Covid-19 dhe dilema e artistëve shkodranë

927
Sigal

Flasin artistët dhe këngëtarët e Shkodrës, Bujar Qamili, Drane Xhaji, Merita Smaja, Besnik Çinari, Agron Dizdari, Ilir Zoga, Mukades Çanga, Bardhyl Hysa

Nga Ramazan Çeka-

Ç’TË BËJMË?

Pikërisht pas një vere, që në një farë mënyre sfidoi kushtet e vështira që diktoi pandemia, rikthimi i kësaj situate në vjeshtë sfidoi përsëri jetën social-ekonomike, por edhe atë artistike e sportive. Pikërisht atëherë kur mbarë njerëzimi, por edhe institucionet e ndryshme që drejtojnë jetën e një vendi shpresuan në rikthimin e jetës normale, në këtë fillim vjeshte u dha alarmi për një rikthim të mundshëm të gjendjes pandemike dhe këtë po e shohim çdo ditë, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë boten.

Ashtu si gjithë institucionet kulturore të vendit edhe Teatri “Migjeni” me drejtuesit dhe trupën e tij, bëri planet e veta me dëshirën e mirë për ta rikthyer këtë institucion ashtu siç ka qenë gjithmonë, në shtëpinë e spektatorit shkodran. Por ashtu siç erdhi situata këto plane, pra shfaqjet e ardhshme që janë të realizuara në tavolinë, dhe në skenë do të mbesin në pritje, pasi që të gjithë e dimë se në sallën e Teatrit nuk mund të ulen spektatorë për t’i ndjekur dhe shijuar ato.

Lind pyetja “ç’duhet bërë” për të dalë nga kjo dilemë?A ka mundësi dhe alternativa të tjera?

Këto dy pyetje ua drejtova edhe unë disa drejtuesëve, aktorëve e interpretuesëve të njohur të qytetit të Shkodrës.

Drejtoresha e Teatrit “Migjeni” znj.Rita Gjeka “Mjeshtre e Madhe” përmes një mesazhi që më dërgoi rreth këtij problemi, më tha se mendimet e saj i ka dhënë në shumë media televizive dhe po citoj këtu një prej tyre, që është njëkohësisht edhe përgjigje për pyetjet e mia: “Pavarësisht kushteve të pandemisë me vështirësi shumë të mëdha, nuk mund ta anashkalonim Festivalin madhështor “Luleborë” ku bashkë me udhëheqësit artistikë vendosëm që këtë herë shkallët e Teatrit “Migjeni” të kthehen në një amfiteatër të vogël dhe kjo mënyrë vendosjeje mund të na shërbejë edhe për shfaqje të tjera, sepse vërtetë Teatri është magjik.

Mendoj se skenografi më të bukur se vetë godina e Teatrit “Migjeni” nuk besoj se ka në Shkodër, çfarëdo lloj skenografie që të vendosnim ta bënim, ku pjesëmarrja e publikut brenda rrethimit të Teatrit ishte me ftesa dhe të ftuar ishin pjesëtarë të familjeve të këngëtarëve, kompozitorëve dhe tekstshkruesëve, por qytetarët e Shkodrës patën mundësinë ta ndjekin jashtë rrethimit të oborrit të Teatrit, në pjesën e parkimit dhe në rrugë, sigurisht duke respektuar mbajtjen e distancës, sepse është e nevojshme dhe vend e mundësi për të ndjekur këtë Festival kishte boll.

Mungesen e spektatorit ne e kemi frymëmarrje dhe një aktor pa spektator, pavarësisht se teknologjikisht e përballojmë, një artist pa spektator është i destinuar të jetë i ftohtë, megjithatë ne po presim një vendim të qeverisë, i cili do të na lejojë rihapjen me numër të kufizuar, pasi kemi bërë kërkesë, por nuk e dimë kur do të ndodhë një gjë e tillë, megjithatë mendoj se shumë shpejt do të ndodhë pasi Teatri ka 526 vende dhe mund ta mbajmë distancimin fizik krejtësisht normal”. (Intervistë e dhënë në Radio Shkodra, tetor 2020).

