Rrëfimi tronditës i 14-vjeçares që u përdhunua një javë nga 40-vjeçari

427
Sigal

Merr fund martesa-ferr e një vajze që ende nuk i ka mbushur 15 vjeç! Ajo ka guxuar ta braktisë “bashkëshortin” e saj, një të sapoliruar nga burgu dhe të dorëzohet në polici; ai ishte 40 vjeç! Vajza, sipas të dhënave, është marrë nga shkolla dhe është martuar me 40-vjeçarin, ndërsa nuk ka qenë e mundur që martesa e tyre, për shkak të moshës, të celebrohej. Kjo histori, sa e frikshme, aq edhe kriminale, ndodh në mes të Mirditës dhe Durrësit, ndërsa vajza duket se ka kundërshtuar egërsisht zgjedhjen e të atit. Mirëpo, në fakt, në mes të kësaj historie që s’dihet se si t’i vihet emër, kanë hyrë gjyshërit e vajzës së mitur (gjyshërit nga nëna), të cilët kanë vënë nën presion të atin dhe të ëmën e saj dhe i kanë detyruar të shkojnë e të denoncojnë rastin në polici.

Ka qenë inspektori i zonës së Kurbneshit njeriu i parë që ka mësuar të dhënat e ngjarjes së rëndë dhe brutale, ndërsa vajza e mitur, në kthim, i ka besuar gjithçka komisariatit të Rrëshenit. Dëshmia e saj tronditëse ka bërë që policia e Rrëshenit t’i kërkojë Lezhës shpalljen në kërkim të Martin Haxhijajt nga një fshat i Burrelit, fshat që gjendet në kufi me fshatin e vajzës së mitur. Vajza i ka thënë policisë së vendlindjes së saj se nuk e donte Martinin, por ai e kishte përdhunuar për më shumë se një javë, më pas, duke i bërë presion e ka detyruar edhe të bëjë foto me të, për të dëshmuar të qenurit e lumtur në krahët e tij. Ndonëse rasti është zbuluar vetëm ditën e djeshme, ndërsa denoncimi është bërë që në fillim të muajit, ndalimi dhe më pas shoqërimi i Martin Haxhijajt ka ndodhur vetëm paraditen e djeshme. Ai mbahet në Policinë e Lezhës, pasi është vënë në pranga nga policia e Durrësit, ndërsa nga dëshmia paraprake që ka dhënë para oficerëve të policisë mësohet se ai ka pranuar se ishte martuar me vajzën, por që nuk kishte abuzuar kurrë me të.

Rrëfimi i G…. “Jam abuzuar nga burri im. Unë nuk e dua atë dhe as nuk dua të qëndroj më në familjen e tij. Nuk dua të kthehem më atje, pasi babai im më ka dhënë atje kundër dëshirës sime. Unë nuk e dua Martinin. Kam qëndruar me të se më ka bërë presion, më ka kërcënuar me jetën e tim vëllai, që e kam binjak. Nuk dua të kthehem më atje. Më mbroni ju”. Ky është rrëfimi që vajza ka lënë në komisariatin e Rrëshenit, ndërsa ajo nuk është lejuar nga ana e policisë të kthehet në familjen e saj. Sipas të dhënave bëhet me dije se ajo qëndron në banesën e një prej tezeve të saj, ndërsa është vënë në dispozicion të saj prokuroria e Lezhës për të vijuar hetimin e ngjarjes. Sipas burimeve, Martin Haxhija është ndaluar mëngjesin e djeshëm në banesën e tij në zonën e ish- Kënetës dhe më pas është transferuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Lezhës.

Në Durrës, Martini iu ka bërë me dije policisë se ai nuk ka abuzuar me asnjë person, por se ai e ka dashur vajzën dhe se ajo ka bashkëjetuar me të me dëshirë. Ai nuk ka pranuar për asnjë moment të ketë ushtruar dhunë fizike apo seksuale mbi vajzën, ndërsa në momentin që i kanë thënë se ajo ka kërkuar urdhër mbrojtjeje pasi ka frikë prej tij, i prangosuri i ka bërë me dije policisë se ai nuk e kuptonte se kush e kishte sajuar atë histori, pasi G. e donte dhe kishte qëndruar me dëshirën e saj në familjen e tij.