Kastriot Caka: 80 vjetori i lindjes së Ilmi S.Qazimit

45
Sigal

Këto ditë miku ynë, ish-ushtaraku i lartë dhe Nën/Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Ilmi Qazmi mbushi 80-vjet. Pra tetë dekada jetë! Kur e shikon me energjitë që ka, me shkrimet që bën, me vullnetin dhe freskinë e mendimit, kurrsesi mosha nuk e tregon kaq. Ilmiu njihet si një ndër oficerët e zbulimit më të aftë të ushtrisë shqiptare, por edhe një ndër anëtarët më aktivë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” ku është dhe Nën/Kryetar i Kuvendit. Në këto dekata jete, ai është dalluar si një intelektual kurajoz, si një njeri i lidhur me librin dhe me aktivitetet me karakter kombëtar. Pena e tij ka sjellë në organet e shtypit shqiptar kryesisht në gazetën “Telegraf”, figurat më të shquara të krahinës së Skraparit, por dhe arritjet, hallet dhe shqetësimet e kësaj krahine patriotike. I thjeshtë, i dashur, korrekt ai flet me punë dhe me penë dhe me buzëqeshjen karaktersitike që të mbush me optimizëm duke filluar nga familja e tij, bashkëfshatarët, bashkëqytetarët, për trevën dhe idealet kombëtare.

-Intervistë -jetëshkrim nga Kastriot Caka-

Kastriot Caka

Pyetje: Keni lindur më 10.06.1945, në Çepan. Jeni martuar, keni dy djem e dy vajza  dhe jeni “graduar “ shtatë herë gjysh; a mund të na thoni diçka për arsimimin tuaj?

Përgjigje: sistemi ekonomiko-shoqëror socialist që e jetova plotësisht, Partia e Punës dhe pushteti popullor, më krijuan mundësi që të kryej pa pagesë,19 vjet shkollë, veç kualifikimeve të tjera  kohëshkurtra; të gjitha me rezultate shumë të mira.

– Ish-Shkolla fillore dhe ajo shtatëvjeçare “Hysen Zyka”, Çepan, Skrapar.

– Ish-Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” (katër vjet).

– Ish-Shkolla e Lartë Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” (dy vjet).

– Ish -Akademia ushtarake “Mehmet Shehu” (dy vjet).

– Ish-Shkolla e Lartë e Partisë “V.I.Lenin” (dy vjet) , pa shkëputje nga puna.

– Ish -Shkolla e diplomacisë (dy vjet).

Gjuhë e huaj: Anglisht (me të folur e me shkrim) dhe Rusisht (elementet bazë);

Pyetje:Çfarë detyrash keni kryer në jetën tuaj?

Përgjigje: mendoj se është më e drejtë të pyesni nëse ke qëndruar pa punë ndonjëherë dhe cilat punë ke bërë me dhe pa pagesë, mbasi prej 20 deri 80 vjeç, nuk kam pasur asnjë ditë pa punuar. Punët që kam kryer :

Detyra në ushtrinë shqiptare: (1965-1995)

-Komandant toge zbulimi;

-Komandant kompanie zbulimi, këmbësorie, tankesh;

-Shef shtabi batalioni zbulimi, këmbësorie .

-Instruktor i zbulimit me trupa ,edukimi, për stërvitjen, për gadishmërinë, për taktikën e zbulimit.

-Pedagog në Akademinë Ushtarake”Mehmet Shehu” ,(vetëm dy muaj).

-Komisar i detashmentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare -1 vit.

-Komisar i Regjimentit të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. – 2 vit.

-Komisar i shkollave ushtarake të kuadrove rezervistë të ushtrisë Zall-Herr dhe Shkodër 15 vjet.

Detyra pas daljes në lirim me reformë ushtarake 1995-2006:

– qofteshitës i punësuar tek një llamarinist shkodran;

– rrecka dhe bombolashitës i punësuar tek një elektriçist shkodran;

– roje në polici private në ndërmarje private zhavori, betoni, ndërtimi dhe në ambasadat kanadeze e holandeze në Shqipëri (Tiranë);

– bilbliotekar në rep.usht.nr 6624 (Rrapi i Treshit) Tiranë;

– pensionist i aktivizuar në veprimtari shoqërore, atdhetare, publicistike, letrare, vitet 2000 deri 2025;-pa asnjë lloj pagese, por me harxhime prej pensionit.