Një lajm mjaft i mirë ky, pasi tregon angazhimin e pushtetit vendor dhe vetë Teatrit “Migjeni” ku znj.Rita Gjeka drejton prej disa vitesh me sukses dhe tregon gjithashtu se angazhimet e saj janë në unison edhe me mendimet që japin artistët shkodranë brenda dhe jashtë këtij institucioni.

Drane Xhaji, aktore “Mjeshtre e Madhe”.

Si për të gjithë njerëzimin, ashtu edhe për artistët është një situatë shumë e vështirë. Është izolim e bllokim në të gjitha fushat. E megjithatë artistët duke ditur sa nevojë kanë njerëzit në këtë periudhë tepër stresante, janë përpjekur të zbusin paksa situatën e me shumë sakrifica kemi punuar, duke gjetur mënyra të reja komunikimi me artdashësit tanë, si regjistrim materialesh humoristike, poezi, biles një nga poezitë e regjistruara kushtuar Shkodrës, mban autorësinë tënde, e cila ka marrë klikime pa fund.

Kemi menduar gjithashtu edhe për spektatorin e vockël, duke regjistruar herë pas here përralla, e të gjitha këto i kemi shpërndarë nepërmjet internetit si në faqen e Teatrit, ashtu edhe në ato personale.

Për ide dhe alternativa të tjera, mendojmë e diskutojmë çdo ditë në Teatër. Njëra nga këto, më e afërta, çdo të shtunë e të dielë në oborrin e Hotel Restorant “Tradita” do shfaqim Teatrin e Kukullave për argëtimin e vogëlushëve, për të cilin edhe shumë prindër janë të interesuar, kjo gjithmonë duke respektuar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Pastaj do shohim edhe për shfaqje te tjera.

Merita Smaja, aktore.

Nuk flitet thjesht  për gjendje artisti, por për gjendje njerëzore. Të jesh i mbyllur, i terrorizuar nga një virus që nuk e di nga të vjen, është tortura më e madhe që mund t’i bëhet një qenieje njerëzore, e kjo jo thjesht për faktin se je i mbyllur, por je e persekutuar nga dikush i panjohur.

Kur flitet për një artist kuptohet që të hysh brenda tij do shohësh thjesht shkatërrim shpirti, në një atmosferë të tillë shkatërruese për trurin e shpirtin. Jemi në një gjendje gati lufte, por me një armik që nuk e dimë nga na vjen dhe i padukshëm, kjo gjendje shkatërron çdo njeri që ka mendje e shpirt. Por, pyetja që lind, çfarë duhet të bëjmë ? Si duhet ta përballojme ? A ndikon kjo në jetën tonë të perditshme ?  Po, por edhe në jetën artistike.

Pra si çdokush që jeton në këtë ambient janë edhe artistët, e ndjejnë mbi vete këtë situatë e ndihen keq, sepse puna e tyre ka lidhje me njerëzit, e ata e kanë të ndaluar të hyjnë brenda një godine e të shijojnë artin e tyre, e të marrin ushqim shpirtëror e të kënaqin veten për pak orë. Vërtet gjendje që dhemb, shpresojmë që të kalojë sa më shpejt.

Atëherë lind pyetja çfarë duhet të bëjnë artistët në këtë atmosferë mbytëse? Vërtet çfarë duhet të bëjnë? Ata e vuajnë këtë fakt dhe dëshirojnë të gjejnë zgjidhje, po nuk munden, mbesin brenda “hekurave” të ligjit e rregullave që duhen zbatuar.

Kërkojnë edhe bëjnë diçka online apo në ambiente të hapura, por nuk mjafton. Teatri jo gjithmonë mund të shfaqet jashtë, ka pjesë që përshtaten, atëherë duhet të mendojmë që të vemë në skenë pikërisht këto pjesë… që janë të lëvizshme e që spektatorëve ju japin kënaqësi, i kënaqin shpirtërisht dhe iu falin buzëqeshje.

Në këtë periudhë ne kemi gati një shfaqje me kukulla e kemi menduar ta shfaqim në hapësira të lira, pra oborre shkodrane, ku fëmijët të vijnë me prind e të ndjekin një shfaqje, ndoshta cilësia nuk është si në teatër, por ja vlen sepse të vegjëlit kënaqen e ne na dhurojnë kënaqësi me reagimet e tyre. Mendoj se mund të gjejmë rrugë të shkojmë te spektatori se kemi nevojë të dy palët.

