Ryshfete dhe mangësi në ofrimin e shërbimit në QSUT, pacientët: “mos na lini të vdesim”

585
Nuk është hera e parë që Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përflitet për shërbimin e ofruar. Nuk kanë munguar asnjëherë ankesat e pacientëve, të cilët janë të detyruar të dergjen në këtë qendër spitalore për të gjitha problemet shëndetësore që mund të kenë. QSUT mund të thuhet fare mirë se është në pikë të hallit, kjo pasi nuk po mund dot të ofrojë shërbim cilësor për qytetarët që i drejtohen kësaj qendre spitalore. 
Mungesë medikamentesh në shumë shërbime
Me qindra herë QSUT ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi shërbimi në këtë spital është bërë një tmerr për të gjithë qytetarët. Mungesa e mediakmetve gjithmonë ka qenë objekt diskutimi, ndërkohë që QSUT asnjëherë nuk ka qenë e plotësuar me medikamentet më minimale dhe pajisjet kryesore. Shërbimi onkologjik prej disa muajsh vazhdon të përballet me mungesën e medikamenteve që nevojiten për kimioterapinë. Kjo mungesë vazhdon të mbetet problem edhe pas shumë ankesash, si nga pacientët ashtu dhe nga vetë personeli mjekësor, i cili i drejton pacientët drejt privatit, opsion ky që vazhdon të mbetet një plagë për shëndetësinë në vendin tonë. Në shërbimin onkologjik janë minimalisht 4 medikamente, për të cilët pacientët “sorollaten” tek privati prej kohësh, sepse shteti nuk ua mundëson ofrimin e këtyre medikamenteve. Ndërkohë që mungesë medikamentesh ka dhe në shërbimin e onkohematologjisë pediatrike, në të cilin mungojnë jo vetëm citostatikët, por edhe ilaçe të tjera, të cilat nuk mund të blihen nga vetë pacientët për shkak të çmimit tejet të lartë, siç është rasti i Deltakortenit. Ndërkohë që mungojnë dhe shumë preparate të anestezisë, që pacientët kanë nevojë për operacionet që zhvillohen, siç është Propofolin, të cilin pacientët janë të detyruar ta blejnë në farmaci. 
Prej muajsh nuk funksionon aparatura, që kuron me rreze kancerin e lëkurës
Thirrjes së pacientëve “mos na lini të vdesim” drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, sot, kur kanë kaluar disa javë ende nuk i është përgjigjur askush, madje as ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili nuk ka marrë asnjë masë për rregullimin e kësaj situate. Mosfunksionimi i kësaj aparature që bën të mundur kurimin me rreze, kancerin e lëkurës, ka bërë që pacientët të reagojnë me një gjuhë të ashpër ndaj drejtuesve të shëndetësisë. Edhe pse ky është një shërbim që duhet marrë në mënyrë të menjëhershme për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqit vetë sëmundja. Edhe pse kanë kaluar disa javë, nuk ka dalë asnjë drejtues të marrë masa për rregullimin e kësaj pajisjeje, e cila në rastin më të mirë punon pak ditë në muaj. Prishja e aparaturës së orthovoltazhit në Shërbimin Onkologjik ka sjell reagimin e qindra pacientëve, të cilët janë shprehur se, nëse nuk marrim shërbimin, sëmundja agravon çdo ditë e më shumë, duke rritur rrezikun, por këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga askush, duke lënë situatën të vazhdojë të jetë e njëjtë. 
QSUT, ryshfet për marrjen e shërbimit 
Përveç problemeve të listuara më lart, në këtë qendër spitalore mbetet ende problem marrja e parave nën dorë për ofrimin e shërbimit, siç është rasti i infermierëve apo mjekëve që vendosin serumin apo narkozën para operacionit. Një qytetar nga Tirana, i cili disa ditë më parë ka bërë operimin e gocës për shkak të një problemi në veshkë, ka thënë për gazetën “Telegraf”, se është e pamundur të marrësh shërbimin pa paguar në këtë qendër spitalore. Përveç mungesë së pajisjeve dhe medikamenteve, je i detyruar të paguash për të marra shërbimin. Pagesa fillon që nga infermierja, e cila do marrë turnin, që për çdo lëvizje brave të derës së dhomës do minimumi 5 mijë lekë të vjetra, sepse 2 mijë lekshin nuk e pranon askush. Ndërkohë që pagesa për shërbimin bëhet edhe nga mjeku që do të vendosë narkozën. “Mu desh të paguaja 30 mijë lekë për vendosjen e narkozës, përndryshe nuk vinte askush të merrte përsipër këtë gjë. Ndërkohë që për shkak të mungesës së tubit që vendoset për pastrimin e veshkës në këtë spital, u detyrova ta blija në farmaci, vetëm ky tub më kushtoi 50 mijë lekë. Pra, të gjithë këto shërbime që u ofruan, u paguan një më një”. “Tani po pres të takoj dhe personin që bëri operacionin, për të ditur nëse dhe ai do lekë… Kjo është shëndetësia falas që na ka ofruar ministri Beqja”. Si rasti i këtij qytetari, ka me qindra që përplasen në dyert e këtij spitali, por që pa paguar nuk merr asnjë shërbim. Ndërkohë që flitet për shëndetësi falas, blerje pajisjesh, mospasje ryshfeti, realiteti është i hidhur, aq sa pacientët lëshojnë alarmin për ndihmë në adresim të Ministrisë së Shëndetësisë, “mos na lini të vdesim”… Ky është realiteti që të ofrohet në rast fatkeqësie.
Sigal