Dy të vrarët në Vlorë, dyshohet për hakmarrje

245
Policia dyshon se pas vrasjes së ndodhur rreth orës 22:00 të së shtunës, qëndron hakmarrja dhe në shënjestër të autorëve ka qenë një 45-vjeçar.
Ilir Deromemaj, 45-vjeç dhe Dhimitër Cani, 60 vjeç, që të dy nga Vlora gjetën vdekjen si pasojë e plumbave të marrë. Ndërsa 50-vjeçari Krenar Runaj ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë për jetën.
Banorët e zonës kanë lajmëruar policinë pasi u dëgjua një breshëri e gjatë automatike. Policia gjeti para lokalit tre personat, dy të vdekur dhe një i plagosur dhe ka dërguar këtë të fundit në spital. Në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë gezhoja të një arme “Kallashnikov”. Ngjarja ka ndodhur në një pikë bastesh sportive në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar dhe dyshohet se shënjestër e sulmit ka qenë 45-vjeçari Deromemaj, i cili thuhet se në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Lame Gockaj. 
Gjithsesi, kjo është vetëm një pistë hetimore e policisë për këtë ngjarje, ndersa po punohet gjithashtu për të zbuluar lidhjen që kanë viktimat mes tyre dhe për të kuptuar nëse janë të rastësishëm në vendngjarje.Policia e Vlorës ka ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët dalëse dhe hyrëse të qytetit me qëllim kapjen e autorëve.