Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit ka shtyrë vendimin për drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda Donika Prelën. Vendimi është shtyrë për në datën 5 shkurt.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë!”- thuhet në njoftimin e KPK-së.
Kujtojmë se KPK konstatoti probleme me deklarimin e pasurisë. Shkelje janë vërejtur në blerjen e një apartamenti në Durrës dhe të një sipërfaqe toke në kryeqytet.
Drejtuesja e Krimeve të Rënda deklaroi se ka blerë një apartament në vitin 2007, me sipërfaqe 95.6m2 me vlerë 32.100 euro.
Objekti është shitur disa vite më pas me një çmim prej 80 mijë eurosh. Për këtë është vlerësuar se ka një mospërputhje mes çmimit të tregut dhe atij që ishte deklaruar.
Po sipas raportit të KPK, për disa vite gjatë harkut 2003-2011, bashkëshorti i saj ka punuar si inxhinier pa kontratë punë, është paguar me para cash dhe nuk ka paguar tatime dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Vetë Prela kundështoi faktin. Sipas saj, ndonëse pa kontrata formale, shoqëria kishte paguar sigurimet për të shoqin, pa i cënuar pagën neto. Prela foli edhe për një padi kundër shoqërisë së ndërtimit, për detyrimet e papaguara.
Në këtë pikë këmbënguli edhe vëzhguesi i ONM në sallë, Theo Jacobs. Përmes një metafore, ai tha se kjo situatë e mospagimit të taksave i linte një shije të keqe, si ajo që të mbetet në gojë pas konsumimit të një ilaci në mëngjes.
“Pse bashkëshorti juaj është paguar në cash në 2003-2009? Ai ka pasur llogari bankare. Kjo mund të duket pyetje pa vend, por kjo reduktohet kur nuk janë paguar as taksat. Si për koincidencë për pagesat cash nuk janë paguar taksa, ndërsa për ato në banke po. Bashkëshorti juaj është viktime në këtë skemë shmangie taksash, apo është pjese e saj?”, pyeti Jacobs.
Prela nga ana e saj tha se është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. “Në këtë rast të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”, tha titullarja e Krimeve.
Vëzhguesi Jacobs shprehu habi edhe për një borxh të marrë në vitin 2007 pa asnjë akt shkresor tek një i afërm i bashkëshortit të prokurores. Prela tha se në realitetin shqiptar të kohës nuk çohej ndërmend formalizimi i një borxhi tek një i afërt.
Gjatë hetimit administrativ, ONM i kishte kërkuar Prelës informacion për dosjen “Shullazi”, informacion i servirur prej saj. Prela u lakua gjërësisht tre muaj më parë për shkak të përplasjes së saj me prokurorët e Krimeve që nuk pranuan të shortoheshin për dosjen.



















