Babëzia e Tahirit me kompaninë fantazë italiane

563
Disi e habitshme, por edhe e bujshme, teksa dega shqiptare e një firme të huaj guxon të paraqesë dokumente të falsifikuara në… Ministrinë e Punëve të Brendshme për fituar dy nga 31 tenderë kateringu për repartet ushtarake në Plepa dhe Bishtin e Pallës, me vlerë gjithsej 450 mijë euro. Jo vetëm kaq, por kjo firmë regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit 21 ditë pas njoftimit të tenderit dhe /ose 17 ditë para zhvillimit të prokurimit publik. Por dhe pse operatori ekonomik ka ardhur si “cjapi tek kasapi”, ky i fundit (Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara) nuk ka bërë të ditur nëse ka kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria hetime dhe ndjekje penale ndaj “Hera Public Service” shpk.


Faksimile e buletinit të prokurimeve publike nr. 18, datë 9 maj 2016, ku njoftohet (pjesa e selektuar) dhe për dy tenderët për shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për repartin ushtarak 2001, 2002, 2006 Plepa Durrës” për repartin ushtarak 2004 Kepi i Palit Durrës.
Në buletinin e prokurimeve publike nr. 18, datë 9 maj 2016, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara njoftoi se do të prokuronte, më 17 qershor 2016, kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes të ushqimit (katering) me 31 lote për spitale, reparte ushtarake, komisariate policie. Buxheti i shtetit ka vënë dispozicion një fond gjithsej 1 822 592 504.5 lekë (ose 13 milionë e 500 mijë euro).
Më 18 korrik 2016 Ministria e Punëve të Brendshme bëri publikë fituesit e 31 tenderëve. Por tërheq vëmendjen fakti se operatori ekonomik (konkurruesi) “Hera Public Service” shpk (degë e shoqërisë së huaj në Shqipëri) kërkonte të fitonte dy tenderë (lotët XXI dhe XXII): shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për repartin ushtarak 2001, 2002, 2006 Plepa Durrës” me fond limit 12 860 720.5 lekë dhe për repartin ushtarak 2004 Kepi i Palit Durrës, me fond limit 45 961 642.7 lekë, gjithsej 58822363.2 lekë (ose 450 mijë euro) për një periudhë trevjeçare 01.01.2017-31.12.2019.


ISO TË RREME
Faksimile e buletinit të prokurimeve publike nr. 28, datë 18 korrik 2016 (pjesa e selektuar), ku Ministria e Punëve të Brendshme njofton se komisioni i vlerësimit të ofertave bëri verifikimin e ISO-ve të paraqitura nga operatori ekonomik “Hera Public Service” shpk nga lëshuesi i tyre, i cili konfirmoi se të gjitha ISO-t e paraqitura janë të falsifikuara. 
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se, pas verifikimit të bilanceve për vitet 2013 dhe 2014, u konstatua se aktiviteti financiar i operatori ekonomik është me humbje. Nuk ka paraqitur listë-pagesat, ashtu siç kërkohet në DST (dokumentet standarde të tenderit). Nuk ka paraqitur asnjë librezë pune për punonjësit e kërkuar. Pas verifikimeve të kryera pranë institucionit lëshues të ISO-ve, UNOA, Ministria e Punëve të Brendshme u vu në dijeni nga ana e tyre se të gjitha ISO-t e paraqitura janë të falsifikuara, pasi kjo shoqëri, UNOA, nuk është e autorizuar për lëshimin e ISO-ve të pretenduara nga operatori ekonomik dhe, mbi të gjitha, kjo kompani nuk është një kompani certifikuese. Komisioni i vlerësimit të ofertave bëri verifikimin e ISO-ve të paraqitura nga operatori ekonomik “Hera Public Service” shpk (degë e shoqërisë së huaj në Shqipëri) nga lëshuesi i tyre, nëpërmjet e-mail-it të dërguar në datën 28.06.2016 ora 15:26 dhe ka marrë përgjigje më datë 28.06.2016 ora 5:51 PM nga lëshuesi i pretenduar i ISO-vë, i cili konfirmoi se të gjitha ISO-t e paraqitura nga operatori ekonomik janë të falsifikuara. Ndërkaq Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk ka bërë të ditur nëse ka kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria hetime dhe ndjekje penale ndaj “Hera Public Service” shpk.


QKB
Faksimile e ekstraktit historik në QKB, ku del se “Hera Public Service” është regjistruar më 1 qershor 2016 (pjesa e selektuar).
Nga një verifikim në Qendrën Kombëtare të Biznesit del se “Hera Public Service” (degë e shoqërisë së huaj) është regjistruar në QKR/QKB më 1 qershor 2016, ose 21 ditë pas njoftimit të tenderit dhe/ose 17 ditë para zhvillimit të prokurimit publik. Kjo degë e shoqërisë së huaj ka si objekt biznesi aktivitete shërbyese të ushqimit. Aktivitetet e grumbullimit, trajtimit dhe asgjësimit të mbeturinave të rrezikshme dhe të parrezikshme (këtu përfshihen edhe aktivitetet e shërbimeve të pastrimit të ambienteve të brendshme dhe gjelbërimit). Instalime elektrike. Instalime të tjera ndërtimore. Ndërtimi i rrugëve dhe autostradave. Aktivitetet shërbyese të rastit për transportin tokësor. Ka si përfaqësues ligjor të shoqërisë së huaj Rudolph Reiher. Më 14 qershor 2016, tri ditë para konkurrimit, ka marrë vendimin për ndryshimin e adresës kryesore të degës së shoqërisë së huaj: është shtuar adresa Tiranë, rruga “Qemal Stafa”, nr. 309, pallati 5, shkalla 1, hyrja 5; është hequr adresa Durrës, rruga “Taulantia”, pallati 57, hyrja 5.
Sigal