Mungesa e sinjalistikës në rrugët e Tiranës, burim aksidentesh

460
Për shumë zona në Tiranë shfaqen probleme të shumta qe kanë të bëjnë me sinjalistikën rrugore, me sistemin e ndriçimit apo me mungesën e gjelbërimit. Sistemi i ndriçimit është me shtylla betoni dhe me llamba të zakonshme që karakterizohen nga një dritë dhënie specifike shumë e ulët dhe orë pune nga më të ulëtat. Si të tilla, ato digjen shpesh, për shkak të cilësisë së dobët të tyre dhe për shkak të problemeve të tjera që shfaqen nga luhatja e tensionit. Kjo rrit shpenzime për mirëmbajtjen apo shpenzojnë shumë energji. Defekte të shpeshta shfaqen dhe te ndriçuesit e rinj. Këto defekte kanë të bëjnë, si me cilësinë dhe teknologjinë e prodhimit të tyre. Një shembull konkret është fusha “Ali Demi”, ku më tepër se 50 për qind e ndriçuesve nuk punojnë. Po ashtu dhe në zonën e pedonales ndriçuesit në rrugë një pjesë janë djegur, ndërsa në një pjesë tjetër janë dëmtuar dhe thyer nga kalimtarët. Banorët tregojnë se pas rënies së mbrëmjes nuk mund të dalin nga shtëpia pasi nuk mund të ecin dot në errësirë. “Jemi dy pleq në shtëpi dhe detyrohemi të lëvizim vetëm bashkë, sepse nuk ka kush të na shoqërojë. Ne jetojmë te Lagjja 10, te rruga “Tasim Shehu”, që nuk është plotësisht e ndriçuar. Në disa segmente llambat janë djegur, të tjera janë thyer dhe ne ikim me frikë rrugës se mos pengohemi në ndonjë prag, apo se mos biem në ndonjë pusetë”, shprehet një zonjë. Përveç kësaj në disa lagje apo rrugë të tjera nuk ka as sinjale fosforeshente apo sinjalistika të caktuara për makinat dhe kjo mund të bëhet shkak për aksidente gjatë orëve të vona të natës. Vijat e bardha mungojnë gjithashtu në shumë zona të kryeqytetit. Banorët ankohen se i kanë fëmijët e vegjël dhe mund të bëhen pre e ndonjë aksidenti. “Ato taksat e naftës për ca i paguajmë? Ku venë këto para? Po hiqni një vijë në mes të rrugës e vini dy tabela. Bëjini se kalojnë edhe fëmijët tuaj nga këto rrugë, se për ne e di që nuk jua ndjen shumë”. Janë këto fjalët e një banori i cili shumë i acaruar bërtet dhe thërret organet kompetente që te merren me zgjidhjen e këtij problemi sa më shpejt që të jetë e mundur. Mungesa e gjelbërimit është një tjetër problem. Edhe pse ka nisur aksioni për “ndryshimin dhe pastrimin” e Tiranës ka zona të cilat po lihen në harresë dhe që qëndrojnë si të pambrojtura. Si të tilla bëhen shkak i papastërtisë apo prishjes së kushteve të kryeqytetit. Janë këto disa nga shqetësimet që shfaqin banorët e Tiranës për rrugët apo çdo gjë tjetër që ka lidhje me ta. Ata shpresojnë për përmirësimin e këtyre kushteve dhe bëjnë thirrje që kryetari të mos merret vetëm me kryeqytetin por edhe me zonat e tjera apo fshatrat e Tiranës.
Sigal