Mbledhja e qeverisë drejtohet nga Zv.kryeministri Peleshi

513
Sigal

Qeveria e re shfuqizon vendimin e Berishës, ndërkohë që, ende nuk janë emëruar zëvendësministrat

Zv/kryeministri Niko Peleshi, mblodhi pasditen e djeshme kabinetin qeveritar, ndërkohë që, Kryeministri Rama po vijon vizitën zyrtare në SHBA-të.

Hera e parë, pas 8 vjetësh, që mbledhjen e qeverisë e drejton zv/kryeministri

Për herë të parë pas 8 vitesh, një mbledhje  qeverie u drejtua  nga Zëvendëskryeministri. Kreu i qeverisë Edi Rama, i cili ndodhet në SHBA, ia ka besuar drejtimin e kabinetit qeveritar zëvendësit të tij, Niko Peleshi. Ishte viti i largët 2005 kur një Zv.kryeministër drejtonte mbledhjen e qeverisë. Ish- Kryeministri Fatos Nano, pas humbjes së zgjedhjeve në këtë vit, përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit të pushtetit, ia delegoi mbledhjet e qeverisë, zëvendësit të tij, Namik Dokle. Dhe për socialistët, përsëritet edhe një herë historia, por këtë herë për shkak të pamundësisë së Edi Ramës për të drejtuar mbledhjen pasi vijon ende takimet në SHBA.

Shfuqizohet vendimi i parë i Berishës. Në radhë, janë edhe të tjera

Në kuadër të angazhimit për të shfuqizuar çdo vendim të marrë nga qeveria ‘Berisha’ pas 23 qershorit, zv/kryeministri Niko Peleshi vendosi që të shfuqizojë vendimin e datës 7 gusht për heqjen nga fondi pyjor kullosor të “Mali i Rrencit- Kakariq” Lezhës. Po dje me vendim qeverie u lirua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit znj. Kreuza Leka dhe u miratua emërimi në këtë detyrë i zonjës Adelina Greca. Me qëllim akomodimin e 37 familjeve rome që jetojnë pranë ish Ndërmarrjes së Dekorit, u vendos kalimi i ish- Repartit Ushtarak 1005 me vendndodhje në Shishtufinë nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.  Një tjetër vendim ishte dhe ai për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Kjo është mbledhja e 3 e kabinetit “Rama”, ndërkohë që, mbledhjen e qeverisë së tij janë ‘fotografike’, në ndryshim me paraardhësin e tij Sali Berisha i cili i mbante të hapura për mediat. Për herë të parë pas 8 vitesh, një zv/kryeministër drejton mbledhjen e qeverisë.

Zbardhen vendimet e mbledhjes së kryesuar nga Peleshi

Në këtë mbledhje u miratuan këto vendime:

1. Kalimi në administrim i ish Repartit Ushtarak 1005 me vendndodhje në Shishtufinë nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky vendim bëhet me qëllim akomodimin e 37 familjeve rome që jetojnë pranë ish Ndërmarrjes së Dekorit. Kjo është një krizë që vazhdon tashmë prej disa muajsh dhe në mbledhjen e 3-të të saj qeveria vendos për strehimin dhe akomodimin e tyre.

2. Shfuqizimin e vendimit të qeverisë të datës 7 gusht për heqjen nga fondi pyjor kullosor të “Mali i Rrencit- Kakariq” Lezhë. Në mbledhjen e sotme qeveria e riktheu këtë pronë në fondin pyjor kullosor. Një nga angazhimet e qeverisë “Rama” është shfuqizimi i vendimeve të qeverisë të marra pas datës 23 Qershor. Ky vendim i mësipërm është në kuadër të këtij procesi.

3. Lirimin nga detyra të znj. Kreuza Leka nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe emërimin në këtë detyrë të znj. Adelina Greca.

4. Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Financave.

5. Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë.

6. Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

7. Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Kulturës.

8. Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

9. Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr.833, datë 18.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë”.