Anila Omari/ Gjuha në kohën e shtetit të Arbërit

2522
Sigal

Studimet për Mesjetën shqiptare, me gjithë të dhënat e pakëta për shekujt XI-XII, kanë arritur të përvijojnë konturet e një strukture shtetërore në trevën e Arbërit në fund të shekullit XII, me qendër në Krujë, e cila është quajtur “Principata e Arbërit” sipas titullit të marrë prej njërit prej krerëve të saj, Dhimitrit, në vitin 1208. I themeluar nga i ati i këtij, Progoni, në periudhën e sundimit të Dhimitrit Principata arriti kulmin e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së saj si formacion shtetëror, i ngjashëm me modelet feudale europiane të kohës. Në këtë vështrim Principata ka pasur edhe kancelarinë e vet, si një zyrë e domosdoshme e një qeveritari, përgjegjëse për korrespondencën dhe dokumentacionin zyrtar. Gjuhët e përdorura për komunikimin zyrtar të Principatës së Arbërit ishin gjuhët ndërkombëtare të mesjetës, latinishtja mesjetare si lingua franca dhe gjuhë e kulturës, e shkencës dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare të botës perëndimore, dhe greqishtja mesjetare, si gjuhë zyrtare e Perandorisë bizantine, pjesë e të cilës ishte, deri në vitin 1204, edhe shteti i Arbërit. Këto dy gjuhë takoheshin pikërisht në këtë zonë të Ballkanit perëndimor ku shtrihej Principata e Arbërit, në kufirin e quajtur “linja e Jireçekut” sipas historianit të shquar medievist çek. Në Shqipërinë qendrore bashkëjetonin edhe kulturat dhe besimet fetare që përfaqësonin këto dy gjuhë: tradita bizantine që vazhdonte të ekzistonte në përdorimin e shkrimit në greqisht dhe në titujt bizantinë brenda mjediseve katolike dhe ndikimi latin që vinte nga perëndimi dhe nga veriu dalmato-adriatikas. Dëshmi tipike për këtë bashkëjetesë ndikimesh është mbishkrimi dygjuhësh, latinisht e greqisht, i varrit familjar të sebastit Mihal Sguro në kishën e Shën Mërisë së Brrarit. Titullari i varrit mban një titull bizantin, pra është nën varësinë e administratës së Bizantit, ndërsa varri ka arkitekturë latine dhe gjendet në një kishë katolike-romane. Latinisht është edhe mbishkrimi tjetër i rëndësishëm i Gëziqit në Mirditë, në të cilin dalin emrat e sundimtarëve të Arbërit, Dhimitrit e Progonit.

Nga letërkëmbimi zyrtar i Principatës së Arbërit kemi të dhëna për dy dokumente që mbajnë autorësinë e Dhimitrit të Arbërit. Kronologjikisht dokumenti më i hershëm është i vitit 1208, me anë të të cilit Dhimitri i kërkon papës Inocenti III ta pranonte atë dhe popullin e tij në kishën e Romës, me qëllim që të siguronte ndihmën e Papës kundër Venedikut që po rrezikonte principatën. Letra e Dhimitrit drejtuar Inocentit III duhet të ketë qenë hartuar në latinisht, nisur nga vetë përmbajtja dhe qëllimi i letrës. Ky dokument nuk është gjetur, por deduktohet nga përgjigjja e Papës drejtuar Dhimitrit.

Dokumenti i vetëm që na ka arritur nga veprimtaria e Principatës së Arbërit është Marrëveshja tregtare e Dhimitrit me republikën e Raguzës. Dokumenti është gjithashtu në latinisht dhe i përket vitit 1210. Ai është hartuar në kushtet e nevojës së Principatës së Arbërit për lidhje miqësore dhe marrëveshje me fqinjët për të përballuar kërcënimin që vinte nga Venediku. Këto letra flasin për një veprimtari diplomatike të shtetit të parë shqiptar, që ka qenë më e gjerë se kaq, po të kemi parasysh edhe një marrëveshje të mundshme që duhet të ketë bërë kreu i tij për forcimin e lidhjeve me Despotatin e Epirit.

Fatkeqësisht dokumentacioni, sado i paktë, i Principatës së Arbërit nuk u ka mbijetuar rrebesheve të kohës, ashtu si dhe shumica e shkrimeve në Shqipëri, të cilat i ka ndjekur ndeshtrasha e keqe e djegieve, mbytjeve në lumë, humbjeve në mënyra nga më të ndryshmet (kujto gramatikën e Ndre Bogdanit që “treti si krypa nd’ujë” apo barrën me dorëshkrime të Pjetër Budit që u mbyt bashkë me të në lumin Drin) njësoj si autorët apo ruajtësit e tyre të përndjekur nga pushtuesit.

Me gjithë mbizotërimin e kulturës dhe gjuhës latine, ndikimi kulturor bizantin në trevën e Arbërit ka vijuar deri në prag të pushtimit turk. Mbas vdekjes së Dhimitrit Principata e Arbërit ra përsëri nën vasalitetin e Despotatit të Epirit e pastaj nën Perandorinë Bizantine të Nikesë. Pasardhësi i Dhimitrit në sundimin e Arbërit, Grigor Kamona, në letërkëmbimin e tij me kryepeshkopin e Ohrit Dhimitër Komatianin përdor gjuhën greke dhe në të njëjtën gjuhë janë shkruar edhe përgjigjet e këtij të fundit.

Megjithatë, ndikimi grek nuk u shty më lart sesa Kruja. Në vitin 1197 peshkopata e Krujës kaloi në duar katolike. Që nga shek.XII përvijohet qartë ndarja e katolicizmit me ortodoksinë në zonën Durrës-Krujë. Veriu i Shqipërisë hyn, ose rikthehet pas pesë shekujsh, përfundimisht në sferën e ndikimit latin.

