Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për italianin Massimiliano Croce, të akuzuar për abuzim me të mitur

411
Sigal

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për italianin Massimiliano Croce, të akuzuar për abuzim me të mitur dhe kërkon ta marrë të pandehur.

Croce u arrestua në Tiranë në tetor të 2018-ës, me qëllim ekstradimin e tij në Itali, ku edhe ishte dënuar me 16 vite për të njëjtën akuzë. 45-vjeçari bashkëjetonte me një shqiptare në periferi të Tiranës, ndërsa dyshohet se ka abuzuar me fëmijët e saj, 13 dhe 14 vjeç. Mbi italianin Croce rëndon akuza e marrëdhënieve seksuale me të mitur dhe rrezikon dënimin deri në 15 vite burg në vendin tonë.

Skandali u zbulua pas prangosje se Croce-s në zonën e Kombinatit, aty ku ai bashkëjetonte me një shqiptare prej disa vitesh. Arrestimi i tij, për arsye të dënimit që kishte marrë në vendin fqinj, shërbeu që fëmijët e abuzuar të kallëzonin në Polici italianin. Nga dëshmitë e dy adoleshentëve, të marra në praninë e një psikologu, u zbulua se ai kishte kohë që abuzonte me ta.

Pas kësaj, Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet dhe pasi doli në përfundimin se pedofili italian kishte abuzuar dhe me të miturit e bashkëjetueses së tij, pezulluan procedurat e ekstradimit. Nëse Gjykata shqiptare e shpall fajtor, atëherë ai duhet të vuajë dënimin këtu dhe me pas, do të dërgohet në Itali, që të vuajë dënimin dhe në vendin fqinj.

Në lidhje me Croce-n kanë shkruar më herët edhe mediat italiane, ku rezulton se ai është diplomuar për Pedagogji për të Mitur, madje ka kryer edhe një doktoratë për rastet e pedofilisë online. Duke u bazuar në mediat italiane, mësohet se Masimilliano Croce është dënuar dy herë për krime kundër të miturve dhe pedofili, një herë në vitin 2014 dhe një herë tjetër, disa vite më parë.

Ndërkohë, referuar mediave italiane, 45-vjeçari nuk ka shfaqur pendesë dhe shpesh e ka konsideruar veten si të persekutuar nga ana e drejtësisë.

“Ish-kujdestari, në prill të vitit 2014, u dënua me nëntë vjet burg për abuzimin e bërë për muaj me radhë ndaj një fëmije 8 vjeç, në një shtëpi ku ai kishte shërbyer. Por para kësaj ai ishte dënuar me tre vjet burg për akuzën e dhunës ndaj fëmijëve të tjerë që i ishin besuar atij në kujdesin shtëpiak. Por pavarësisht provave të paraqitura nga organi i akuzës, Croce gjithmonë e ka konsideruar veten të persekutuar nga drejtësia. Ndërsa në dënimin përfundimtar, gjyqtarët parashikuan edhe ndalimin e përhershëm të tij, që të punojë në zyrat publike dhe punët që përfshijnë kontaktet me të miturit, si një dënim plotësues”, shkruan Il Messagero.it.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar në mungesë të tij, prokurori i çështjes, Stefano Rocco, do të shpjegonte se i dënuari është një person, i cili përfiton nga institucionet ku jetojnë të mitur, për të kënaqur sjelljet e tij seksuale të ndryshme. Ai abuzoi më një djalë katërmbëdhjetë vjeç, i cili jetonte në një nga qendrat komunitare për fëmijë dhe më pas, pasi u largua nga institucioni, vodhi profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, për të abuzuar me fëmijët e tjerë.