Pyetje:A keni pasur dekorata  dhe vlerësime:

Përgjigje: Po!Urdhëri “Ylli i kuq” klasi i dytë; viti 1978;Urdhëri ”Shërbimi ushtarak” klasi i tretë; viti 1988;Shtatë “Letër dhe fletë lavdërimi”, në vitet 1952-1965; Pesë Certifikata” nderuese”, në vitet 2009-2022; Shtatë Certifikata “ mirënjohjeje” në vitet 2015-2024; Certifikatë “Nxënës i shekullit” , 2013, me rastin e 100 vjetorit të shkollës së Çepanit;

Pyetje:A jeni ndëshkuar në jetën tuaj?

Përgjigje:Ndëshkimet që më janë dhënë :- dy orë ndalim disiplinor (viti 1963);- paralajmërim për shkarkim nga detyra (1980);- gjobë njëqind lek (1984);- vërejtje e lehtë me shënim në kartën e regjistrimit si anëtar partie,1974;

Pyetje: A mund të dimë disa përkatësi, prirje, parapëlqime, deviza, mesazhe tuajat?

Përgjigje: Ju faleminderit! Po mundohem të cilësoj disa syresh, sipas alfabetit shqip.

Armët e jetëgjatësisë: punë, ushqim, lëvizje; vetëm me regjim e disiplinë.

Aktorët më për zemër: Aleksandër Moisiu, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Rikard Ljarja, Sandër Prosi,

Cila është, sipas jush, ndjenja, që i duhet domosdoshmërisht çdo njeriu? Është dashuria

Cilësia që vlerëson më shumë te njeriu: Disiplina dhe aftësia për të njohur secili vendin e vet në rreshtin human shoqëror;

Cilat janë themelet e edukimit të njeriut, nga përvoja juaj? Familja, shkolla, puna me plan, disiplinë e kontroll. Për mua janë Çepani dhe Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

Deviza: Jeta është punë e luftë; është dhimbje.

Dëshira më e madhe e realizuar: Të bëhem katër herë gjysh me gjallje;

Figura që iu referohem gjithnjë: K.Marksi. V.I.Lenin, Enver Hoxha, Kahreman Ylli; dhe herë pas here: Mao Ce Dun, Martin Luter King, Indira Gandi, Albert Ajnshtajn,

Humoristët jetëdhënës: Cekja, Zef Deda,

Insekti më i dashur: Bleta;

Këngëtarët që rrezatojnë ngrohtësi diellore me zërin e tyre: Demir Zyko, Mentor Xhemali, Vaçe Zela, Ilir Shaqiri…

Kë merrni për udhërrëfyes në udhëkryqe të jetës? Pasi marr mendimin racional të bashkëshortes, pyes veten:”Si do ta zgjidhnin këtë problem prindërit e mi?”

Kafsha që simpatizon: Rrëqebulli;

Kënga më e pëlqyer popullore shqiptare: “Mos pandeh se u harrove…”

Kryekrenaria: së pari, Shqipëria; së dyti, fshatlindja ime; së treti, familja ku bëj pjesë që i ka dhënë atdheut edhe një gjeneral me tre yje e ambasador të devotshëm e të përkushtuar;

Krenaria: Të qenit skraparli; katër fëmijët tanë; pesë mbesat dhe dy nipërit;

Lulja e shpirtit: Violeta ;

Mendimi i pakrehur: Dysho për çdo gjë;

Melodi e muzikë nga popujt e botës parapëlqej ato: iraniane, ruse, kongoleze,indiane.

Na thoni diçka për Shoqatën “Tomorri”: Është nder dhe përgjegjësi që të jesh anëtar i kësaj shoqate mbi njëqind e njëzet vjeçare me veprimtari të thekur atdhetare, kulturore dhe përbashkuese kombëtare. Shoqata jonë do të rrojë gjatë si mali i Tomorrit, po qe se anëtarësia dhe kryesia e saj do të udhëhiqen vetëm nga interesat që frymëzon Mali i Baba Tomorrit: Unitet për të mirën e kombit, gjuhës,lirisë, fesë tonë që është shqiptaria, sa më larg egos dhe interesave të ngushta të individit.

Ngjyra e shumpëlqyer: Vetëm e kuqja ;

Ndjehem i lumtur që kam pasur vëllezër të mirë, nga të cilët Latifi ishte i përveçëm;

Ndjehem borxhli ndaj motrës së vetme se e njoha me vonesë;

Parimi bazë i jetës: Lënia e gjurmëve të mira;

Pasioni: Poezia;

Pasuria: Vetëm emri;

Pema që respektoj më tepër: Lisi;

Përkatësia fetare: Vlerësoj shumë bektashizmin,por në tërësi ateist;

Përkatësia partiake: 1964 -1990 anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë; 1990-deri në fund të jetës anëtar i asnjë partie; por me bindje komuniste.

