Tenton t’i shpëtojë policisë, rrëzohet dhe vritet shqiptari

396
Sigal

Qëlloi katër herë në drejtim të forcave të policisë teksa arratisej, por më pas u pengua dhe mbeti i vrarë nga plumbi i pistoletës së tij. Protagonist i ngjarjes ka qenë një shtetas shqiptar në Itali, i cili, sipas së përditshmes “Corriere della Sera”, po ndiqej nga policia pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar aktiv në vjedhjen e makinave.

Viktima, rreth të 40-ave, po ndiqej në distancë nga karabinierët dhe policia rrugore e qytetit të Breshias, të angazhuar bashkarisht në hetimet kundër grupit që vinte në shënjestër makinat luksoze.  Faktikisht, shtetasi shqiptar po udhëtonte në bordin e një “Audi A8” të vjedhur pak ditë më parë në lokalitetin Kazalmaxhore, në Kremona dhe me të mbërritur në Peskiera të Milanos, zbriti për të hipur në një tjetër “Audi A6”, edhe kjo e vjedhur në Karavaxho të Bergamos.

Në këtë moment agjentët dolën për ta arrestuar dhe 40-vjeçari u përpoq të arratisej duke qëlluar 4 herë ndaj tyre. Forcat e rendit nuk iu përgjigjën zjarrit por vazhduan ta ndiqnin në këmbë, kur papritur hajduti i makinave u rrëzua dhe mbeti i vrarë nga një plumb i dalë nga pistoleta e tij.