Rikthehen maskat në Berat

478
Sigal

Nën terrorin e dhunës vidhen banesat. Ngjarja e fundit në Komunën Otllak. Policia asnjëherë nuk arreston autorët

Rikthehen maskat në Berat, ku nën terrorin e dhunës kanë grabitur një banesë. Ngjarja është regjistruar në Komunën Otllak. Por ky nuk është rasti i vetëm, sepse edhe disa kohë më parë janë grabitur disa shtëpi, pronarët e të cilëve jetojnë jashtë shtetit, kryesisht në Greqi. Hajdutët sipas të dhënave nga policia e studiojnë mirë shtëpinë që do të mësyjnë. Ata për ditë me radhë vëzhgojnë terrenin, se kush kujdeset për këto shtëpi ‘të braktisura’ përkohësisht dhe çfarë mund të vjedhin prej saj. Sipas të dhënave vetëm disa javë më parë janë vjedhur dy shtëpi në lagjen, ku është edhe qendra “Lira”. Por rastet më të vështira janë banesat që brenda tyre jetojnë familjarë. Në këto raste shtohet rreziku për përleshje midis familjarëve dhe agresorit. Nga të dhënat policore në këto raste një gjë është e sigurt, se personat që janë hajdut janë të afërm ose njerëz të njohur të familjes. Ata e dinë mirë, ku të hyjnë dhe çfarë të marrin. Ajo që duke është fakti se kriminaliteti është shtuar në këtë qark dhe zbulueshmëria e krimit lë shumë për të dëshiruar, sepse në shumicën e rasteve nga policia deklarohet se, ‘personat janë ende të pa identifikuar’.

Ngjarja

Dy persona me maska ende të paidentifikuar nga polica kanë detyruar rojën e banesës që të hapë derën dhe t’i drejtonte aty ku ishin fshehur lekët. Burime të policisë bëjnë të ditur se, ka filluar procedimi penal i ngjarjes pa autorë të “Vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”. Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 03:00 të ditës së djeshme në fshatin Lapardha Komuna Otllak, dy persona të panjohur, me maska në kokë, kanë hyrë në banesën e shtetasit me iniciale M. H., 44 vjeç banues në Lapardha, i cili për momentin nuk ndodhej në shtëpi. Sipas policisë, bëhet e ditur se dy personat të maskuar e të armatosur i janë afruar banesës dhe kanë detyruar rojën me iniciale O. J., 24 vjeç banues në Lapardha që t’i hapë dyert dhe t’i drejtojë tek vendi, ku ndodheshin 5 milionë lekë të vjetra, të cilat i kanë marrë dhe më pas janë larguar. Roja, menjëherë, pas ngjarjes ka njoftuar sallën operative të policisë, ku në drejtim të kësaj ngjarje ka shkuar grupi i gatshëm dhe ai hetimor. Pas këqyrjes së vendngjarjes polica është vënë në ndjekje për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre. Mësohet se, në policisë roja ka deponuar se kishin qenë dy persona me maska, të cilët e kanë detyruar atë që të hapë dyert e banesës dhe t’i tregonte vendin, ku mbaheshin lekë. Nga të dhënët paraprake dyshohet se personat kanë qenë në dijeni të sasisë së lekëve, më pas ata kanë pritur largimin e pronarit, për të kryer veprimet kriminale.