk lejon të nëpërkëmbet as liria e tij dhe as liria e mikut, qoftë ky i fundit dhe një i dorëzuar nga rradhët e mbjellësve të vdekjes. Filozofia kristiane e faljes së të penduarit e përshkon tej e ndanë novelën. E mira, liria, vyrtyti fitojnë vetëm atëherë kur mundet shtazëria brenda njeriut.

“Edhe pse kishte jetuar aq vjet në Nartë, kishte jetuar e përndjekur ngjarjet e njerëzit, Karlo Drusiani përsëri nuk po u besonte syve të vet. Një tjetër botë këtu, një tjetër jetë, të cilën ai përpiqej ta zbulonte e ta kuptonte, e nuk po mundte dot.”

“Duke dalë prej kishës Tol Arapi dëgjoi rënkimin e italianit, u vrenjt dhe u ndal midis kolonave të hajatit. Nuk i erdhi mirë të dëgjonte atë ngashërim të njeriut.”

“Tani në ishull vjen kushdo, partizanë, ballistë, gjermanë të pakuptueshëm, italianë që kërkojnë të hidhen në anën tjetër të detit. Nazistët thonë se po të vritet një ushtar i tyre, ata do të pushkatojnë dhe do të djegin gjithë Zvërnecin. Shqiptarët i dëgjojnë të hutuar këto kërcënime, katundarët nuk kuptojnë dot si mund të digjet e të vritet një fshat i tërë, po çfarë nuk sajojnë këta evropianët. Këta sajojnë luftërat e mëdha që po djegin botën sikur të ishte pylli i thatë i të Manastirit.”

Vllas Arapi dezertoi nga Brigada e Parë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare e Mehmet Shehut më 6 prill 1944 dhe iu bashkua forcave të Ballit Kombëtar. Pas çlirimit, në vitin 1945, ishte pjesë e grupeve antikomuniste që i bënë qëndresë regjimit.

Narrativa është një proces dekodimi dhe rikodimi, në të cilin një perceptim origjinal sqarohet duke u hedhur në një modalitet figurativ të ndryshëm nga ai në të cilin është koduar fillimisht nga konvencioni, autoriteti ose zakoni. Në narrativën historiko- letrare të Fatos Arapit përfshihen ngjarje historike të njohura botërisht si pushtimi italian dhe ai gjerman, realiteti historik sipas përjetimeve familjare/personale, lufta si koncept filozofik. Modaliteti figurativ që krijon Arapi në secilin rast i mëshon fuqishëm idesë se në të vërtetë në luftë nuk ka as heronj të pashenjuar nga humbja, as humbës që janë pambarimisht vetëm të tillë. Banorët e Manastirit dinë të japin një shembull të mrekullueshëm dashurie edhe kur nuk shohin shenja shprese në horizont. Nuk mbjellin vdekje te ish ekzekutorët, duke i bërë njerëzit si Karlo Drusiani të përjetojnë një krizë të thellë identitare dhe ekzistenciale në ndërgjegjjen e tij të pamësuar me tjetrin e pambrojtur. Tjetër është njeriu i habitur brenda tij në ishull, tjetër ish tirani që kurdiste përndjekjen e një populli të pafajshëm. Heroizma e tij e dikurshme është njëherazi tragjike dhe komike, për sa kohë te njeriu zbulohen dy anë kaq të kundërta, në situata po kaq të kundërta. Situata e parë i jep të kuptojë se heronjtë e vërtetë nuk mund të jenë pushtuesit, por ata që luftojnë për idealet e larta të lirisë të vendit e popullit të tyre. E dyta situatë i mëson atij dhe gjithë të tjerëve se lufta, qoftë edhe ajo për idealet më të larta, mbart në vetvete, ku më shumë e ku më pak shenjat e absurdit, për sa kohë është e ngjizur me vdekjen e njeriut. Madje dhe ajo lufta për idealin e lirisë së vërtetë, edhe vdekja prej saj ndan njeriun nga njeriu i zemrës nga familja, shuan një jetë të falur nga Zoti.

Në luftë jemi të gjithë të humbur, predikon Arapi mes rreshtash. Të gjithë humbasim nga pak prej shpirtit dhe dritës së tij, për sa kohë shenjohemi nga vdekja e tjetrit, vdekja e jonë dhe vdekja si koncept që mbështjell rracën njerëzore. Nuk është e rastit që kronikani vë theksin ndjesive të të gjithëve sikur ndjejnë në ndërgjegjje e në ajër ca “si gulçima të lehta të një shpirti që jetonte kudo e s’ishte gjëkundi”. Ngulçon njeriu, ngashërehet njeriu dhe në këtë rast ai nuk perceptohet si pushtues apo i pushtuar, por si njeri. Ngashërima është bimë shpirti e po e thave këtë bimë fyen së pari njeriun brenda teje. Është kjo ngashërimë që i pushtuari e ka degjuar nga vetja para se pushtuesi. Është kujtesa e tmerrshme e asaj dhimbje që nuk i çon shqiptarët drejt vrasjes së italianëve. Sepse nuk duan ta dëgjojnë më atë ngashërimë. Sepse nuk duan të vrasin njeriun brenda askujt. Vetëm kështu i jepet fund mbjelljes së vdekjeve të reja. Vetëm kështu hedh shtat liria. Ndonëse ngjarjet e vërteta që kanë frymëzuar tekstin letrar ndodhin në një Manastir, realiteti historik shndërrohet në një konvencion letrar që dashur padashur kodon shenjues alegorikë që i shërbejnë më së miri tekstit si letërsi, duke ia shtuar elementët tragjikë dhe intensifikuar situatat dramatike në më të lartin nivel. Shenjuesit historikë përdoren si artifakte letrare në mënyrën më të natyrshme, ndërkohë që mjeshtëria e narratorit i ngre në rrafshin e ironisë tragjike.

