Mori 2 mijë euro për të liruar një person që e kapi me drogë, dënohet me 3 vite burg efektivi i policisë

41
Sigal

GJKKO ka dënuar me 3 vite burg policin Sokol Canameti i cili akuzohet se mori ryshfet 2 mijë euro për të liruar një person që e kapi me drogë.

Canameti pëfiton ulje të dënimit nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burg. Ndërsa për 5 vite nuk do ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike.

Gjithashtu GJKKO ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg shërbim prove Erjon Kuzarin dhe Flatin Kuzarin.

Njoftimi:Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit S.C akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve E.K dhe F.K akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvilluar me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit,

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Rudina Palloi dhe Flojera Davishi, bazuar në nenet 112, 379, 384 dhe 406 të K.Pr.Penale, si dhe në nenet 47, 48, 49, 59, 319 dhe 319/ç të Kodit Penal, me vendimin Nr. 72, datë 06.11.2023 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit S.C lidhur me kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e masës së dënimit për të pandehurin S.C duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

Vuajtja e dënimit nga i pandehuri S.C do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme, duke filluar nga data e ndalimit 09.04.2023.

Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit S.C i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

Deklarimin fajtor të të pandehurit F.K lidhur me veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, për të pandehurin F.K ulet 1/3 e masës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim të pandehurit F.K duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj.Urdhërohet i pandehuri F.K që gjatë kohës së provë t’i përgjigjet thirrjeve e kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës si dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë kohës së provës.

Bazuar në nenin 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet shuarja e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj të pandehurit F.K me vendimin nr.30, datë 07.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.K lidhur me veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, për të pandehurin E.K ulet 1/3 e masës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim të të pandehurit E.K duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj.

Urdhërohet i pandehuri E.K që gjatë kohës së provë t’i përgjigjet thirrjeve e kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës si dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë kohës së provës.

Bazuar në nenin 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet shuarja e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj të pandehurit E.K me vendimin nr.30, datë 07.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, aparatet celular të sekuestruar t’i kthehen të pandehurve S.C, F.K dhe Erjon Kuzari.

Shpenzimet gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.