Bashkim Koçi: Gramshi feston . . .

167
Sigal

Ftesa për t’u gjëndur e festuar një ditëlindje shoku a miku sigurisht që të bën të ndjehesh mirë e madje të vë në “siklet”, në një “siklet” shpirtëror në mënyrë që të përgatitesh që si e si ngjarjen ta përjetosh sa më mirë. Por për çka po shkruaj nuk është ditëlindje as miku e as shoku, por ditëlindje e një qyteti. Gramshi, një ndër krahinat e mia më të preferuara, qyteti i njerëzve të urtë, të dëlirë e të mikpritur, kishte 65 vjetorin e lindjes. Me dekret të posaçëm të atij 18 shkurti të vitit 1960, ajo qendër e vogël e banuar me shumë pak njerëz, do të merrte statusin e qytetit. Qysh nga ai mot banorët morën  titullin tashmë të bërë realitet, qytetarë të Gramshit.

Rruga për atje, pra nga Tirana në Gramsh, e bëmë nën shoqërinë e zëmërbardhit gramshiot Skënder Lena, të Mësuesit të Popullit, bir i atij vendi, Xhafer Lila si dhe shofer Gilit, tiranasit që na e bëri atë rrugë buzë liqenit të Banjës si të përjetoje mrekullinë. Është 18 shkurt, që do të thotë të jetë palca e dimrit, por moti, për qefin e tij a kudi çfarë, është aq “i qeshur” sa të duket sikur është pranverë. Dhe duke qënë i tillë i ka nxjerrë njerëzit nga shtëpitë, krejt të shkujdesur e të kapur nga ndjenja gëzimi, si për festë. Ata kanë mbushur rrugën kryesore, atë më të populluarën, por edhe më të preferuarën, duke mbajtur sytë në “vigjilencë” të plotë, nën kontroll të atyre që vijnë për të festuar ditëlindjen e qyteti, por sidomos për të ardhurit nga larg, nga Tirana, Durrësi, Elbasani e nga vëndet ku gramashiotët në këto vite të pas ’90-ës janë shpërndarë e zënë vend në të gjithë Shqipërinë. Diku në sheshin kryesor, kryetari i Bashkisë, Besian Ajazi me përfaqësues të tjerë nga administrata, pret të ftuarit, ata që e kanë patur të mezipritur këtë ditë feste edhe për t’u çmallur jo vetëm me njerëzit, por edhe me gjithçka tjetër që e kanë ruajtur në zemër e në shpirt nga qyteti ku kanë kaluar vite, pse jo edhe nga ata më të bukurit e jetës. Një shtrëngim duarësh, një fotografi dhe shkëmbimi i fjalëve të njerëzishme me njëri-tjetrin, të cilat mbajnë në çdo gërmë mall e nostalgji të viteve të shkuara, kuptohet e besohet sesa të bekuara janë ngjarje të tilla, qoftë edhe një si kjo, 65 vjetori i lindjes të një qyteti, e në kët rast ai i Gramshit. Shikoj aty Luan Shahollarin dhe Elmaz Sherifin, ish deputetë të asaj zone. Shikoj edhe të tjerë të ardhur nga Tirana, por që vijnë aty si në vendlindjen, në vendin ku shpirti gjen atë që e bën me flatra.

Pas disa çasteve, vetëm për pak, u gjendëm në hyrje të qytetit, aty ku instumntistët me nam të Fyellit, ekzekutonin melodi fantastike. Mjeshtrit Shaban Elezi e Neim Sharku, por dhe më i riu, vetëm 22 vjeç, Ligor Tuzha, na lanë gojëhapur për çka ekzekutonin. Aty, në atë vënd e që është pikë hyrje për në qytet, skluptori Emanuel Pepo kish realizuar një instalacion ku përjetësohen fyejtë e Gramshit, ata që ndoshta shumë afër do të meritojnë e do të nderohen nga UNESKO. Gjë më të  bukur e më përfaqësuese për gramshiotët nuk do të gjendej kund. Në një fjalë fare të rastit, ashtu si nga ato që ta thotë zemra “fol se duhen thënë dy fjalë”, kryetari i Bashkisë, Besian Ajazi nxorri nga goja ca shprehje të gjetura të mirëseardhjes, të cilat “ezauruan” të gjitha çka do të protokolloheshin më pas.

