U arratis pas lirimit me kusht, arrestohet në Gjermani Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e kryepolicit Arben Zylyftari

283
Sigal

Arrestohet në Gjermani Genc Tafili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare pas arratisjes nga lirimi me kusht.

Ai është arrestuar në aeroportin e Frankfurtit teksa po tentonte të shkonte në Stamboll më 31 dhjetor 2021.

Së bashku me të vëllanë Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, ai akuzohet për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari, në vitin 2000 gjatë shkëmbimit të zjarrit në një operacion policor. Në atë ngjarje u vra dhe babai i tyre.

SPAK ka rihapur hetimet për çështjen me kërkesë të të dënuarve.

Njoftimi për arrestimin e Genci Tafilit u bë këtë të martë, 4 janar. Por mësohet se kapja e tij u bë natën e ndërrimit të viteve ku po planifikonte të fluturonte drejt Stambollit.

Genci Tafili ka kryer 17 vite burg nga 25 që u dënua. Në nëntor 2017, ai u lirua me kusht nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha dhe më pas u arratis.

Gjykata e Apelit kërkoi sërish arrestimin e tij dhe ai ishte në kërkim ndërkombëtar deri me 31 dhjetor kur u bë prangosja e tij në aeroport.