Diora Çota na tregon ngjyrat e saj. Një artiste e vogël që kohën e lirë e “përkthen” gjithmonë në një pikturë të bukur

1162
Sigal

 

Një ekspozitë tepër e veçantë plot ngjyra dhe me rreth 40 krijime nga dhjetë fëmijë të moshave nga 5 deri në 9 vjeç është çelur në kryeqytet me rastin e festave të fundvitit. Punën disamujore të fëmijëve, kuratorja, Anisa Sala e ka çelur në një ekspozitë në instalacionin “Reja” nën titullin, “Piktura dhe fëmijët”. Diora Çota pjesëmarrëse në këtë ekspozitë me disa punime tregon për gazetën “Telegraf” se ka nisur të pikturojë që kur ishte në kopësht, madje koha e saj e lirë gjithmonë përkthehet në një vizatim të bukur. Ajo është vetëm 8 vjeçe dhe shkon në shkollën “Vasil Shanto”, por pas shkolle gjithmonë e gjen kohën të merret me dëshirën e saj më të madhe, pikturën. Ajo na tregon se i pëlqejnë shumë ngjyrat dhe madje kur ishte pak më e vogël, flinte gjithmonë me to.

“Nuk e di pse, por ngjyrat më pëlqejnë shumë”, thotë ajo teksa rri dhe shikon punimet e saj. Lumturinë dhe gëzimin për hapjen e kësaj ekspozite e shpreh duke thënë: “Unë dua shumë që kjo ekspozitë të qendrojë e hapur për shumë, shumë ditë, që të vijnë ta shikojnë sa më shumë fëmijë dhe të gjithë shokët dhe shoqet e mia”. Mesa duket natyra është ajo që e tërheq më shumë, sepse edhe pikturat e saj të përzgjedhura e tregojnë këtë, por kur pyesim Diorën se çfarë i pëlqen më tepër të pikturojë ajo na tregon se të gjitha gjërat që i pëlqejnë dhe i duken interesante i pikturon. Madje me pikturat e saj ajo kalon një hap më tej duke zbukuruar çfarë të gjej çantë, portofol, fletore, bllok, libra dhe sëfundmi ka bërë vetë të gjitha kartolinat e fundvitit për t’i shpërndarë në klasë.

Dhe meqenëse jemi në prag të festave Diora ka edhe një urim për të gjithë moshatarët e saj. “Unë, dua shumë t’ju uroj gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri të gjithë fëmijëve dhe ju them të sillen mirë në shkollë, me mamin dhe babin, të lexojnë libra gjatë pushimeve të dimrit dhe kush ka qejf le të pikturojë”. Teksa Diora kërcen gjatë ekspozitës së saj të parë, mënyra më e mirë kjo e shprehjes së lumturisë për të, na zbulon edhe dëshirën e saj të madhe për t’u bërë arkitekte, por për këtë duhet shumë punë dhe përkushtim nga ana e saj. Anisa Sala, kuratorja e kësaj ekspozite ndër të tjera e vuri theksin tek dëshira e madhe që Diora ka për të punuar me ngjyrat, madje nëpërmjet pikturës, tha ajo të gjithë fëmijët çlirojnë edhe emocionet e tyre. “Përmes kësaj pune përgatitore, rriten edhe artistët e së ardhmes. Këto 40 punë të kryera nga këta fëmijë kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë pjesmarëvse pasi janë bërë me shumë dashuri dhe fëmijët kanë shprehur gjithë emocionin e tyre nëpërmjet ngjyrave” citoj kuratorja duke cilësuar rëndësinë e tyre. “Ka dhe fëmijë që vijnë për të kaluar kohën një mënyrë kjo për të mos qëndruar në rrjetet sociale. Por fëmija që është i talentuar i jep produktet e tij që në fillim. Mendoj se fëmijët, duke zhvilluar pasionin për pikturën bëhen më të mirë për rrethin shoqëror”, përfundon Sala.