Krimi në ofensivë me plumba dhe eksploziv

438
Sigal

 Atentatet me eksploziv tronditin edhe zyrtarët e Ambasadës Amerikane, të cilët paralajmëruan shtetasit e vet të bëjnë kujdes në Shqipëri

 Policia e Saimir Tahirit është po aq inekzistente kundër krimit, sa ajo e Flamur Nokës. Madje, po aq indiferente, po aq e çorientuar dhe po aq e papërgatitur sa ç’ishte ajo, e qeverisë që iku. Sepse brenda pak ditësh kanë ndodhur gjëra po aq të tmerrshme sa edhe më parë, duke mos shënuar asnjë përmirësim në “sinoptikën” e rendit publik. Madje, akoma edhe më keq, policia e sotme shqiptare me çorganizimin e vet, po frymëzon çdo ditë e më shumë bandat e kriminelëve, deri në atë masë saqë ata të guxojnë të sulmojnë hapur një autobus me udhëtarë përgjatë rrugës së kombit. Këto sulme brutale dhe të hapura nuk kanë ndodhur në qeverisjen e Berishës, por këto kanë ndodhur vetëm në dy periudha historike të kohës së tranzicionit. Ato kanë ndodhur vetëm në vitin 1997, kur Shqipëria ishte pa qeverisje dhe po ndodhin sot, kur Shqipëria është nën qeverisjen e Ramës. Ndërkohë, policët e Tahirit numërojnë gëzhojat dhe mbajnë statistikat në rregull, ndërsa Tahiri vazhdon të tregojë akoma barsoleta, për kohën e Haxhi Qamilit. Duke mos e kuptuar se ai vetë, nëse do të vazhdojë me indiferentizmin që e ka nisur do të bëhet vetë, një Haxhi Qamil i përbuzur dhe i pavlefshëm, i cili heshti atëherë kur duhej të fliste dhe tregoi se ishte i paaftë për të kryer detyrën e ngarkuar. Ne presim dita- ditës përgjigjen e shtetit shqiptar, kundrejt bandave që shkatërrojnë rendin publik, por qeveria e re është akoma e zënë me fotografimet e Kryeministrisë apo të Ministrisë së Shëndetësisë, a thua se ministrat tanë janë një grumbull fotografësh që koleksionojnë pamje historike nga luftërat me mullinjtë e erës. Në vend që t’i thërrasin mendjes, ata po e marrin me të qeshur problematikën e drejtimit të shtetit. Dhe këtë e tregon më së miri, qetësia me të cilët banditët e Kukësit, bën planin e grabitjes dhe të sulmit ndaj udhëtarëve kosovarë. Ndërkohë që dy ditë më parë, një banor tjetër i Kosovës u mor peng në Qafën e Morinës, për t’u shkëmbyer me 6 milionë lekë.

Ngjarja

Një autobus me kosovarë është sulmuar ndërsa udhëtonte në Rrugën e Kombit.

Ende nuk ka detaje për këtë ngjarje, ndërsa mësohet se, autobusi mbi të cilin është qëlluar ka targa 537 KS 7012. Shoferi i autobusit ka pretenduar se ndaj autobusit është qëlluar me armë, por verifikimet e policisë kanë arritur në përfundimin se autobusi është sulmuar me gurë. Ndërkohë, të gjithë udhëtarët i ka përfshirë paniku, duke u betuar që të mos kthehen më kurrë në Shqipërinë, e cila tani është edhe më e pasigurt, se sa më parë. Përrallat me Sali Berishën tani mbaruan dhe vota e popullit atë e largoi nga skena e drejtimit. Prandaj, Saimir Tahiri t’i vejë gishtin kokës e të mos marrë poza në televizione se shqiptarët nuk e zgjodhën atë për fotomodel, por për ministër të Brendshëm. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bregu i Lumit në Kukës. Policia ka nisur hetimet për verifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, ndërkohë që, rendi publik, po bëhet gjithmonë e më i pasigurt. Sepse në Tiranë kanë nisur atentatet me anë ët eksplozivit. Dhe kjo gjë nuk ka tronditur vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe funksionarët e huaj që gjenden në Shqipëri. Për këtë arsye Ambasada e SHBA-ve ka porositur shtetasit e vet të kenë kujdes duke u thënë: “Amerikanë kujdes ku parkoni”! Atentatet mafioze me eksploziv në Shqipëri shqetësojnë Ambasadën Amerikane në Tiranë. Në një mesazh publikuar në faqen e saj në internet, Ambasada Amerikane këshillon qytetarët e saj që punojnë në Shqipëri të kenë kujdes dhe të jenë vigjilentë veçanërisht gjatë parkimit të mjeteve, pasi siç thekson ajo, atentatet me eksploziv sa vijnë dhe shtohen. “Në media, kohët e fundit janë raportuar rritja e përdorimit të pajisjeve shpërthyese ku në shënjestër kanë qenë dëmtimi i pronave të individëve të ndryshëm”, thuhet në mesazhin e ambasadës. Atentatet me eksploziv janë drejtuar kundër biznesmenëve ose për mosmarrëveshje personale”-thuhet në këtë mesazh. Në shumicën e rasteve atentatet me eksploziv kanë synuar shpërthimet e automjeteve me raste të kufizuara plagosjesh. Rritja në përdorimin e mjeteve shpërthyese kanë shkaktuar shqetësim mes banorëve. Ambasada amerikane këshillon qytetaret të monitorojnë me kujdes lajmet lokale dhe njoftimet e qeverisë shqiptare në lidhje me shqetësime të ngjashme. “Ne inkurajojmë qytetarët amerikanë që të praktikojnë masa të mira për sigurinë personale. Të mbajë një nivel të lartë vigjilence dhe të ndërmarrin hapat e duhura për të rritur sigurinë personale”, thuhet në mesazhin e SHBA-ve.