Berat, rrezikojnë të shemben muret mbrojtëse në lagjen “Goricë”

624
Sigal

Flet për “Telegraf”, drejtori i Monumenteve të Kulturës, Lunik Çuedari: “Ministria e Kulturës nuk jep fonde për restaurim”

Muret gjigande që mbrojnë lagjen muzeale të “Goricës” prej kohësh kanë dhënë shenjat e një rreziku për shembje. Muret janë ndërtuar qindra vjet më parë në masivin shkëmbor për të mbrojtur këtë lagje që është ndërtuar rrëzë malit dhe objektet e kultit që ndodhen të ndërtuara brenda lagjes. Këto mure me kalimin e kohës janë amortizuar nga shkaqet natyrore. Mbi to ka 20 vjet që nuk është vënë dorë për restaurim në vendet që janë më tepër të dëmtuara. Nëse muri gjigand që mbron lagjen shembet së bashku me të, do të rrëshqas edhe një pjesë e lagjes bashku me objektet e kultit, ku këto materiale do të përfundojnë të gjitha në ujërat e lumit Osum. Banorët e lagjes janë të parët që japin alarmin duke u shprehur se rreziku është prezent dhe se muri mbrojtës mund të bëjë gjëmën, pasi muret janë ndërtuara dhjetëra dekada më parë. Amortizimi i theksuar i tyre kërkon ndërhyrje urgjente për restaurim. Muret kanë dhënë shenjat e para duke u shembur nga themelet, të cilët janë ndërtuar mbi shkëmb.

Reagimi

Për këtë shqetësim urban është vënë në dijeni nga banorët e zonës edhe Drejtoria e Monumenteve dega Berat, e cila ka pranuar gjendjen. Drejtori, Lunik Çuedari në një prononcim për gazetën “Telegraf” bëri të ditur se, muret janë të amortizuar tej mase dhe e kanë të domosdoshëm ndërhyrjen për restaurim, por bashkë me muret e lagjes “Goricë” duhen rikonstrukturuar edhe ato që gjenden në lagjet muzeale të Kalasë dhe Mangalemit. Mungesa e fondeve, tha z. Çuedari, -ka bërë që drejtoria jonë të mos ndërhyjë për të kryer punimet për restaurimin të kompleksit muzeal në lagjen “Kala”, por ne, me marrjen e fondeve së shpejti do të ndërhyjmë edhe në rregullimin e mureve mbrojtëse në zona të tjera, ku me prioritet do të jetë lagja “Goricë”. Drejtori i Monumenteve në Berat tha gjithashtu se, kjo drejtori ka përgatitur projektin dhe ia ka përcjell ministrisë përkatëse, pra Ministrisë së Kulturës dhe sipas kësaj të fundit shumë shpejt do të lëvrohen fondet për restaurimin e mureve mbrojtëse dhe objekteve të kultit.