Dede Edmond Brahimaj: 17-20 tetor, “Ditët e Naimit”, Bektashiut të Madh, poetit kombëtar, Naim Frashëri

55

(Poeti universal, që i këndoi Perëndisë, Atdheut dhe Njeriut)

Sigal

 

Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Kryegjysh Botëror i Bektashizmit

“Selia e Shenjtë, në këtë kuadër, mbështeti e botoi librim voluminoz “Naim Frashëri, Apostull dhe Bilbil i Bektashizmës”, i autorëve K. Boriçi e Nuri Çuni, që u mirëprit dhe u vlerësua maksimalisht. U përgatitën disa ekspozita me këtë objekt, u bënë takime e disklutime të shumta, duke fituar ndërkohë një eksperiencë të pasur. Po ashtu, në praktikën tonë, çdo vit, në Paris të Francës, ne përgatisim dhe organizojmë “Ditët e Naim Frashërit në Paris”, një aktivitet që mbyllet në një nga teatrot e njohur të këtij qyteti, me një shfaqje masive me pjesmarrës, krijues e interpretues nga Shqiptaria, hapësirat mbarëshqiptare dhe nga vende të tjera të Europës, Azisë, Shteteve të Bashkuara etj…”

Përvjetori i sivjetshëm, i “Ditët e Naim Frashërit”, 17-20 tetor, përkon me 123-vjetorin e kalimit nga jeta të Bektashiut të Madh, poetit tonë kombëtar e universal, Naim Frashëri.

Ky aktivitet tashmë tradicional dhe i përvitshëm, inicuar së pari nga Selia e Shenjtë Bektashiane pak vite më parë, është bërë një event i rëndësishëm jo vetëm për bektashinjtë, institucionet bektashiane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, por dhe në shumë vende të tjera të botës, ku punojnë e jetojnë bektashinjtë. Tashmë, këtij projekti i janë bashkuar dhe shumë institucione kulturore, artistike, shtetërore, shoqata, personalitete e individë në këto hapësira. Në këto ditë, mbahen simpoziume, konferenca, konkurse, takime e aktivitete të tjera të larmishme, që kanë për objekt njohjen sa më mirë të pasurisë së vyer të të Madhit Naim Frashëri, mesazheve që ai jep për nevojën e domosdoshme për dashurinë tek i Madhi Zot, tek Mëmëdheu dhe tek qetësia shpirtërore e materiale e njeriut. Si Seli e Shenjtë, ne ndjejmë kënaqësi që ky projekt, po gjen shtrirje hapësirore e larmi, nga viti në vit. Por mendoj se duhet që në të ardhmen, kjo hapësirë të jetë sa më e madhe, sa më përfshirëse, kryesisht me mbështetjen e strukturave shtetërore e vendore, pasi sa më mirë të njihet thellësia dhe madhështia e universit Naimian, aq më të aftë jemi për të përballuar sfidat e jetës, aq më shumë ndikojmë për rrithjen e dashurisë për njeri-tjetrin, dashurisë për atdheun dhe për paqen kudo që jemi.

PËRJETËSIA E NAIM FRASHËRIT

Vëllai ynë bektashian, Bektashiu i Madh, Naim Frashëri, u nda nga kjo jetë plot 123 vjet më parë, por pasuria që ka lënë ai, do të ndriçojë shekujve.  Veçanërisht, për ne bektashinjtë në Shqipëri e gjithë botën, që kemi, shërbejmë e luftojmë me devizën ‘Pa atdhe, nuk ka fe’, këto mesazhe janë dhe do të mbeten përjetësisht shtysë e fuqishme në udhën tonë të Haxhi Bektash Veliut. Sigurisht ata janë mesazhe jete e shprese dhe për të gjithë ata që aspirojnë e luftojnë për besimin në Zot, që duan paqe, mirësi e dashuri.

