Shqipëria, “kampion bote” i prodhimit të marijuanës

291
Sigal

Raporti i dytë  për vitin 2019 i Antimafies Italiane. Shqipëria vendi transit i heroinës  nga Afganistani dhe Azia Qëndrore. Mafia, paratë që fiton nga aktiviteti i paligjshëm i grupeve kriminale shqiptare në Itali  i investon në sektorin e ndërtimit, turizëm dhe në blerje heroine. Trafikantët kanë sofistikuar teknologjinë, duke përdorur skafe të telekomanduara automatikisht

Raporti, ja si i investon mafia paratë që fiton nga aktiviteti i paligjshëm i grupeve kriminale shqiptare në Itali

Antimafia italiane: Shqipëria, “kampion bote”  i prodhimit të marijuanës

Për herë të parë Antimafia Italiane sinjalizon, se paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm i grupeve kriminale shqiptare në Itali, investohen në Shqipëri në asete strategjike, si në sektorin e turizmit dhe të ndërtimit.  E reja më e fundit që nënvizon Antimafia Italiane, është në ndryshimin e rolit që Shqipëria ka marrë në skenarin kriminal kombëtar e ndërkombëtar të trafikut të drogës duke u bërë vendit tranzit kryesor i trafikut të heroinës nga Afganistani e Azia Qendrore e grupet kriminale shqiptare në rolin e brokers importojnë sasi të mëdha kokainë nga Kolumbia për tregun europian. Shqipëria është prodhues i parë i marijuanës në Europë e ndër vendet e para në nivel botëror e grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë ndër më kryesoret e më komplekset në Itali. Trafiku i drogës nga Shqipëria nuk është ndaluar dhe gjatë emergjencës së  pandemisë Covid 19.

Këto janë konkluzionet e dala nga raporti i fundit i Antimafias Italiane i cili nënvizon se ka ardhur koha që grupet kriminale shqiptare të konsiderohen mafia.

Gjithashtu Antimafia Italiane konfirmon përdorimin e teknologjisë së avancuar në përdorimin e skafeve me drogë të nisura nga Shqipëria e të telekomanduara automatikisht nga larg e pa pilot.

Departamenti i Antimafias Italiane ka hartuar raportin e dytë gjashtëmujor të vitit 2019 që përmbledh aktivitetin kriminal të mafias italiane e të grupeve mafioze të huaja në Itali në periudhën kohore korrik- dhjetor 2019.

Raporti përbëhet prej 888 faqesh në të cilin kriminaliteti shqiptar e Shqipëria janë analizuar në dy kapituj të veçantë.

Antimafia italiane informon se grupet kriminale shqiptare janë të pranishëm në pjesën më të madhe të territorit kombëtar e janë ndër organizimet etnike më komplekse e të artikuluara të aftë të veprojnë në nivele të ndyshme.

Nga njëra anë shfaqen në aksione individuale, apo në bashkëpunim për llogari të të tjerëve e kryesisht në krime specifike, e nga ana tjetër, është konstatuar ekzistenca e organizimeve kriminale shqiptare të strukturuara prej shumë kohësh në territorin italian, me karakteristika tipike mafioze.

Në lidhje me identifikimin e grupeve kriminale shqiptar si mafia shqiptare, raporti i Antimafias italiane, nënvizon se deri më tani, nuk ka një vendim gjykate që në marrjen e vendimit kanë kosideruar dhe rëndesën e fajit si grupe mafioze e ndoshta, sugjeron raporti “në të ardhmen do të ishte e nevojshme në planin interpretues, marrja në konsideratë e termit “mafie jo tradicionale” (siç janë mafia Cosa Nostra, Sacra Corona Unita, Ndrangheta, Camora etj) siç u bë me vendimin numër 10/220 i marrë më 16 mars 2020”.

Sipas Raportit të Antimafias italiane karakteristikë kryesore e kriminalitetin shqiptar është përkatësia e grupeve në bazë lidhjesh familjare ose raporteve të anëtarëve që vijnë nga i njëjti qytet apo zonë shqiptare e që kanë të njëjtin kod sjelljeje.

