Arben Shaka: Në këtë film, unë nesër ndihem më i ri se sot

548
Sigal

Sot në kinema Kristal, ora 19:00, promovimi i filmit serial televiziv me 10 seri “Dadoja e pallatit tonë”, një film edukativ për fëmijë

 “Dadoja e pallatit tonë”, është një serial televiziv me 10 seri. Ka rreth 20 vite që nga tregu janë zhdukur prodhimet për fëmijë, ashtu si dhe disa figura mjaft të njohura për brezin e sotëm, siç është aktori i mirënjohur Arben Shaka, i cili rikthehet edhe ai në ekran pas një shkëputje disa vjeçare…

Janë banorët e një pallati – me problematikat e jetës së përditshme, të cilët bëhen protagonistë në disa situata jetësore…
Konflikte brezash… Udhëtim në kohë… Informacion rreth vendeve dhe figurave të njohura zhvillohen gjatë serive. Probleme sociale, të cilat shpesh bien në vesh të shurdhër, por edhe skena humori mes të rriturve dhe fëmijëve. Intriga dashamirëse e të dyja palëve i jep më shumë ngjyra filmit. Shpesh herë në skena të veçanta hyjnë personazhe real me emrat e tyre të vërtetë që luajnë veten e bëhen pjesë e ngjarjeve që zhvillohen në film. Përveç aktorëve të njohur si: Arben Shaka, Sadush Ylli, Merita Dabulla, Vladimir Saliu, etj., në film promovohen për herë të parë dhe aktorë të sapo diplomuar si Paola Kodra e Sajmir Paja. 10-ëshja e fëmijëve luajnë thuajse me emrat e tyre reale dhe përveç karaktereve të ndryshme që sjellin në film, ata bëhen protagoniste në zgjidhjen e mjaft problemeve. Filmi është me skenar dhe regji nga Elona Paja dhe të drejtën e transmetimit e ka Tv publik shqiptar. Transmetimi nis menjëherë në muajin tetor dhe premiera bëhet në dt. 25 korrik në kinema Kristal, ora 19:00.

 Arben Shaka

Ishte një ftesë e regjisores Elona Paja që unë ju përgjigja me dashamirësi. Është një film edukativ, që përcjell mesazhe për fëmijët e sotëm, pasi ata ndodhen mes problemesh të shumta për kohën që jetojmë. Një film me karakter të theksuar edukativ që i mungon ekraneve tona. Me këtë film, unë nesër ndihem më i ri se sot.

Albert Z. ZHOLI