Krahina që i dha aq shumë luftës ANÇ

Gramshi, ky qytet që përjeton moshën më të bukur, nëse e konsiderojmë ata si të jetë gjallesë, lindi e po rritet jo pa vështirësi, jo pa sakrifica nga breza njerëzish. Banorët e paqtë të Gramshit ndjehen mirë që në këtë ditë të 65 vjetorit të lindjes të qytetit të nderojnë të gjithë ata të cilët gjatë këtij rrugëtimi relativisht të gjatë lanë emëra të mbuluar me lavdi. Ata kujtojnë emra trimash e luftëtarësh, të cilët vunë në rrezik jetën si garanci të së ardhmes. Gramshi, ajo krahinë, e cila nuk ka bërë kurrë pazar me pushtuesin për të ruajtur nderin e lavdinë, ka nxjerrë jo pak personalitete, emrat e të cilëve nuk kanë mbetur të shkruar vetëm në faqet e historisë, por janë po aq të “shkruar” edhe në zemrat e banorëve gramshiotë. Xhele Liçin, atë që ndihmoi e bashkëpunoi me Ismail Qemalin e Abdyl Frashërin, s’kanë si të mos e kujtojnë e nderojnë në çdo kohë. Po kaq lavdiplotë mbeten Kamber Dyrmishi, Mahmud Xhelili e File Musai, patriotë me kontribute ja vetëm për atë krahinë, por edhe më shumë se kaq.

Ka ca heronj nga  Gramshi jo se kanë mbetur në hije, por ndonjëherë  “harresës” nuk di ç’emër t’i vësh. Fjalavjen Hamit Dollani, i cili është dëshmori i parë i kësaj zone e që ra në përpjekje me pushtuesin Italian më 7 Prill të vitit 1939, në një orë e në një ditë me Mujo Ulqinakun, sikur nuk i është dhënë haku, siç thotë populli.  Në sheshet e bukura të mbajtura me aq merak nga Bashkia, i bëjnë edhe më të bukura bustet e antifashistit Antonio Gramshi dhe Komandantit të Batalionit Vërçë-Sulovë, Kapo Lenës. A nuk do të ishte po kaq bukur e po kaq krenari për gramshiotët ku diku të qëndronte edhe busti i  Hamit Dollanit? Dhe në lisatat e shkruara me gërma të arta Gramshi ka 115 dëshmorë ku një pjesë janë përjetësuar në emra rrugësh, shkollash e objekte të tjera socialkulturore. Gjimnazi i Gramshit, i cili ka lënë gjurmë të mira në shkallë vendi, mban emrin e dëshmorit Shefqet Guzi.  Në këtë radhë bekimi e nderimi qëndron  edhe tek ata që qëndruan e komanduan formacione partizane, apo u gjëndën në radhët e para të asaj lufte ku rrezikun për çëshje të mëdha. Emra komandantësh e luftëtarësh si Kadri Musai, Kapo Lena, Selman Ajazi, Ramadan Xhangolli, Neim Beci, Isuf Boja, Saltiana Tabaku, Beqo Koçi, Ramo Miraka, Abas Zani e shumë të tjerë, të cilët mbetën gjatë gjithë jetës besnikë të idealeve, të asaj të bekurarës Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Qyteti që u rrit me punë e në punë

Gramshi pa as më të voglën mëdyshje është ndër qytetet më simpatikë të vëndit. Fakti që gjatë vitit që lamë pas, pra vitin 2024, këtë qytet e kanë vizituar rreth 120 mijë turistë, nga vëndi, por shumica të huaj, tregon se kjo “derë” qëndron e hapur, sepse aty ke ç’të shikosh, ç’të shijosh e më kryesorja ke hapsirë të pamatë për të gjetur e komunikuar me zemra njerëzish. Ata i tërheq e i ka bërë për vete rruga mahnitëse automobilistike që përshkon liqenin fantastik të Banjës. Ka edhe vënde apo pika të tjera turistike, siç është ajo e Kanioneve të Holtës, Liqeni i Dushkut, Liqeni i Zi, Ujvara e Sotirës etj. e ku turistët venë e nga venë i mbledh qyteti i Gramshit, qyteti që të ofron qetësinë, atë që nuk e gjen dot askund tjetër. Nga fjalët që dëgjova nga kryetari, djali i lindur e rritur në Gramsh, Besian Ajazi, besova se e ardhmja e këtij qyteti, i cili sot festoi ditëlindjen e 65 -të, do të ketë një të ardhme të ndritshme. Optimizëm si ky të bën me flatra e madje të mbush sytë me lot gëzimi.