Veprimi i aktivitetit kriminal shqiptar shprehet kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, në trafikun e armëve, në trafikun e qenieve njerëzore si dhe në shfrytëzimin e prostitucionit që shpesh e kryejnë në bashkëpunim ne grupe të tjera kiminale etnike në Itali, si ato rumune e nigeriane. Paratë e fituara nga aktivitetit i paligjshëm, organizatat kriminale shqiptare i investojnë në atdhe, pra në Shqipëri, në asetet strategjike, si në sektorin e ndërtimit e të turizmit. Gjithashtu i përdorin për blerjen e heroinës nga Azia, e kokainës nga Kolumbia. Grupet kriminale më të strukturuara shqiptare kanë lidhje në nivel transacional me grupet homologe shqiptare në Vendet e Ulëta, në Belgjikë, në Austri, në Francë, në Spanjë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, e në Amerikën Qendrore e Jugore. Janë organizime kriminale që dialogojnë drejtpërdrejtë me referuesit e tyre në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare importojnë drogën kryesisht marijuanë e heroinë nga Shqipëria, (vend tranzit) e kokainë nga Vendet e ulëta, e në rastet e tjera transportojnë drejtpërdrejtë, nga vendet ku prodhohet droga. Disponibiliteti i armëve, i burimeve financiare edhe i drogës me çmime konkurruese, kanë stabilizuar marrëdhënie të konsoliduara mes grupeve kriminale shqiptare e mafias autoktone italiane favorizuar nga objektivat e përbashkëta të aferave kriminale e mungesa e konfliktualitetit për zotërimin e territorit.

Prania prej një kohe të gjatë në territorin italian ka bërë që grupet kriminale shqiptare të integrohen e të asimilojnë një model sjellje e aftë të veprojë në kontesktet multietnike e në bashkëpunimin me grupet italiane jo mafioze apo të etnive të tjera.

Raporti i Antimafias Italiane ka kujtuar një sërë operacionesh të suksesshme të kryera gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2019, e ku janë zbardhur lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me mafian italiane e me grupet kriminale italiane e të huaja me shtrirje në Itali.

Brigjet e Puglias mbetet pika nevralgjike për futjen e drogës përmes rrugës ballkanike nga Shqipëria drejt Italisë.

Shqiptarët në kapitullin e raportit të Antimafias

“Në panoramën kriminale ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet lideri i prodhimit të marijuanës, duke u pozicionuar prodhuesi i parë në nivel evropian, e ndër të parët në nivel botëror.” Klanet shqiptare shprehin një aftësi operative gjithnjë e në rritje, falë xhiros së biznesit të lëndëve narkotike, si dhe shtimit të kultivimit të marijuanës duke përmirësuar cilësinë e plantacioneve duke përdorur rrënjë kanabis që prodhojnë bimë me përqëndrim të lartë të THC. Sasitë e mëdha të marijuanës të prodhuar në zonat e brendshme të territorit shqiptar, importohen në mënyrë konstante në kanalet e tregtimit të saj në Evropë, në rrugë detare përmes kanalit të Otrantos, e rrugës tokësore përmes rrugës ballkanike. Skafet me drogë nisen nga Durrësi e Vlora e mbërrijnë kryesisht në brigjet puglieze. Gjithashtu Antimafia Italiane konfirmon përdorimin e teknologjisë së avancuar në përdorimin e skafeve me drogë të nisura nga Shqipëria e të telekomanduara automatikisht nga larg e pa pilot. Trafiku i drogës nga Shqipëria nuk është ndaluar dhe gjatë emergjencës  së  pandemisë Covid 19. Raporti i Antimafias italiane shkruan se dhe pse përmban të dhëna të periudhës kohore korrik-dhjetor 2010, gjatë hartimit e përgatitjes së këtij materiali i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë dhe aktivitetit të mafias autoktone e të huaj, gjatë fazës së pandemisë globale. Shoku social e ekonomik i shkaktuar nga emergjenca shëndetësore ka favorizuar dy skenarë të aktivitet kriminal mafiozë në Itali. Ai afat i shkurtër në kosolidimin e shtrirjes së tyre në territor përmes konsensusit social  me ndihma të vogla ekonomike që u jepen familjeve më në nevojë,  e ai afat gjatë në forcimin e fuqisë së tyre ekonomike e financiare deri në nivel botëror. E reja më e fundit, që nënvizon Antimafia Italiane, është në ndryshimin e rolit që Shqipëria ka marrë në skenarin kriminal kombëtar e ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke u bërë vendi tranzit kryesor i trafikut të heroinës nga Afganistani e Azia Qendrore dhe grupet kriminale shqiptare në rolin e brokers që importojnë sasi të mëdha kokainë nga Kolumbia për tregun europian.