Bardhyl Berberi/ Piktori i “rrugës” që mban familjen me talentin e tij

816
Herët në mëngjes dëgjon nëpër rrugët e qytetit një karrocë portative të ngarkuar plot me piktura që shtyhet në drejtim të bregut të liqenit nga një meso burrë me flokët grixho. Ai është një burrë i respektuar në qytetin e tij të lindjes. Ka mbaruar shkollën për pikturë, madje është shoku i klasës i kryeministrit të vendit, Edi Ramës. Petrit Laraku hap kalvaletin në parkun e madh buzë liqenit dhe vendos telajon për të pikturuar. Më pas hap pikturat e tij që ka pikturuar në ditët e kaluara dhe aty buzë parkut, përgjatë shëtitores, të duket vetja sikur je duke ndjekur një ekspozitë pikture. Rreth 50 apo 60 piktura hapen në mjedisin përreth. Tematika e pikturave të tij është e larmishme dhe poetike. Në qendër të tyre është peizazhi i Pogradecit, liqeni, parku i madh, lagjet karakteristika të qytetit liqenor, kroi me shtatë sylynjarë etj.

Varacionjet e dritës, peizazhet me me tone të ngrohta, natyra në momente të ndryshme me muzgjet dhe mëngjeset, janë padyshim në qendër të pikturave të tij. Piktori Petrit Laraku vizualizon imazhe që Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli me artin e tyre i falën përjetësi këtij qyteti: Perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë dhe si hije, dergjiet e përgjumshme të liqenit, zalli i shkretuar, shkrumbi i natës etj. Autori pikturon bukuritë natyrore të liqenit dhe të rrethinave të qytezës së Pogradecit që shtrihet mbi ujrat e liqenit. Në të gjitha pikturat e Petrit Larakut ka një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës dhe me ngopje të ngjyrës. Piktori sjell momente emotive me pamje nga çdo kënd i qytetit. Nuk ishte rastësi që me rastin e çeljes së sezonit veror Pogradeci u përfaqësua me këtë piktor.

“Piktori i Merituar “Anastas Kostandini shprehet për gazetën Telegraf se “Në pikturën e Petrit Larakut fshihet shpirti i ndjeshëm prej artisti. Ai ka një optikë vetanake”, do të shprehet mjeshtri Kostandini. Peizazhet e liqenit, pylli i gështenjave me paleta ngjyrash të ngopura, marrin trajtën e një parajse në pikturat e Petrit Larakut . Piktori Petrit Laraku na sjell fragmente ëndërrash, kompozimesh pothuajse në mënyrë muzikale duke mbajtur një kolorit të qetë larg kontrasteve dramatike. Në pikturën e tij ka gjallëri dhe brishtësi. Por çfarë thotë vetë Petrit Laraku për pikturat e tij. “Unë jam i detyruar të punoj me këmbëngulje dhe pasion pasi ky është zanati im”, thotë ai. “unë me këtë zanat mbaj familjen time, kam dy vajza të rritura që shpejt do të shkojnë në Universitet. Më duhet shumë punë dhe talent që të shiten pikturat dhe unë të siguroj të ardhurat për të jetuar. Me Edi Ramën jam njohur në Institutin e Lartë të Arteve, dega Pikturë dhe ku unë isha në një klasë me të. Rama ishte shumë i dashur me ne jabanxhinjtë e rretheve dhe i vetmi që na ftonte për kafe kudo ku na shikonte. Ndaj respekti i shoqërisë ndaj tij do të mbetet i paharruar. Këdo që të pyesësh, asnjë nuk do të thotë qoftë edhe një fjalë të keqe për jetën dhe marrëdhëniet me të në Institutin e Larte të Arteve”. Pogradeci, thotë Petrit Laraku, gjeneron emocione pjellore me peizazhin magjik që ai ka. Por Petrit Larakun e sheh shpesh me laps në dorë duke iu bërë portretin pushuesve të huaj dhe vendas duke iu bërë portretin kundrejt një pagese fikse. Vazhdojmë shikojmë ekspozitën e improvizuar buzë rrugës dhe Petritin që punon plot pasion nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës, i cili siguron mbjetesën.
Sigal