Krimi makabër në Palasë/ E ëma e 12 vjeçarit tenton dy herë vetëvrasjen

433
Një shok i vërtetë nuk ka qenë vetëm vrasja e fëmijës 12 ­vjeçar, por edhe mënyra se si iu mor jeta e tij. Familja Zariu në lagjen “1 Maji” në qytetin e Fierit përcolli për në banesën e fundit djalin e vogël të saj, të masakruar nga kushëriri me probleme mendore. Në vilën 4­katëshe të familjes Zariu në Fier është bërë si “shtetrrethim”.
Askush nuk të lë të depërtosh brenda saj, sidomos nëse je pjesë e medias. Personi i vetëm që arrin të flasë është një kushërirë e largët e familjes. “Nuk është e mundur të futesh brenda. Gjendja është shumë e rëndë. E ëma e djalit nuk di gjë se si i ka ikur i biri nga kjo jetë. Ajo e di që dikush e ka qëlluar me gur në kokë dhe ai ka vdekur. Nuk e ka marrë vesh të vërtetën e shkreta ajo”, shprehet kushërira.
Për këtë arsye, të afërm të familjes Zariu mundohen që të mbajnë larg çdo person, prej të cilit nëna Brunilda mund të mësojë të vërtetën e dhimbshme. Kushërira tregon se e ëma e viktimës është në gjendje shumë të rëndë psikologjike.
Prej saj mësohet se në dy raste ajo është penguar në çastin e fundit për të mos realizuar tentativën për të vrarë veten, duke u hedhur nga ballkonet e shtëpisë. Ceremonia mortore e përcjelljes së viktimës Andrea Zariu në banesën e fundit u bë në orën 12:30.
Në ceremoni ishin të pranishëm shumë banorë të fshatit Palasë, aty ku iu mor jeta 12­ vjeçarit Andrea. Viktima ishte djali i vogël i familjes së Platon Zariut. Ndërsa djali i madh është 18 vjeç. Në vilën 4­katëshe nga u përcoll dje 12­vjeçari jetonin deri dy ditë më parë gjyshërit e tij, pasi familja Zariu banonte në Greqi.
Ata kishin ardhur për pushimet e verës, ku kishin qëndruar në fshatin e nënës së Andreas, në Palasë, afër detit. Pikërisht në këtë fshat kishte dashur të qëndronte edhe disa ditë të tjera fëmija i vogël, te gjyshërit nga e ëma, pa e menduar as ai vetë, por as familjarët e tij për të keqen që do t’u pllakoste.
Megjithëse autorin e njihnin si person me probleme, në asnjë moment nuk ua merrte dot mendja se pikërisht ai do të bëhej tmerri i familjes së tyre.
Sigal