Pija më e afrueshme: Raki rrushi e vërtetë Skrapari 19.5 gradë;

Porosia për pasardhësit: Kurrë mos mohoni origjinën dhe vendlindjen! Duajeni dhe mbrojeni njëri-tjetrin!Çani duke qenë bashkë!

Sporti që pëlqej më shumë: Futbolli dhe ski; ushtroj lojën e shahut.

Shenja zodiake: Binjakët;

Shkrimtarë e poetë frymëzues: Naim H.Frashëri, Fan S.Noli, Migjeni, Xhevahir Spahiu, Dritero Agolli, Pablo Neruda,Xhek London, Maksim Gorki, Viktor Hygo, Janis Ricos,

Shpendi i zemrës: Shqiponja;

Ushqimi i pamërzitshëm: Sallata jeshile;

Urrejtja më e shfrenuar: pushtuesit e çdo lloji;hipokritët, servilët,vandalët,tradhtarët.

Vesi që urrej më shumë: Ryshfeti dhe imoraliteti, qofshin meshkuj apo femra, dhënës apo marrës;

Pyetje: A keni ndonjë gjë të veçantë nga jeta juaj prej tetë dekadash?

Përgjigje: Të veçanta të këtyre 29.220 ditëve që kam jetuar deri tani, do të thosha fare pak:

-të parën e të vetmen fotografi si civil e kam të moshës 12 vjeç, në fshatin e lindjes;

-nuk kam mbajtur kurrë portofol; Lekë as nuk kam pasur e as nuk më kanë munguar;

-kam pirë vetëm tre cigare në tërë jetën time;

-jam dehur me shokët e punës me raki vetëm tre herë;

Pyetje: A mund të na thoni ndonjë fjali apo ide gjithëpërfshirëse?

Përgjigje: Për këndvështrimin tim nuk ka të tillë, mbasi edhe lulja më e bukur, me erën më të këndshme i ka rrënjët në fekale.

Pyetje: Ndonjë peng?

Përgjigje: Po! Nuk e zbulova dot të vërtetën e enigmës së vdekjes së vëllait tim 27 vjeçar Latif Fodulli  që ndodhi në vitin 1967.

Pyetje: Si e keni pasur ecurinë e gradave ushtarake?

Përgjigje: Gradat ? Eeehhh! S’i kam dashur kurrë!? Dava gradash!?:1959-1966: tetar, rreshter, nëntoger;1966-1991: ushtria shqiptare nuk kishte grada; 1991-1995: major; kolonel-por nuk e gëzova sepse ai vendim më gjeti  pikërisht atë kohë kur u suprimua funksioni i komisarit, detyrë në të cilën punova afër 16 vjet;pas disa transferimesh me ulje të pajustifikuar,me nxorrën në lirim në rrugë.

Pyetje: Po pastaj?

Përgjigje:U vetpunësova siç e thashë ma lart. Në vitin1999 erdhëm familjarisht me banim në Tiranë, ku me shumë vështirësi të panjohura, si për të gjithë intelektualët e asaj kohe, ndërtuam jetën duke punuar me ndershmëri dhe pa u ingranuar aspak në organizime politike.

Pyetje: cilat janë librat tuaj në qarkullim?

Përgjigje:

  1. Ftesë në të verdhë, poezi, 2003;76 faqe.
  2. I bukuri Çepan, poezi, 2005;112 faqe.
  3. Tomorri në zemër, album poetik e fotografik,2006; 64 faqe.
  4. Mirëmbrëma Shqipëri, poezi,2006;96 faqe.
  5. I bukuri Çepan, ribotim i përmirësuar, poezi,2008;118 faqe.
  6. Kastriot Koçi , besniku, fisniku- me bashkautor Mehmet Dume, monografi,2009;166 faqe.
  7. Dielli sheh ëndrra , Hëna pikturon, poemë,2011; 64 faqe.
  8. Latif Fodulli, monografi,2011;210 faqe.
  9. Çepani,monografi për fshatlindjen,2015; 568 faqe.
  10. Qemal Isa Koxhaj, monografi ,2018;248 faqe.
  11. Çokollata në ashensor, skica,tregime,përjetime në Kanada; 2019; 78 faqe.
  12. Bretkosa, akrepi, miu, fabula,2020;88 faqe.
  13. Zërat e zogjve, përjetime,2021; 96 faqe.
  14. Çemberbardha engjëllore, monografi,2022;154 faqe.
  15. Heroi i Punës, Izet Dashi,me bashkautor Nazmi Çela,monografi,2023,276 faqe.

