Greqi, vdes 21-vjeçarja shqiptare, miqtë dhe familja: E kanë vrarë

475
Vdekja e një emigranteje 21-vjeçare nga Korça ka tronditur mbarë opinion publik në Greqi. E reja Maria Dalani, u gjet e pajetë mbrëmjen e së hënës, në pjesën e pasme të pallatit ku banonte me nënën dhe njerkun në Athinë. Mësohet se Maria kërkohej nga familjarët prej 30 shtatorit. Atë ditë, pjesëtarët e tjerë të familjes ishin larguar për shumë orë dhe kur janë kthyer nuk e kanë gjetur në banesë 21-vjeçaren.
Menjëherë kanë denoncuar në polici për zhdukjen e saj, ndërkohë që e kanë publikuar edhe në një emision të njohur televiziv. Por pas disa ditë kërkimesh, Maria Dalani është gjetur e vdekur. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, policia e vendit fqinj bëri me dije se viktima kishte rënë nga kati i katërt i ndërtesës.
“Vdekja e Marias nuk ishte e menjëhershme. Instinkti i mbijetesës bëri që ajo të zvarritej deri te një shkallë, por pa ia dalë dot. Trupi i saj mbeti në një vend jo shumë të dukshëm për kalimtarët dhe banorët”, u shpreh një burim policor. Sipas dëshmive të miqve të 21-vjeçares, kohët e fundit ajo nuk ishte mirë nga gjendja psikologjike, duke bërë që të mbyllej në vetvete apo shpeshherë të shpërthente në të qara. Sipas policisë, 21-vjeçarja dyshohet të jetë zhgënjyer nga një lidhje dashurie dhe të jetë vetëvrarë.
Por, ngjarja ka marrë rrjedhë tjetër pas dëshmisë tronditëse të një prej shoqeve të viktimës, e cila ka thënë se “Maria mund të jetë shtyrë nga dikush dhe ka rënë nga pallati. Ajo dhunohej nga njerku i saj. Madje, kohët e fundit donte të kthehej në Shqipëri, duke lënë të kuptohej se nuk shkonte mirë në Greqi”.
Nga ana tjetër, njerku, i quajtur Marko, u shpreh: “Vajza ime nuk kishte arsye të vetëvritej, nuk i mungonte asgjë. Nuk besoj se vajza ime është vetëvrarë. Besoj se ishte zhgënjyer nga i dashuri i saj. Unë kërkoj drejtësi. Kam kërkuar zbardhje të tabulateve telefonike për të parë se me kë ka folur herën e fundit. Të zbardhet e vërteta dhe të shkojnë vrasësit në burg”. Maria Dalani nuk ka arritur ta njohë babanë e saj, por është rritur nga nëna dhe njerku.
Sigal