Ikja e Naimit nga kjo jetë, siç dokumentohet në arkiva, në këngë, në krijimtari e rrëfime të brezave, ishte një humbje e madhe, sidomos për ne shqiptarët, që dha aq shumë dhe si askush. Kjo ikje, jepet më së miri nga rilindasi, bashkëkohësi i tij, Andon Zako-Çajupi, në vargjet e poezisë-elegji, “Vdiq Naimi…”, ku ndër të tjera thotë:

“…Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
ëjershëtori si ai!
Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
Vdiq Naimi, gjithë thonë,
qani turq, qani kaurë!
Bilbil’ i gjuhësë tonë
s’do të dëgjohet me kurrë!
Vdiq Naimi, që këndoi,
trimërinë, Skënderbenë.
Vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi mëmëdhenë!
Vdiq Naimi, po ç’të gjeti?
O moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë
Vdiq Naimi! vdekj’ e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!”

“Bektashiu i Madh, poeti i papërsëritshëm Naim Frashëri, është i vetmi personalitet i letrave, i cili adhuronte, Zotin, Atdheun dhe Njeriun! Jo vetëm në hapësirat mbarëshqiptare, por ndoshta në Europë dhe shumë më gjerë. Studjuesit shqiptarë dhe të huaj, teologë, historianë dhe kritikë të letërsisë e artit, kanë shkruar shumë për universin Naimian e, në të ardhmen, do të vazhdojë të shkruhet. Kjo, pasi ai ishte jo vetëm i papërsëritshëm në një aspekt (krijimtari letrare), por dhe në fushën e teologjisë, si shkencëtar, si dashnor i pashok i gjuhës e shkrimit shqip, si atdhetar i flaktë. Ai është personaliteti, që shkroi për Zotin e Madh, për Atdheun dhe për Njeriun.”

I KËNDOI ZOTIT, ATDHEUT, NJERIUT

Bektashiu i Madh, poeti i papërsëritshëm Naim Frashëri, është i vetmi personalitet i letrave, i cili adhuronte, Zotin, Atdheun dhe Njeriun! Jo vetëm në hapësirat mbarëshqiptare, por ndoshta në Europë dhe shumë më gjerë. Studjuesit shqiptarë dhe të huaj, teologë, historianë dhe kritikë të letërsisë e artit, kanë shkruar shumë për universin Naimian e, në të ardhmen, do të vazhdojë të shkruhet. Kjo, pasi ai ishte jo vetëm i papërsëritshëm në një aspekt (krijimtari letrare), por dhe në fushën e teologjisë, si shkencëtar, si dashnor i pashok i gjuhës e shkrimit shqip, si atdhetar i flaktë. Siç e përmenda pak më lart, ai është personaliteti që shkroi për Zotin e Madh, për Atdheun dhe për Njeriun. Ndërsa pasuria naimiane për bektashizmin, nuk ka të dytë. Në këtë kontekst, dua të ndalem shkurtimisht në disa argumente…Ja si e lidh Naim Frashëri dashurinë për vendin me adhurimin për Zotin, që u ka sjellë shqiptarëve Shqipërinë e bekuar, në poezinë ‘Fjal’ e përjetshme’, përfshirë në librin ‘Parajsa dhe fjala fluturake’: “O vëllezër Shqipetarë!/ Zot’ i math ua pruftë mbarë,/ Dëgjoni, u qofsha falë,/ Shqipëria let’ e ka,/ Të jetë ligë dhe besë,/ Edhe përdëllim e shpresë;/ Gjithë ç’i kërkonj në jetë, Për ju Zotit të vërtetë,/ Të gjitha Zoti m’i dhëntë,/

As një pabërë mos lëntë;/ Bashkoni dhe ju, q’u dua,/ Zën’ e zemërënë me mua;/ Aherë Zoti, që kemi,/ Na dëgjon gjithë çi themi,/ Kur është tok njerëzija,/ E dëgjon dhe Perëndija.”

Ndërsa tek poezia “Parajsa” tek libri ‘Parajsa dhe fjala fluturake’, nëpërmjet apelit të shpirtit, poeti bektashi, Naimi i Madh, dashurinë për Shqipërinë, ai e çon, deri në adhurim. Ja disa vargje: “…Ësht’e Zonja Shqipërija,/ Q’i fali nder Perëndija,/ Fort bukur’ e mir’ e mbarë;/ Po mblithni mentë me kokë,/ Mendohi pakëz’ o shokë!/ Mos e lini Shqipërinë/ Duke marrë arratinë;/ Po martohi dhe shtohi,/ Gëzohi e shumëzohi,/ Punoni dhe mos përtoni,/ Jetënë ta trashëgoni,/ Edhe gratë të punojnë,/ Të mos rrin’ e të lëngojnë;/ Po në avlement të rrinë,/ Të veshin gjithë shtëpinë…”.

