Tritol dhe aksidente në 300 ditëshin e Tahirit

421
Sigal

 Shpërthen makina me tritol në Tiranë, 3 plagosen. Në Elbasan vdes e moshuara, ikën drejtuesi i mjetit

Ministri Tahiri dje prezantoi ‘sukseset’ e policisë në 100 ditë të qeverisjes së Rilindjes, ndërkohë, pasiguria e qytetarëve për jetën në banesa e rrugë, përherë e më shumë bëhet evidente. Një shpërthim me tritol, ku u plagosën tre persona në Tiranë, dy aksidente, njëri në Elbasan e tjetri në kryeqytet me të plagosur dhe një viktimë, kanë tronditur dje vendin. Përtej situatës së rënduar, qytetarët kërkojnë nga ministri Saimir Tahiri që të lerë paradat e sukseseve, por së pari t’u garantojë atyre sigurinë e jetës e të pronës.

SHPËRTHIMI ME TRITOL

Tre persona kanë mbetur të plagosur, pasi një automjet ka shpërthyer në momentin që ka qenë në lëvizje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të ditës së djeshme tek vendi i njohur si “Rruga Ura” në Tiranë, ndërsa dyshohet se, makina është shpërthyer me tritol. Si pasojë e shpërthimit kanë pësuar djegie tre persona, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. I plagosuri S. A., 40 vjeç, është dërguar në Spitalin e Traumës, ndërsa dy të plagosurit e tjerë, A. K. dhe J. C., janë dërguar tek raporti i Djegieve në QSUT. Dy të fundit ishin kalimtarë të rastit, kur ndodhi shpërthimi. Ndërkohë, i pari, është në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë plagë të shumta në trup. Policia  po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshohet se lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit “Volsvagen Polo” me targë AA 868 EE, në anën e shoferit. Si pasojë edhe automjeti ka pësuar dëmtime të shumta në pjesën e përparme. Policia po heton në dy pista, pasi i plagosuri S.A. është dhe vëllai i drejtorit të një burgu të sigurisë së lartë.

AKSIDENTI NË TIRANË

Tre persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik ditën e djeshme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si “Kthesa e Kamzës”. Sipas policisë një automjet ka goditur një motor dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur tre personat që po udhëtonin në motor. Të njëjtat burime bëjnë me dije se të plagosurit janë një çift bashkëshortësh dhe fëmija i tyre. Tre personat e plagosur janë dërguar menjëherë në spitalin e Traumës. Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

BRAKTISET VIKTIMA NË ELBASAN

Një aksident me pasojë vdekjen e një 70-vjeçareje ka ndodhur sot në vendin e quajtur Pajovë, në aksin rrugor Elbasan – Peqin. Burime të Policisë bëjnë të ditur se, “një mjet tip “Volsvagen” ka goditur shtetasen H. S., rreth 70 vjeçe, duke e lënë të vdekur në vend. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes janë mundur t’i japin ndihmën e parë të moshuarës, por pa rezultat, pasi përplasja ishte e fortë”. Më pas drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia po punon për të bërë të mundur identifikimin e mjetit dhe kapjen e autorit.