Dyshohet se u morën para shoferëve që ndalonin, pezullohen nga puna dy efektivët e policisë rrugore

42
Sigal

Janë pezulluar nga puna dy efektivë të policisë rrugore që u filmuan nga një qytetar duke marrë para.

Dy punonjësit e policisë, dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, u merrnin para shoferëve.

“2 punonjësve të Policisë që shfaqen në video, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë, janë pezulluar menjëherë nga detyra”, raportojnë uniformat blu.

Gjithashtu ndaj tyre ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.

Njoftimi i policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie të filmuar nga një qytetar, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, mund të kenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, vlera monetare, ju sqarojmë se:

Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë.

Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën.