Shoqata Labëria përkujtoi dje në Sarandë “Betejën e Lëkursit”

603
Sigal

Përkujtohet heroizmi i Jugut për lirinë e vendit, zgjidhen dhe drejtuesit lokal të shoqatës

Tanimë e kthyer në traditë festimi i një prej betejave më të përgjakshme të Labërisë për mbrojtjen e trojeve amtare në jug të vendit, e pikërisht në kalanë e Lëkursit në Sarandë. Ditën e djeshme është ky komunitet, në mënyrë të organizuar nga dega e Shoqatës Labëria të Sarandës. Në këtë aktivitet morën pjesë dhe kryetari i shoqatës Ago Nezha, zëvendësi i tij Sejmen Gjokoli, e shumë të ftuar. Një insert i shfaqur në video-projektor ka sjellë jehonën e luftërave dhe përpjekjeve të kësaj treve në mbrojtje të trojeve amtare nga synimi i shovinistëve fqinjë dhe më tej, në kushtet kur ende mungonte ekzistenca e një shteti të pavarur shqiptar, si dhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Momentet historike kanë ngulitur në memorien e tyre edhe kontributin e komunitetit lab në çështjen patriotike e kombëtare. Përpjekjeve për bashkim dhe vëllazërim u ndrijnë dy kuvende të jashtëzakonshme e me vlera atdhetare. I pari është ai i Senicës më 1770 i quajtur si kuvendi i Besës, kuvend i cili mblodhi gjithë trimat e jugut shqiptar me ideator Idriz Shullin dhe hodhi idenë e vëllazërimit pa dallim feje dhe krahine. Trimat dhe kapedanët e jugut u betuan mbi bibël dhe kuran lebër, bashkë me çamë e ortodoks. E pas pesë viteve, po ky kryetrim, Idriz Shulli, përkatësisht më 1775 mbledh kuvendin e dytë, atë të Rapit të Agait i cili vendosi edhe ligjet krahinore, ligje që synonin bashkimin në luftë, vëllazërimin në jetë dhe dënimin e rreptë të spiunëve dhe dezertorëve. Dhe me këtë jehonë zhvillimesh do të vijmë në betejën e përgjakshme të Lëkursit, ku u detyruan të zmbrapsen e dështojnë synimet e armiqve fqinjë. U zmbrapsën, po nuk harruan sepse ngjarjet do të sillnin bilancin tragjik të 1914 me krijimin e qeverisë vorio-epirote ku rezultuan 7000 të vrarë, 192 fshatra të djegura, 100 000 banorë të përzënë me dhunë, ku 4000 nga të cilët vdiqën nga uria, dhe për të ardhur në kohë të ndryshme të historisë shqiptare, ku nuk ka munguar kontributi lab. Inserti përcolli me art faktet historike, por duhet përmendur se shumë emocione ngjalli ky insert tek të pranishmit edhe interpretimi i tekstit nga aktori Anastas Nika. Kryetari Ago Nezha nënvizoi në fjalën e tij, krahas retrospektives, edhe problematikën aktuale, sidomos bashkimin, kjo emergjente për situatën aktuale me politikën përçarëse që po ndiqet si mes krahinave, ashtu edhe mes besimeve fetare. Dhe përvoja nuk mungon kundër këtyre politikave përça e sundo, po të kujtojmë besën e Senicës mbi ungjill dhe kuran. Dega e shoqatës Labëria për Sarandën ka zhvilluar edhe zgjedhjet, ku është rizgjedhur në krye të sajë Hariz Mema dhe nënkryetarë Tartar Bazaj dhe Florjana Koka, sekretar Hodo Gjoni, të katërt intelektualë të nderuar e me kontribute në qytet. Kryetari i rizgjedhur, Hariz Mema ka përshëndetur dhe hedhur vizionin e qëllimet e degës së shoqatës në të ardhmen, si për sa i përket organizimit të funksionimit, përkujtimit të eventeve historike dhe vlerësimin e figurave të kësaj treve, ashtu dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit me pushtetin si në nivel qendror, ashtu edhe lokal. Me këtë rast është promovuar edhe libri më i fundit i kryetarit të përgjithshëm të shoqatës “Labëria”, Ago Nezha, “Papagajtë e politikës” për vlerat e të cilit foli nënkryetari i shoqatës Sejmen Gjokoli. Dhe mbyllet ky takim me këngën e bukur labe interpretuar nga zëri i rrallë i polifonisë labe, Veledin Korkuti, këngë ku i bëhej jehonë trimërisë dhe luftës së Lëkursit: Ju qepët malit,/Dhe morët dyfeqe,/Se ju qep atdheut,/ Një bishë shumë e keqe… Edhe një here dega e kësaj shoqate në Sarandë, ka shpalosur flamurin e patriotizmit, atdhedashurisë dhe bashkimit përballë të keqes kombëtare, për të shtuar kontribute integruese, përparuese dhe zhvilluese.