Akademiku Rexhep Qosja shpallet fitues i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024

61
Sigal

Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe esestikës.

Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Kryetarja e jurisë, Belina Budini e vlerësoi veprën e akademikut Qosja si një dokument të vetëdijes kombëtare.

Anëtarja e jurisë, Rudina Xhunga e vlerësoi këtë vepër si një monument të shqipes që na pasuron dhe na bën krenarë e mirënjohës.

Për arsye shëndetësore, akademiku Rexhep Qosja nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por nëpërmjet një videomesazhi ai falenderoi jurinë për vlerësimin dhe çmoi figurën e Lumo Skëndos.

10 finalistët e këtij edicioni ishin:

Rexhep Qosja me veprën “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”;

Pirro Loli me veprën “Unë jam një tjetër”;

Luan Rama me veprën “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”

Bedri Islami me veprën “Kadare i oborrit apo i lirisë”

Sherif Bundo me veprën “Dollia shqiptare”;

Arben Imami me veprën “Kushtetuta”;

Viola Isufaj me veprën “Baladë dritash për Zorbën”;

Edlira Cerkezi me veprën “Mitet dhe raporti me letërsinë artistike”;

Enis Sulstarova me veprën “Samiu dhe Utopia”;

Stefan Çapaliku me veprën “Post scriptum – studime kulturore”;

Një vit më parë, fitues i Çmimit Lumo Skëndo ishte Ilir Ikonomi me librin “Fan Noli”- Apostulli”;

Dy vite më parë, fitues i Çmimit Lumo Skëndo ishte Ben Blushi me librin “41 Sekrete”;

Ndërsa tri vite më parë, që u mbajt edhe edicioni i parë, fituese e çmimit Lumo Skëndo për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2021 ishte Lea Ypi me librin “Të lirë”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin njerëz të letrave në vend si botues, studiues, shkrimtarë etj.

Më poshtë fjala e akademikut Rexhep Qosja:

“Falenderoj përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, që veprën time “Për lirinë, të Vërtetën dhe të Drejtën”, e kanë shpallur Vepra më e Mirë Publicistike dhe Eseistike për vitin 2024, duke e shpërblyer me Çmimin “Lumo Skëndo”, që është pseudonim i Mit’hat Frashërit.

Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime në fjalë, është nderim i veçantë që më dhurohet, në moshën në të cilën jam. Është kënaqësi për mua, që këtu përpara jush, të mund të them disa fjalë për Lumo Skëndon, për Mit’hat Frashërin.

Ai ishte nip i Naimit dhe Sami Frashërit. Ai ishte pjestar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai, përpos me pseudonimin e shumëpopullarizuar Lumo Skëndo, ishte i njohur edhe me pseudonimet Mali Kokojka dhe Ismail Maloismani. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, ishte personalitet me dhunti, me kërshëri dhe me ide të gjithmonëshme krijuese. Ai ishte vepritar politik dhe diplomatik, udhëpërshkrues, përkthyes, bibliofil. Ai studio farmacinë, por nuk e pëfundoi dhe nuk e përfundoi, në rradhë të parë, për arsye se gjithë interesimin e tij, më parë se shëndetit trupor, ia kushtoi shëndetit mendor, më parë se pasurisë trupore e shëndetësore, ia kushtoi pasurisë mendore.

Frut i përkushtimeve të tilla, të hershme janë revistat e njohura “Liria” dhe “Dituria”. Ai morri pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh edhe kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ai morri pjesë, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, si përfaqësues i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, së bashku e Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin dhe Salih Gjukën. Ai ishte anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919-1920. Ai përfaqësoi Shqipërinë, në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1920. Ai, që herët e filloi bashkëpunimin me revistën “Albania” të Faik Konicës, ku botoi shkrimin e tij të parë, kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Një vit më vonë filloi bashkëpunimin me Kristo Luarasin dhe revistën e tij enciklopedike “Kalendari Kombiar”, një botim shumëvjeçar dhe me shumë e shumë e shumë shkrime të Lumo Skëndos. Më 2014-ën do të botohej në 4 vëllime solemne nga Fondacioni “Al Sar”

Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, në këtë kohë, e filloi botimin e një vargu veprash shqipe dhe frengjishte, historike, politike dhe letrare, siç janë “Naim Frashëri – Jetëshkrim”, “Pritmi i Shqipërisë”, “Popullsia e Epirit”, “Shqipëria dhe shqiptarët”, “Shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”, “Shqiptarët dhe sllavët”, “Plagët tona”, “Hijë dhe shpuzë”, “Letra mbi një udhëtim në Zvicër”, etj, etj. Njëkohësisht, ka shkruar për Lidhjen e Pejës, për Kongresin e Elbasanit, për Kongresin e Manastirit, për Kongresin e Dibrës, për shkollën e lavdishme Normale, për Luftën e Parë Botërore dhe për ngjarje të tjera shumë të rëndësishme historike, kulturore dhe politike.

Ai, në vitet 1936-1939, në Tiranë, hapi lribrarinë e famshme “Lumo Skëndo”, me 40 mijë tituj. Në kohën e komunizmit, kjo librari u privatizua dhe praktikisht, kjo bibliotekë mbeti pa formuesin e saj, pa ideologun e saj, pa krijuesin e saj, Lumo Skëndon e lavdishëm.

Fatin e tillë të librave të tij, vetë Lumo Skëndo nuk e provoi. Prej Shqipërisë largohet, në vitin 1944, dhe kalon në Itali dhe prej Italie, në Londër, ku krijoi Komitetin Shqipëria e Lirë”. Në vitin 1947 Lumo Skëndo shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse vizën amerikane e morri në vitin 1949.

Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, i lindur më 25 mars 1880, u nda nga jeta më 3 tetor 1949, d.m.th në moshën 69 vjeçare, nga një sulm kardiak, gjatë udhëtimit nga Long Island, për në Neë York. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo nuk la pasardhës a pasardhëse, nuk ishte i martuar.

Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, i ndarë nga jeta, sot prehet me lavdi të amshueshme, historike, mbarëkombëtare, në Tiranë, në Tiranën, në kryeqytetin e Shqipërisë, në të vërtetë në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, kudo janë ata sot, duke ia shtuar ashtu përjetësisë, amshimit të familjes zëmadhe të Frashëriotëve.