Por më duhet të them edhe ca të vërteta që të trishtojnë. Po, po, të trishtojnë dhe të zëmërojnë me atë çka i bëmë pasurisë tonë, asaj që trashëguam nga sistemi i kaluar. Vetëm një fakt, fakt që të bën të ulërish e të mbash qëndrim ndaj atij krimi që na ka bërë politika. Vetëm Uzina e Armëve në Çekin kishte të zënë me punë rreth 1500 qytetarë të qytetit e rrethinave të Gramshit. E sot që na duhen armë për të mbrojtur vëndin nga kjo botë e trazuar dhe e kërcënuar nga luftrat, nuk e kemi mundësinë t’i prodhojmë. E shkatërruam të gjithë atë industri me duart tona. A i kemi mundësitë dhe fuqitë për ta ringritur? Na duket, as më shumë e as më pak, si të tregojmë një përrallë.

Ata që u lindën e u rritën në këtë qytet, në Gramsh

Njerëzit e punës, por sidomos ata që e kanë kokën plot, nuk ndjehen mirë dhe herë herë mbeten të jenë anonimë në krahasim me të tjerë, me krahina të ndryshme të vendit. Sipas mendimit tim Gramshi përfaqësohet nga intelktualë me emër. Këtë e bën të prekëshme sidomos kur i shikon të gjithë bashkë, siç ishte ky rast që ishin mbledhur për të festuar. Pashë aty personalitete që gëzojnë tituj të lartë si Mësuesi i Popullit Xhafer Lila, historiani i shquar Prof. Maringlen Kasmi, Prof. Dr. Shqipe Zani, ajo  që erdhi në Tiranë me një valiçe druri e sot mbetet të jetë në rradhët e para të krijimtarisë vokale; Prof. Dr. Avni Xhelili, i cili ka kryer detyra shumë të rëndësishme në fushën e arsimit në UT, por edhe si diplomat karriere në Moskë, në Sofje e gjetkë; diplomati dhe përkthyesi me plot talent nga gjuha frënge, Eqerem Gaxholli; veprimtari i shquar,  Dr. Shkencave Kastriot Hasa; ushtaraku i karrierës Ibrahim Gaxholli; mjekë, agronomë, mësues, inxhinierë të dëgjuar jo vetëm në Gramsh, por edhe shumë më gjerë. Eshtë vëndi dhe gjej rastin të sjell emrat e Bexhet Tosunit, të ish deputetit Ing. Bashkim Koçit, të specialistit të dëgjuar Pasho Bakut, pa harruar edhe emra me kontribute të çmuara në shoqërinë gramshiote si Gëzim Ajazi, Enver Qose, Afërdita Haxhia Tabaku, të Profesorëve në Universitete të Tiranës Nevruz Koçit e Zyri Bajramit, Enver Roshi, Ervin Toramani, Astrit Balliu e Demir Dyrmishi; të veprimtarëve shoqërorë Fiqrete Bici, Ardian Mullai e Abedin Bici. Lista e njerëzve të asaj treve, të atyre që nuk i ranë gjoksit kurrë, është e gjatë, pafund.

Festë që ua mbushi zemrat të gjithve

Kjo festë në një farë mënyre nuk ishte vetëm ditëlindaj e qytetit të Gramshit, por edhe e të gjithë banorëve të asaj treve me histori të madhe. Ndaj edhe zgjati shumë, aq shumë sa do të mbushte me veprimtari edhe orët e vona të mbasdites. Kënduan e kërcyen, u argëtuan në të gjtha mënyrat më të mundshme. Në Çekin, aty afër qytetit, u organizuan veprimtari të ndryshme, por një gjë e bëri disi të veçantë dhe që i dha festës emocione, sepse u lartësuan e u nderuan ata me të spikaturit, ata që janë shquar në sektorët më të rëndësishëm të jetës si ai i sektorit të shëndetësisë, i arsimit e të fushave me ndjeshmëri të lartë. Bashkia modestisht i nderoi ata me Çertifikata Mirënjohjeje, të cilat nga ata që u nderuan do të mbahet mend gjatë mbasi iu dorëzuan jo në ditëlindjen e tyre, por të qytetit ku kontribuan me zemër, atë të Gramshit. Dhe jo vetëm ata, por të gjithë sa ishim aty, nga shpirti doli  urimi: Ta gëzosh ditëlindjen e 65-të Gramsh!