Aksion ndërkombëtar, shkatërrohet banda e laçianëve, 7 në pranga

538
Sigal

Një hetim ndërkombëtar ka përfunduar me arrestimin e 7 shqiptarëve në Francë dhe Shqipëri, të akuzuar për vjedhje me forcë të rreth 70 apartamenteve në zonën e Nancy-t, në 3-mujorin e fundit të vitit 2018.

Vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në rreth 300 mijë euro, përfshirë bizhuteri, sende me vlerë dhe para. Rezultatet e operacionit u bënë publike në një konferencë të posaçme për median pasditen e së Hënës, organizuar në Nancy, nga kryeprokurori i rajonit, Fransua Perain (François Pérain) dhe prokurori shqiptar, Besim Hajdarmataj.

Prokurori francez e konsideroi rast të suksesshëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. Prokurori Hajdarmataj e vlerësoi këtë operacion si “një sinjal të qartë për grupet kriminale shqiptare që e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku mund të fshehin gjurmët e krimeve të kryera në Francë”.

Në bazë të hetimit, në Francë u arrestuan 4 anëtarë të familjes Kajtazi, të drejtuar nga Arif Kajtazi, të cilët janë rezidentë prej vitesh në rajonin e Nancy-t.

Ndërsa në Shqipëri, me urdhër të prokurorit Besim Hajdarmataj u ndaluan Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku. Për këta persona, gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal. Në bazë të hetimeve të përbashkëta franko-shqiptare rezulton se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve. Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.

Grupi i shqiptarëve ra në gjurmë të autoriteteve policore, pasi kishin nisur hetimet për vjedhje në seri të kryera në rajonin e Nansy-t, në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali.
Arrestimi i 7 personave të dyshuar u realizua njëkohësisht në Francë dhe në Shqipëri.

Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda. Ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nancy-t.