PS-LSI rrëzon p/ligjin për taksën e makinave dhe celularëve

702
Sigal

TIRANE– Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë kanë votuar kundër propozimit të Ministrisë së Financave për vendosjen e taksës prej 1 mijë lekë për makinat, si dhe propozimin për vendosjen e një takse prej 50 lekëshe për celularët. Propozimi ishte bërë nga Ministria e Financave dhe sipas deputetëve që kanë votuar kundër këtyre taksave, qytetarët paguajnë sigurime shëndetësore. Por çfarë përmbante drafti që ishte paraqitur nga Ministria e Financave pak javë më parë. Për taksat kombëtare kërkoheshin 2 ndryshime, kërkohej vendosja e një tarife të re për shërbimin e urgjencës mjekësore, e cila duhej të shlyhej në masën 50 lekë në vit për çdo kartë Sim; ndërsa për numrat në përdorim me parapagesë, kjo tarifë jepet nga ana e operatorit telefonik që mbulon shërbimin. Ndërsa taksa e dytë do të paguhet nga gjithë personat që kane automjet. Ajo është në masën 1 mijë lekë në vit për çdo autoveturë, si dhe 1500 lekë në vit për automjetet e tjera me gjatësi aksi, numër vendesh dhe tonazh më të madh. Të ardhurat nga kjo taksë ishin parashikuar të jepeshin për urgjencën mjekësore. Më herët në Komisionin e Ekonomisë ishte ministri i Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ku raportoi për ndryshimet në ligjin për koncesionet. Ahmetaj së bashku me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, thanë se përveç disa rrugëve që pritet të jepen me koncesion, po përgatitet edhe dhënia e shërbimeve mjekësore me koncesion, ku privati do ketë detyrimin edhe të investimit, por gjithashtu dhe përmbajtjes.