Aktori, Aleksandër Rrapi, “Qytetar Nderi” I Beratit

745
Sigal

Në sallën e konferencave të bashkisë u organizua sot ceremonia zyrtare e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI”, aktorit të mirënjohur beratas, z. Aleksandër Rrapi.

Për kontributin dhe arritjet e tij në kinematografinë shqiptare dhe atë të shtetit fqinj, Greqisë, interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve në skenën e teatrit grek, pjesëmarrjet në festivalet ndërkombëtare të teatrit, por edhe si Ambasador i Paqes, duke dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e miqësisë, si dhe të bashkëpunimit të ndërsjelltë kulturor midis Shqipërisë dhe Greqisë, Këshilli Bashkiak i Beratit i akordon z. Aleksandër Rrapi titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Merrnin pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, artistë, intelektualë, qytetarë etj. Ishin të pranishëm gjithashtu aktori i humorit, Agron Llakaj, aktorët Jorgaq Tushe, Anila Bisha, këngëtari Ylli Bakaj, miq dhe të afërm të aktorit.

Në përshkrimin e biografisë së Aleksandër Rrapit, drejtuesi i kësaj ceremonie, Kadri Kuka, prezantoi përpara të ftuarve të kësaj ceremonie përmes një videoklipi një mori rolesh të interpretuara prej tij, që nga telenovela greke “Dashuria erdhi nga larg”, tragjedinë e Euripidit “Eleni”, komedinë e Sofokliut “Irini”, telekomeditë “Tilebora”, “Polikatikia””Nerajadha” etj. e deri te filmat “Askushi”, “Amnistia” etj.

Pas prezantimit të jetëshkrimit të z. Rrapi, drejtuesi i ceremonisë fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, bashkë me Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. Aleksandër Rrapi titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Kryebashkiaku Sinaj në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi figurën e aktorit beratas në fushën e kinematografisë, ku përmes roleve të spikatura, mjeshtërisë artistike të interpretimit, ai ka mundur të gdhendë tipa e karaktere, të cilat do të mbeten si pjesë e çmuar e trashëgimisë sonë kulturore. Ajo që Aleksandri ka bërë me veprën e vet, – tha midis të tjera Kryebashkiaku Sinaj, – na bën të ndihemi krenar që një banor i këtij qyteti lë gjurmë në një skenë si skena greke, apo përtej saj, kudo që ai jeton e punon, duke promovuar vlerat e traditës, të artit dhe të kulturës së qytetit tonë.

Aktori Aleksandër Rrapi në fjalën e tij, përmes emocioneve, pasi shprehu falenderimet e tij për Këshillin Bashkiak dhe për Kryetarin e Bashkisë për vlerësimin që i bëjnë, tha se ndihej i privilegjuar që qyteti i tij i jepte një titull të tillë, duke dëshmuar edhe njëherë dashurinë e tij për artin, trashëgiminë dhe kulturën.

Shprehën konsideratat e tyre për Aleksandër Rrapin, kolegët e tij, si: Agron LLakaj, Anila Bisha, Jorgaq Tushe, Ylli Bakaj, si dhe miku i tij i fëmijërisë, mjeku, Artur Habilaj.

Në fund të ceremonisë, për të pranishmit u shtrua një koktej.