Arjan Pano: Kur s’më deshi ajo që më solli në jetë, kush të më dojë…?

820
Kalonim rrugës me një shok pranë Muzeut Kombëtar kur para nesh ndaloi një karrocë e ngarkuar me sende plastike. Atë e drejtonte një burrë që dukej disi ndryshe. Burri ndaloi karrocën dhe qëndroi që ne të kalonim, kurse unë ndalova dhe bëra të njëjtën gjë, që të kalonte ai me karrocën e tij. Po ai nguli këmbë që të kalonim ne. Duke parë lodhjen, por edhe sjelljen e tij, ne nuk kaluam ,por ndaluam e kërkuam të bisedojmë me të. Ai qëndroi, frenoi karrocën në anë të rrugës dhe na buzëqeshi. U çudit. Nuk më ka kërkuar njeri të flas kështu si ju, u shpreh me çiltërsi.
-Si të quajnë?
– Arjan Pano!
-Nga jeni?
-Nga Shkodra,
– Ku jetoni?
– Këtu në Tiranë, rrugëve se nuk kam shtëpi,
-Po familje a ke?
-Jo, nuk kam as familje!
Në ngritëm supet. U çuditëm me historinë e tij.
-Nuk jeni i martuar asnjëherë??
-Jo, pasi nuk i besoj askujt!
-E pse kështu…?
-Sepse, kur s’më deshi ajo që më solli në jetë, kush të më dojë…?
-Pse flisni kështu? Keni ndonjë arsye që mos ta vlerësoni nënën?
-Po, unë jam i shtëpisë së fëmijës, Shkodër. Nëna më ka lënë 7 muajsh. Erdha në Tiranë para 20 vitesh dhe fillova të kërkoja babanë, familjen por më kot. Kam vite që endem në kërkim të babait, por askush nuk bëhet i gjallë. Unë endem në vetminë time, duke mos besuar tek askush.
-Çfarë moshe keni?
– Jam i datëlindjes, 28 korrik 1964. S’kam pasaportë asgjë, vetëm një certifikatë lindje. Kaq! Oh, harrova kam dhe këtë karrocë që e mbush me sende plastike që i mbledh për t’i shitur e për të nxjerrë bukën e gojës. Kjo karrocë është familja ime, është jeta ime, është babai, nëna dhe fëmija im. Ky mjet është gjëja më e bukur dhe më besnike e jetës time. Fle në këtë karrocë, ku të më zërë nata. Edhe rroba këto të trupit kam.
-Po ndihmë ekonomike a ke kërkuar?
-Ore a dëgjoni ju? Ku të kërkoj? Ku di unë të kërkoj, ku të vete, ku të shkoj, çfarë dokumentesh të bëj? Ju thashë një certifikatë kam. Kush më pranon mua në zyra me këto rroba, me këto flokë dhe me këtë pamje? Unë i tremb njerëzit. Bëj çudi se si ndaluat dhe më folët. Askush nuk më flet mua. Unë eci në vetminë time dhe ndihem mirë. Sot po çuditem, si ka mundësi që u kujtua dikush të më flasë mua, kur të gjithë më largohen duke më parë me përçmim?
-Je përpjekur të takosh kryetarin e ri Veliaj?
-Oh, ç’më lodhët me këto pyetje. Ku ti dal unë para. Pastaj nuk besoj tek asnjë politikan apo kryetar. Çfarë i duhem unë atyre, për bela?
Ja kam këtë shoqen time (dhe tund karrocën). Me këtë i qaj hallet, flas me të, grindem me të. Këtë kam krevat, qiellin dhe Zotin lart kam jorgan. Eh!-dhe lotoi. Ishte duke rënë në tokë.
Jeni i sëmurë?
Po, kam sëmundjen e tokës. Po, kam vite…Po rrofshin kazanët e plehrave. Këtu afër Muzeut Kombëtar e kam folenë. Jam në qendër të paktën. Lotët ju thanë në faqet e rreshkura. Ai qante hallet, ndërsa unë mendoja për kyçet e duarve dhe qafat e gjyqtarëve tanë që siç tha Donald Lu i kanë të mbushura me flori që kushtojnë sa një makinë. Juristët, avokatët, gjyqtarët që bëjnë dhe zbatojnë ligjet jetojnë në parajsë, ndërsa ky njeri nuk ka bukë të hajë.
Kështu e gjen Viti i Ri, 52- vjeçarin Arjan Pano. Në karrocë, një palë rroba zhele, pa shtëpi, pa familje, pa pasuri, pa ndërresa, pa asgjë.
-këmbëngula…Po a ke shokë dhe a nuk gjen ndonjë grua për tu martuar? Joooooooooo, nuk dua të marr më qafë njeri. Nuk e di sesa do jem kështu. Tek shoqëria nuk besoj…sepse shoqëria e sotme të bën gropën, të fut në rrugë pa krye, në drogë, vjedhje, bixhoz, rrugë femrash e të tjera si këto, nuk jam i ngatërruar në këto punë jam i pastër e natën fle rehat në kazanët e plehrave. Po rehat, s’kam as frikë e as merak, jam me këtë dhe përsëri më tregon karrocën e tij.
-Ç’dëshiron të kesh?
– Një shtëpi të vjetër që të fus kokën. Kaq, ose të rregullohem në ndonjë, Azil pleqsh që të mos vdes vetëm, si qen rrugësh. Vetëm këtë dua. Kaq tha dhe filloi të tërheqë karrocën. Ai u largua duke buzëqeshur. Atë buzëqeshje e dha me gjithë shpirt. Nga mbrapa dukej si një monument pa ngjyrë. Kishte vite pa u larë. Nuk i njihte veglat e rrojës. Por kishte një shpirt të pasur. Njerëz si ai as e mendojnë të fyejnë apo të dëmtojnë njeri. Ai njeri ishte i keqi i vetes, por mjerimi kishte lënë gjurmë të mëdha. Nuk kishte besim tek askush, pasi e ndjente veten të braktisur nga shoqëria, nga nëna, nga njerëzit që e rrethojnë. Për të sot ishte dita më e bukur. E respektuan disa njerëz të thjeshtë. E respektuan ata që e rrethojnë, por nuk e mendojnë t’i flasin. Në tërë bisedën a kishte një natyrshmëri dhe sinqeritet që të befasonte. Sa të tillë ka sot në rrugët e Tiranës? Sa njerëz të tillë ka sot në gjithë Shqipërinë? Ata ecin mes halleve, duke humbur dhe nocionin kohë. E tillë është jeta për ta, e mbledhur mes dy rrotave të një karroce që nga përdorimi nuk ka ngjyrë. 
Pashë së largu portretin e tij dhe mu duk si personazhet e Migjenit. Një personazh Migjenian në kohën moderne. Një njeri i lodhur nga jeta, por pa veset e hajdutit, të korruptuarit, vrasësit, hakmarrësit. Një personazh Migjenian në zemër të Tiranës.
Sigal