Sekuestrohen 22 kg kanabis, në pranga babë e bir, në kërkim bashkëpunëtori i tyre

127
Sigal

Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia në Vaun e Dejës pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Sipas policisë, të arrestuarit janë babë e bir, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vigu”. Arrestohen në flagrancë babë e bir, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen 22 kg lëndë narkotike canabis sativa.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve në terren, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigu”.

Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: M. N., 69 vjeç dhe K. N., 31 vjeç, banues në Vau i Dejës, Shkodër (babë e bir). Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi P.  L., 29 vjeç, banues në Vau i Dejës. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. N., në lagjen “Kinema”, Vau i Dejës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 22 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.

Punohet për kapjen e shtetasit P. L. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.