Sarandë, aksident i rëndë: një i vdekur, tre të plagosur

534
Sigal

Përgjaken rrugët, policia “kujdeset” vetëm për të plagosurit, për t’i çuar në spital

Mesdita e së martës dhe pikërisht ora 14:00, është tronditur nga sirenat e alarmit të zjarrfikëseve, ambulancave, makinave të policisë dhe më pas të helikopterit të Ministrisë së Shëndetësisë. Opinioni publik është përballur me lajmin e një aksidenti tragjik, ku ka rezultuar një i vdekur dhe tre të plagosur me gjymtime dhe fraktura të rënda. Një automjet tip “Benz Mercedes” me targa SR 6386B që transportonte nxënës shkollash nga Navarica (fshat i komunës Dhivër) në Livadhja, si taksi private, në afërsi të fshatit Dërmish (në rrethana që nuk janë zbardhur ende) ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një kamionçinë me targa SR5092B me shofer po nga fshati Navaricë. Përplasja ka qenë aq e fuqishme, sa drejtuesi i “Benz”-it ka mbetur i izoluar brenda automjetit deri në mbërritjen e policisë, ambulancës dhe zjarrfikëses, të cilët e kanë nxjerrë trupin e Kamber Veledinit, por të pajetë. Edhe të plagosurve, shoferit të kamionçinës që ka dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe Aurora e Rikardo Telo,motër e vëlla përkatësisht 17 dhe 5 vjeç, nxënës të shkollës së mesme Livadhja, u është dashur plot një orë e gjysmë që t’i nënshtrohen trajtimit mjekësor. Sipas burimeve spitalore të Sarandës, të aksidentuarit janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.