Vështirë të gjesh të dytë për krahasim, adhurim për Zotin,  si tek poezia e Naimit “Perëndia”: “…Zot i madh e i vërtetë,/ Në gjithësi është vetë,/ Ai është gjithësia,/ Gjithësia është e tija,/ Ai është krej dhe fundi,/ Pa atë s’ka vend gjëkundi,/ Çdo gjë që na shohën sytë,/

Është Ai, se s’ka të dytë,/ I urti ngado që kthehet,/ Fytyrë e tij i rrëfehet,/ Se e tërë gjithësia,/ Tregon bukurinë e tija,/ Zot i madh e i vërtetë,/ Është e vërteta vetë,/ Pa kam besë mirësinë,/ Urtësinë e njerëzinë,/ Tek është vëllazëria ,/Atje është Perëndia,/ E drejta dhe e vërteta,/ Janë besa pa të meta,/ Zoti kërkon dashurinë,/ Njerëzinë e urtësinë,/ Ai që bën mirësinë, E ka afër Perëndinë,/ Perëndia mirësinë,/ Do nga ne dhe miqësinë,/ Patjetër s’mund të dojë,/ Se po nuk ka nevojë,/ Mirësi e njerëzisë,/ Është udh’ e Perëndisë,/ Edhe vetë Perëndia,/ Është vërtet mirësia,/ Pa po kush bën mirësinë,/ Ka me vete Perëndinë,/ Dhe të mirët sa janë,/ Dhe gjithësinë an’ e mbanë…”.

EKSPERIENCA DHE NJË MESAZH

Vitin që shkoi, të cilin e quajtëm “Viti i Naim Frashërit”, Selia e Shenjtë Bektashiane, në Bashkëpunim me institucione shtetërore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, me mbështetje e pjesmarrje të universiteteve, shkollave, shoqata gazetarësh e shkrimtarësh, ne bëmë dhjetëra aktivitete, ekspozita, përfshi dhe botime të ndryshme. Selia e Shenjtë, në këtë kuadër, mbështeti e botoi librim voluminoz “Naim Frashëri, Apostull dhe Bilbil i Bektashizmës”, i autorëve K. Boriçi e Nuri Çuni, që u mirëprit dhe u vlerësua maksimalisht. U përgatitën disa ekspozita me këtë objekt, u bënë takime e diskutime të shumta, duke fituar ndërkohë një eksperiencë të pasur. Po ashtu, në praktikën tonë, çdo vit, në Paris të Francës, ne përgatisim dhe organizojmë “Ditët e Naim Frashërit në Paris”, një aktivitet që mbyllet në një nga teatrot e njohur të këtij qyteti, me një shfaqje masive me pjesmarrës, krijues e interpretues nga Shqiptaria, hapësirat mbarë shqiptare dhe nga vende të tjera të Europës, Azisë, Shteteve të Bashkuara etj. Dëshiroj, që në këtë traditë, sivjet e në vijimësi, projektit tonë t’i bashkohen sa më shumë forca krijuese e interpretuese, institucione, historianë, shkrimtarë, poetë e studjues. Se pasuria naimiane, ka nevojë të njihet, përhapet dhe pasurohet sa më shumë.

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

Fotot: Nuri Çumani

DEDE EDMOND BRAHIMAJ:

“…Poeti i madh, bektashiu Naim Frashëri, është e do të mbetet gjithmonë simbol drite, diturie e adhurimi për miliona bektashinj në botë, ndërsa për shqiptarët kudo që ndodhen, mbetet modeli i atdhetarizmit dhe njeriu që deshi e pasuroi ndoshta si askush, gjuhën e mrekullueshme shqipe. Në këto ditë, mbahen simpoziume, konferenca, konkurse, takime e aktivitete të tjera të larmishme që kanë për objekt njohjen sa më mirë të pasurisë së vyer të të Madhit Naim Frashëri, mesazheve që ai jep për nevojën e domosdoshme, për dashurinë tek i Madhi Zot, tek Mëmëdheu dhe tek qetësia shpirtërore e materiale e njeriut…”