Që nga gjysma e dytë e shek. XII në veriun e Shqipërisë, nga Durrësi deri në Raguzë, fillon të depërtojë edhe shkrimi në gjuhën sllave, i cili vjen që nga ishulli Veglia i Dalmacisë gjatë bregdetit deri në Ulqin. Më pas, me pushtimet serbe në shek. XIV shkrimet në gjuhën sllave erdhën duke u përhapur nga veriu në jug deri në rrethin e Durrësit, madje deri në Vlorë, duke konkurruar fort latinishten si gjuhë e dokumentacionit zyrtar.

Ç’mund të themi për gjuhën shqipe në këtë periudhë paraletrare të saj? Ndërsa gjuhë letrare e zyrtare e shteteve dhe principatave që përfshinin territoret arbërore ishin dy gjuhët ndërkombëtare të kohës, madje edhe sllavishtja si një gjuhë e stabilizuar letrare dhe kishtare që nga shekulli IX, popullsia në shumicë shqiptare e këtyre trevave fliste gjuhën shqipe. Për ekzistencën e gjuhës shqipe kemi dëshmi të drejtpërdrejta që fillojnë nga shekulli XIII, por edhe të dhëna të tërthorta.

Dëshminë më të hershme për ekzistencën e gjuhës shqipe e kemi jashtë kufijve të Shqipërisë, në Raguzë, ku në shekullin XIII duhet të ketë pasur një bashkësi shqiptare. Në vitin 1284 gjatë hetimit të një rasti grabitjeje atje është regjistruar kjo fjali e një dëshmitari të ngjarjes: Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua Albanesca. Jo shumë kohë mbas kësaj dëshmie, kemi njoftimin e Anonymi descriptio Europae Orientalis (1308) që tregon se gjuha shqipe nuk ka lidhje afërie me asnjërën prej gjuhëve fqinjë: “habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus”. E fillimit të shek. XIV është edhe dëshmia e arqipeshkvit francez të Tivarit, Guljelmit të Adës, i cili në vitin 1332 shkruan: Licet albanenses alliam omnino lingua a latinam habent et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnis suis libris.

Ndër të dhënat e tërthorta janë dëshmitë për ekzistencën e “këngëve luftarake dhe të fitoreve” që thur populli për ngjarjet e rëndësishme të kohës, apo dëshmitë e historianëve Antonio Sabellico e Marin Barleti për këngët epike për Skënderbeun. Vetë eposi legjendar shqiptar me zanafillën e tij të hershme mesjetare është një dëshmi për ekzistencën e një tradite gojore për përshkrimin e ngjarjeve historike e shoqërore.

Një të dhënë të tërthortë për gjuhën e vendit në Arbër mund ta marrim edhe nga letra e Inocentit III si përgjigje e kërkesës së Dhimitrit për ndihmë. Papa propozon të dërgojë në Arbër fillimisht arqidhjakun e latinëve të Durrësit, Nikollën, bashkë me peshkopin e Arbërit, Palin, për të mësuar shpejt gjërat kryesore të fesë para se të vijë i dërguari që do të zhvillojë mësimet e fesë në popull, ose edhe vetëm ndër krerët e Arbërit. Në ç’gjuhë do të predikonte Nikolla në Arbër? Për shkak të nevojës së kishës që populli të kuptonte çfarë thuhej, Koncili i Turit vitit 813 u dha legjitimitet gjuhëve popullore (vulgare) për sa i përket predikimit, ndërsa omelia (paraqitja dhe komenti i ungjijve) mbetej në gjuhën latine. Justin Rrota, duke arsyetuar fragmentin e Perikopesë së ungjillit të Pashkëve në shqip, ndoshta të shek. XVI, përmend zakonin shumë të vjetër, “ab immemorabili”, sipas të cilit mbas leximit në gjuhë liturgjike, këndohej edhe në gjuhë të popullit Ungjilli i së dielës. Më tej, në kushtet e përplasjeve fetare midis kishave të Perëndimit e të Lindjes në Shqipëri, me ndarjen e kishave mbas shek. XI (1054), ishte e nevojshme që propagandistët fetarë t’i drejtoheshin popullit në gjuhën e vet. Në këtë hulli gjykimi mund të mendohet që arqidhjaku Nikollë dhe peshkopi Pal të kenë mbajtur predikimet paraprake në gjuhën e vendit, ndërsa mësimet e legatit të Papës mund të jenë transmetuar me përkthim. Kjo duket e nevojshme po të kemi parasysh të dhënat për shkollimin e krerëve laikë në Shqipëri. Sipas dëshmive që jep I. Zamputi, në shek. XVII “në gjithë Shqipërinë a janë a s’janë dhjetë të krishterë shekullarë që dinë të lexojnë…”, dhe se krerët pjesëmarrës të kuvendeve të shekujve XVI-XVII nuk dinin as të shkruanin emrin e vet.

Për sa i përket shkrimit të gjuhës shqipe, duhet të krijoheshin kushtet e përshtatshme kulturore e politiko-kishtare për nismat individuale si ajo e Gjon Buzukut që shënoi fillimin e traditës letrare në gjuhën shqipe që nga shekulli XVI. Ky është shekulli i periudhës kulmore të Rilindjes evropiane (Renaissance) dhe njëkohësisht i lëvizjes politiko-fetare të Reformacionit që shënoi fillimin e përkthimeve biblike në gjuhët popullore. Brenda vendit ishin rrethanat e pushtimit osman me rrezikun e përhapjes së fesë së tij që rizgjuan elementet e vetëdijes kombëtare dhe nxitën nevojën e ruajtjes së krishtërimit nëpërmjet propagandimit të fesë në gjuhën e vendit.