” – Kate… isha në varrezë…hapa varrin e gjyshit…kam lëvizur pllakën e madhe dhe e thellova brenda… Atë, Karlon, do ta fusim atje… vetëm atje është i sigurt tani…Këtu të vrasin të gjithë: partizanët, gjermanët, ballistët, të gjithë të vrasin, jeta këtu nuk vlen një dhjeçPastaj ai…Mund të vinë e ta marrin e ta qërojnë udhës, – tani plaku po fliste me gjuhën e të birit Heshti një çast…   – Kate, këtë do ta dish vetëm ti dhe unë, asnjeri tjetër…Mbase një ditë shkon edhe ai në shtëpinë e vet.” (Nwnvizimet e mia)

Narrativa historike në kufijtë e një teksti letrar është një ndërmarrje që kërkon një mençuri sokratike krahas talentit të të bërit letërsi të mirë. Rrëfimi i ngjarjeve historike të Shqipërisë londineze në kapërcyellin mes pushtimit nazist dhe instalimit të diktaturës, për më tepër kur kjo e fundit jepet në këndvështrimin e një babai dhe vëllai që në jetë ishin shembuj lirie me veprime konkrete. Paragrafi i sipërm, i cili përmbyll de fakto novelën ka një fjali kyçe, në të cilën ngërthehet mesazhi i veprës. Fjalët e babait të autorit dhe personazhit Toli Stavre, se “këtu të vrasin të gjithë” dhe ndërhyrja e narratorit me shpjegimin “tani plaku po fliste me gjuhën e të birit”, plazmojnë në një vetme narrativën historike dhe letrare. Fatos Arapi e bën të qartë prej fillimit për lexuesin se ky rrëfim është një kronikë e vërtetë, duke e shpallur hapur rolin e tij si kronikan objektiv i një epoke historike. Objektiviteti i autorit, krahas protagonizmit real të familjes së tij në ngjarje, ka dhe një tjetër bazament tjetër të patjetërsueshëm: faktet reale të historisë së Shqipërisë. Fakte që sot i dinë të gjithë dhe për të cilat janë shkruar faqe të tëra me analiza historike. Gjithë çka do të ndodhte pas 1944 do të vërtetonte parashikimet e të vëllait, Vllasit, i cili do të vritej në rrethana krejt misterioze më 6 qershor 1946.

Situatat historike nuk janë në mënyrë të qenësishme tragjike, komike ose romantike. Ato mund të jenë të gjitha në mënyrë të qenësishme ironike, por nuk është e nevojshme të përmblidhen në atë mënyrë. Arapi është ironik në përmbylljen e novelës. Ka po atë lloj ironie sokratike që vjen nga të kuptuarit e thellë të tragjedive të realitetit shqiptar. Është po ajo ironi e poetit që ndërsa i këndon misionit të heroit të dritës në ciklin poetik “In Tenebris”, tashmë në postdiktaturë, nis e rrëngjethet jo për çka shkoi, po për atë çka vetëm përsëritet me fatin historik të atdheut. Poeti i drejtohet sivëllait të tij gjenetik dhe poetik me vargun: “Dhe unë vajtoj /vdekjet e tua të ardhshme” në poezinë “Nuk dua të bëhesh kujtim”. Pikërisht këto vdekje të ardhshme nënkupton dhe Toli Stavre në fjalët e tij në mbyllje të novelës. Po kësaj vdekje të ardhshme të Shqipërisë i trembej dhe i biri, Vllasi.

Kryemesazhi i narrativës letrare mbetet shmangia e luftës dhe zgjidhja e konflikteve historike jo me gjuhën e luftës. Pasi vdekja, edhe në emër të idealit më të lartë të lirisë, prapë mbetet vdekje. Toli Stavre i drejtohet të birit me fjalët kuptimplote: “Ah, more bir, ju bëri vrasës kjo luftë…”. Hayden White duket se i mëshon misionit human të artit të të shkruarit ndërsa shkruan: “Nëse nuk ke ide lidhur me atributetet gjenerike të situatave tragjike, komike, romantike ose ironike, nuk do të mund t’i njohësh ato si të tilla kur i has në një tekst letrar”. Indentifikuesi i situatave është lexuesi, por më së pari është shkrimtari që merr përsipër të analizojë një epokë historike përmes narrativës letrare. Arapi e ka kryer më së miri misionin e tij si përcjellës i një filozofie humane që ne kurrë nuk e kuptuam dot si komb, për sa kohë vetëm i vrasim heronjtë e dritës dhe mbjellim vdekjen shpirtërore të Shqipërisë. Lexuesi shqiptar nuk do të mundet ta shijojë dot këtë novelë, nësë më parë s’do të jetë në gjendje të mprehë gjykimin objektiv historik, për të njohur atributet gjeneruese të fakteve tragjike të shqiptarit. Më së pari të tragjedive i kemi shkaktuar vetë vetes, mandej të tjerave që na i ka borxh historia.

Trashëgimi i diktaturës nga një brez në tjetrin në shoqërinë shqiptare, si shkak i vrasjes së lirisë sapo ajo lind, është një idetë themelore të Arapit në pjesën dërrmuese të krijimtarisë. Sidomos filozofia e diktaturës kolektive që vjen e ngjizet me aq lehtësi kur qenia e lindur në kafaz nuk di të dallojë lirinë nga joliria.