Besnik Çinari, aktor, humorist “Mjeshtër i Madh”.

Pandemia, ta thotë fjala vetë e ka dëmin që shkaktoi kjo murtajë, e cila vjen fill pas murtajës komuniste dhe na ka gjetur shumë të lodhur, moralin zero, por ky popull duron se ka dhënë shembuj, është shumë i durueshëm.

Pandemia duhet të ketë turp se nuk shkohet kund pa u thirrë, por kështu e kanë këto sëmundje histerike, këto “kurva Kotorrit”.

Mua më vjen keq për deputetët që i gjeti copë, copë.

Janë bërë përpjekje me gjetë forma për të rigjallëruar jetën artistike e kulturore.

Unë mendoj se mund të jepen shfaqje në Teatrin “Migjeni”. Në plate janë 7×8=56 vetë, amfiteatër 8×8=64 vetë, plus një radhë 8 ekstra, 18 lozhe nga dy vetë=36 vetë dhe 40 vetë galeri=204 vetë shikojnë shfaqje pa pasë problem fare pandeminë, plus 500 lek të reja bileta.

Është Estrada, normale plus projekti i Bashkisë. Shfaqjet mund të jepen pa frikë të pandemisë në Teatrin “Migjeni”. Mundësisht çifte që flejnë bashkë. Shfaqjet jepen edhe për çiftet që nuk janë idhnushëm.

Ndalohen skeçet, mundësisht monologje, dialogje në largësi, pantonima dhe parodi dy vetë. Nuk lejohen duete në muzikë.

Kjo vlen për të gjitha teatrot e Shqipërisë.

Agron Dizdari, aktor.

Pandemia që po kalon shoqëria në mbarë botën ka ndikuar pa dyshim edhe në jetën artistike, ashtu siç ka ndikuar e po ndikon negativisht në çdo aspekt të jetës në mbarë botën.

Ndikimi negativ sigurisht është i pranishëm në marrëdhënien art skenik dhe spektator, pasi vetë infeksioni përhapet më shumë në grumbullime njerëzish dhe konkretisht në sallat e teatrit që janë të mbyllura në të gjithë Shqipërinë.

Por, a duhet Teatri të punojë në këto ditë pandemije? Sigurisht që po. Teatri “Migjeni” ka në repertorin e tij dy drama të vëna në këto muajt e fundit dhe duke shpresuar që një ditë do “çlirohemi nga pushtimi armik”, këto drama janë gati për t’u shfaqur.

Bashkëpunimi me televizionet lokale apo kombëtare është një alternativë që jeta artistike të mos ndërpritet.

Teatri i poezisë apo koncertet në vende publike janë një mundësi që duhet shfrytëzuar nga organizatorët dhe artistët, në mënyrë që të mos ndërpriten aktivitetet, sepse ndikojnë pozitivisht nga ana psikologjike dhe edukative për spektatorin.

Sa mirë do të ishte që në qytetin tonë të kishim një ambient skenik në natyrë!

Mukades Çanga, këngëtare “Mjeshtre e Madhe”.

Vështirësitë, kur menduam se i lamë pas, u rikthyen. Pyetjet që shtroni ju qëndrojnë, por për të gjetur mundësi dhe alternativa është e vështirë.Gjithsesi unë mendoj se një këngëtar ndoshta e ka më të lehtë se një aktor teatri, pasi një këngëtar mund të performojë edhe jashtë skenës, në sheshe e tribuna të improvizuara dhe të gjithë mendoj se mund ta realizojnë, por për këtë duhet një investim, detyrë që natyrisht në qytet e zgjidhin institucionet përgjegjëse, si Teatri, apo Bashkia.

S’di ç’të them tjetër, por jam e sigurtë se në një ditë me diell të bukur vjeshte, apo në një natë të qetë me hënë, çdo këngëtar shkodran nuk do të hezitonte të performonte para artëdashësve të vet.

Bujar Qamili, këngëtar “Mjeshtër i Madh”.

Pandemia vërtetë pushtoi planetin, por për artistët është një tronditje jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore, sepse u bë një periudhë e gjatë që ka pezulluar aktivitetet artistike në ambjente të mbyllura.

