Dhunuan mjeken në QSUT pasi u ndërroi jetë familjari, zbardhet dëshmia e dy të arrestuarve: Ishim të dehur dhe të hidhëruar nga humbja e të afërmit tonë

93
Sigal

Zbardhet dëshmia e dy personave që u arrestuan një ditë më parë pasi goditën një mjeke në spitalin infektiv në QSUT.

Sipas News24, shtetasit Igli Spahia dhe Bledar Bali kanë deklaruar në polici se kanë qenë në gjendje të dehur dhe të hidhëruar nga humbja e familjarit të tyre në spital.

Ata janë shprehur se kanë rezerva për ekipin mjekësor, pasi sipas tyre, mjekja nuk është kujdesur për të afërmin.

“Kemi qenë të dehur dhe të hidhëruar me lajmin për vdekjen e familjarit. Mjekja nuk u kujdes për të dhe kemi shumë rezerva për ekipin mjekësor”, mësohet të jenë shprehur ata para policisë.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në spitalin infektiv. Këta dy shtetas kanë dhunuar me grushte mjeken me iniciale E.D., pas vdekjes së familjarit të tyre.

Më pas, dy shtetasit kanë thyer edhe xhamat e spitalit. Menjëherë pas këtij incidenti, ata u arrestuan nga policia, teksa nesër (10 shkurt) pritet të jepet masa e sigurisë nga gjykata.