Pyetje: emri juaj është dëgjuar për vite me radhë, në disa organe mediatike në print dhe on-line; a mund të na thoni diçka rreth botimeve tuaj publicistike letrare?

Përgjigje: Është e vështirë përgjigja; më duket të kërkoj falje ngase do përdor vetën e parë numuri njëjës disa herë. Jashtë dhe larg mburrjes: shkrimi i parë, nëntor 1959, gazeta kombëtare “Pionieri”; Shkrime në vijim: në shtatë organe mediatike të viteve 1959-1990, ushtarake e civile; në njëzetenjë organe me shpërndarje kombëtare të viteve 1990-2025; në pesëmbëdhjetë organe mediatike lokale nga Dukagjini e Shkodra gjer në Devoll e Përmet, ku vendin kryesor e ka zënë “Dielli i Tomorrit”; në tre organe  mediatike jashtë shtetit, Amerikë, Suedi e Kroaci; në pesë gazeta on-line ku vend të rëndësishëm kanë zënë “Telegraf”, “Sot”,”Dita” dhe”Orakujt e Tomorrit“ ; Shkrimet publicistike, tashmë edhe të koleksionuara, llogariten në 978 tituj, ku ato për njohjen e mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, zënë vendin kryesor. Gjithashtu kam bërë edhe disa përkthime nga gjuha angleze, e si më i suksesshëm ka qenë artikulli i gjatë  “Shqiptarët në Ushtrinë e Napoleon Bonapartit”. Kam botuar me emrin tim zyrtar në mbi 98 përqind të shkrimeve, por më është dashur edhe pseudonimi, ndaj kam përdorur 26 të tillë, veçanërisht në gazetën”Humori Shkodran”. Në vitet 2000 gjer 2004 në Tiranë, së bashku me Muharrem Abazin kemi përgatitur, botuar dhe shpërndarë në tërë republikën revistën argëtuese “Reflex”, koleksioni i së cilës prej 49 numurash, rastësisht është djegur. Në periudhën dhjetor 2011 deri 2016 kam drejtuar, redaktuar e botuar në Tiranë dhe shpërndarë në tërë republikën, gazetën “Çepani” organ i Shoqatës Atdhetare Kulturore“Çepani”; koleksion  i saj ndodhet në Bibliotekën Kombëtare. Në “Berati-Enciklopedi”, botim Jonalda e Z.Plakut kam dhënë ndihmesë prej 23 zërash (frymorë) dhe në Fjalorin Enciklopedik Ushtarak Shqiptar botim në Prishtinë, kam 14 zëra(frymorë). Kam kryer redaktimin e tetë librave monografikë, kam realizuar njëzetekatër recenca letrare të autorëve të ndryshëm shqiptarë dhe kam sistemuar e përgatitur për botim nëntë vëllime nga vepra letraro-artistike dhe inxhinierike e Latif Fodullit, tre nga të cilët janë botuar. Janë në proces botimi edhe jo pak libra të tjerë me tematikë jetën që jetova në dy sistemet ekonomiko-shoqërore, socializmin aq të përparuar të kohës së luftës së ftohtë dhe kapitalizmin e egër të kohës së globalizmit gllabërues.

Pyetje: Si e shikoni të ardhmen?

Përgjigje: Ashtu siç ua thashë në krye të bisedës, duke shtyrë të pashmangshmen me optimizëm, punë, lëvizje, disiplinë dhe përshtatje të natyrshme për të lënë vetëm gjurmë të mira për ata që vijnë pas; për të ndikuar në mosasimilimin e gjuhës, kulturës, traditës, truallit dhe kombit tonë.

Pyetje : Ju lutem një mesazh për lexuesit:

Përgjigje:  Jeta është dhuratë e njëherëdhënëshme; ajo kuptohet vetëm kur hedh sytë pas nga je nisur dhe si ke ardhur deri këtu; dhe jetohet kur shikon pandërprerje vetëm përpara me optimizëm e punë të ndershme në shërbim të atdheut, familjes, shoqërisë.

Ju faleminderit dhe ju uroj të kaloni qindin.

Ju faleminderit Juve; më mirë aq vite sa të mos bëhem bezdi për askënd.