Unë do t’ju lutesha institucioneve kulturore që të organizojnë koncerte në ambjente dhe sheshe ku qytetarët e Shkodrës të kenë mundësi të argëtohen.

Të ushqejmë shpirtin është po aq e rëndësishme sa dhe trupin, ndaj dhe unë në pikun e kësaj pandemie dhashë një koncert “Dhuratë për Shkodrën” në Bulevardin “Zogu i Parë” në Parrucë në bashkëpunim me TV1 Cannel ku performova si asnjëherë tjetër pa praninë e spektatorëve, një koncert live përmes ekranit më të madh të veriut, TV1 Channel si shenjë solidariteti, për të mbështetur qytetin tim të zemrës dhe spektatorin tim të dashur, i cili sot më shumë se kurrë gjendet në vështirësi ekonomike dhe gjendje të rënduar psikologjike, gjë që e rëndon akoma më shumë mungesa e aktiviteteve kulturore.

Shkodra dhe shkodranët pa kulturë s’kanë jetë, ndaj organizimi i këtij koncerti pati impakt të mirë për optimizëm dhe kurajo në këtë situatë kaotike.

Uroj që kjo pandemi të largohet sa më shpejt dhe të fillojë jeta kulturore e artistike që njerëzit të mos dëgjojnë më lajme trishtuese, por sa më shumë këngë e muzikë.

Ilir Zoga, drejtues artistik në Teatrin “Migjeni”.

Është më se normale që ashtu si në jetën e kujtdo tjetër, edhe në jetën e një artisti, pandemia ka ndikuar dukshëm.

Të izolosh një artist është njësoj si t’ja heqësh ajrin atij.

Jemi munduar që aktivitetet tona artistike t’i zhvillojmë jashtë. Kuptohet, jo si me komoditetin dhe akseset që të dhuron skena, por gjithsesi ka rezultuar e suksesshme.

Që jeta artistike e Teatrit të mbetet aktive, ka vetëm nji alternative. Në përputhje me rregullat mbrojtëse ndaj pandemisë, jeta artistike e Teatrit të zhvillohet në sallën e Teatrit.

Bardhyl Hysa, drejtues artistik në Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”.

Sezoni i vjeshtës ndryshe nga izolimi dhe pezullimi në pranverë për Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci” ka nisur me përgatitje dhe aktivitete artistike, sigurisht duke patur parasysh protokollin dhe këshillën “Frikë jo, kujdes po”.

U realizua me sukses “Ahengu Shkodran 2020” në mjedis të hapur dhe morëm pjesë në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare në Elbasan, ku u vlerësuam me tre çmime.

Gjithashtu, edhe me bandën muzikore dhe grupin e valleve kemi organizuar aktivitete në ambjente të hapura. Në të gjitha këto sa përmenda, nuk kemi patur probleme përsa i përket Covid 19.

Ata pak artistë që kanë patur probleme (jo nga provat dhe aktivitetet artistike), janë tërhequr apo janë izoluar.

Komuniteti i këngëtarëve, instrumentistëve dhe valltarëve me të cilët ne punojmë, ka kaluar një periudhë të vështirë nga izolimi dhe nga mosfunksionimi i muzikës në lokale dhe gëzime familjare, pasi një pjesë e tyre e kanë të lidhur jetesën me këtë aktivitet dhe nuk kanë përfituar asnjë subvension apo ndihmë financiare, pasi nuk figurojnë të punësuar.

Mendoj se ai rregull që përdoret për shkollat, duhet të përdoret edhe për institucionet artistike, pasi pjesa më e madhe që ne aktivizojmë janë të rinj, të cilët shpesh herë janë të pavëmendshëm në sjelljet e tyre.

Ndërpreja e aktivitetit artistik mendoj nuk i bën mirë jo vetëm komunitetit të artistëve, por edhe shoqërisë në tërësi. Në ambjente të mbyllura duhet kujdes, ndërsa në ambjente të hapura nuk ka pse mos të organizohen dhe përshtaten aktivitete të ndryshme artistike.

Në fund janë specialistët që vendosin, duke parë faktet dhe sigurisht që përparësi ka shëndeti i shoqërisë.