Dëshmia më e mirë e zbatimit të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest”

636
Nga Irena Islami, KLSH
Shprehja latine “Experentia mutua Omnibus prodest” (Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë) është motivi, fjala kyçe dhe moto e organizatës ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (INTOSAI). Kjo moto është kthyer në një vlerë universale të këtij komuniteti, në një emërues të përbashkët të shkëmbimit të eksperiencave të mira mes tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit, nën këtë moto ka lidhur dhe zbatuar në praktikë gjatë pesë viteve të fundit dymbëdhjetë marrëveshje bashkëpunimi me SAI-t simotra, sidomos me SAI-t e zhvilluara të Bashkimit Evropian. Ndër marrëveshjet dypalëshe më të suksesshme që ka prodhuar qindra orë trajnimi për të gjithë audituesit e KLSH-së, spikat ajo me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Polonisë(NIK). Këto linja aktive bashkëpunimi, trajnimesh intensive, mbështetjesh reciproke në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare të auditimit dhe shkëmbimi i eksperiencës janë intensifikuar dhe fokusuar edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit, sidomos pas muajit mars 2016, kur edhe filloi Projekti i Binjakëzimit IPA 2013 për forcimin e kapaciteteve audituese dhe modernizimin e KLSH. Partner kryesor i këtij projekti është pikërisht NIK-u polak. Deri tani projekti ka zhvilluar më shumë se 60 misione, gjatë të cilave janë trajnuar me dhjetëra auditues, prodhuar shumë dokumente me vlerë dhe janë realizuar disa vizita pune. Në frymën e këtij mjedisi konstruktiv bashkëpunimi, atmosfere pozitive e miqësore, Presidenti i Republikës së Polonisë, z. Andrzej Duda dekoroi në datën 19 prill 2017 me Urdhrin “Kryqi Kalorsiak i Urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj. Sekretari i Shtetit pranë Presidentit të Polonisë, z. Andrzej Dera, theksoi në ceremoninë e dekorimit se “Zoti Leskaj që në fillim të mandatit të tij si Kryetar i KLSH-së ka mbështetur dhe ka qenë promotor i bashkëpunimit mes dy institucioneve supreme të Auditimit. Ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të audituesve dhe veçanërisht në drejtim të mbështetjes që institucionet i kanë dhënë njëri tjetrit në komunitetin e INTOSAI-t dhe të EUROSAI-t. Edhe në të shkuarën, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të Shqipërisë, z.Bujar Leskaj ka promovuar kulturën polake në Shqipëri. Kryetari Leskaj ka mbështetur iniciativa për njohjen në Shqipëri të letërsisë, artit dhe muzikës klasike të Polonisë si dhe të historisë dhe traditës së kulturës polake, përmes botimeve dhe artikujve në shtypin dhe mediat shqiptare”.
Nga ana e tij, Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski në fjalën e tij cilësoi se “Falë mbështetjes dhe angazhimit të Kryetarit Bujar Leskaj ka njohur dritën e botimit në shqip libri “100 Simbolet Polake”. Ky libër është botimi i parë që ofron një tablo gjithëpërfshirëse dhe të thellë mbi historinë dhe simbolet polake, ku paraqiten më shumë se qindra vende dhe ngjarje historike, si rezultat i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Poloni, Evropë dhe në të gjithë botën. Për autoritetet polake, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit konsiderohet një mik i Polonisë dhe promovues i kulturës polake. Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski, në ceremoninë e dekorimit të z. Leskaj evidentoi edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv me Kontrollin e Lartë të Shtetit, veçanërisht në kuadër të projektit të binjakëzimit IPA 2013. Ai cilësoi se z.Leskaj është miku dhe Ambasadori më i mirë i Polonisë në Shqipëri. Ky forcim i natyrshëm i njohjes reciproke dhe bashkëpunimit me Poloninë është rezultat i zbatimit të plotë nga ana e KLSH dhe Kryetarit të saj, të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest” (Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë). Urdhri i Kryqit Kalorsiak akorduar z. Leskaj është dëshmia më e qartë e zbatimit rigoroz nga ana e KLSH-se të Deklaratës së Limës, Kushtetutës së institucioneve supreme të auditimit në botë, për bashkëpunimin dhe partneritetin mes SAI-ve. Ky bashkëpunim dhe partneritet i shërben institucionit më të lartë auditues shqiptar për të ecur më shpejt drejt modernizimit dhe integrimit të plotë të tij në familjen e SAI-ve të zhvilluara evropiane. Në ceremoninë e dekorimit të z.Leskaj morën pjesë shumë personalitete të shtetit polak si Ministri i Shtetit, pranë Presidentit z. Andrzej Dera, zv/Ministri i Punëve të Jashtme, zj.Renata Szczech, Presidenti i NIK-ut polak, z. Krzysztof Kwiatkowski, zv/Presidenti i NIK, z.Wojciech Kutyla, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, zj.Shpresa Kureta, deputetë të Kuvendit të Republikës së Polonisë, drejtues dhe auditues të NIK-ut polak dhe përfaqësues të KLSH. Gjatë zhvillimit të ceremonisë ndihej emocioni, vlerësimi, bashkëpunimi, partneriteti dhe miqësia, prandaj me të drejtë Presidenti Kwiatkowski u shpreh “ne sot nuk po dekorojmë vetëm Kryetarin e KLSH-së por edhe mikun e madh të Polonisë”.
Sigal