Durrës/ Si e ekzekutoi me kallashnikov fqinjin pas sherrit në lokal, flasin dëshmitarët

448
Sigal

Debatuan në lokal, fqinji i zë pritë 45- vjeçarit dhe e vret me kallashnikov. Zbardhen detaje nga krimi për motive banale qe tronditi mëngjesin e së dielës qytetin bregdetar të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, në zonën e ish-Kënetës. Sipas Policisë, Ndue Zefi ka qëlluar për vdekje komshiun e tij, Martin Ndreca. Ky i fundit u gjet i vrarë në makinën e tij, pak metra larg banesës ku jetonte së bashku me familjen (në lagjen 17).

Mësohet se autori e ka pritur pranë banesës dhe në momentin që është afruar, ka qëlluar pesë herë me breshëri kallashnikovi në drejtim të makinës tip “Benz”, me të cilën udhëtonte fqinji. Martin Ndrecën e preku vetëm një nga pesë plumbat, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Zhurma e të shtënave alarmoi banorët e zonës, të cilët dolën menjëherë për të konstatuar se çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë që u afruan pranë makinës së Martin Ndrecës, ata kanë parë të vrarë 45- vjeçarin Ndreca. Menjëherë kanë lajmëruan Policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes.

KONFLIKTI

Nga hetimet paraprake mësohet se viktima dhe autori janë fqinjë dhe kishin marrëdhënie korrekte mes familjeve. Madje, ata frekuentoheshin me njëri-tjetrin duke konsumuar kafe apo pije alkoolike në lokalin e lagjes së tyre.

Pak orë para ngjarjes, ata ishin së bashku duke konsumuar disa gota alkool në lokalin, që ndodhej pranë banesave të tyre dhe në një moment kanë nisur të grindeshin mes tyre. Dëshmitarët që ndodheshin në lokal kanë ndërhyrë duke i ndarë, por ndërkohë ata po vazhdonin të lëshonin ofendime kundrejt njëri-tjetrit. Pak çaste më pas, Ndue Zefi, 37 vjeç, është larguar i pari nga lokali, ndërsa Martin Ndreca qëndroi për të paktën edhe një orë më pas.

Kur personat e tjerë të pranishëm në lokal dhe vetë Martini mendonin se gjithçka kishte përfunduar aty, Zefi kishte përgatitur planin për ta ekzekutuar. 37- vjeçari kishte shkuar në shtëpi për të marrë armën dhe kishte zënë pritë në kthesën para banesës së Martin Ndrecës.

EKZEKUTIMI

Në momentin që 45- vjeçari Martin Ndreca po afrohej pranë banesës, Zefi i është afruar dhe e ka qëlluar me breshëri automatiku mjetin me të cilin fqinji po lëvizte. Ai lëshoi pesë plumba në drejtim të 45-vjeçarit, katër prej të cilëve prekën automjetin, ndërsa njëri Martinin në shpatull, duke e lënë të vdekur në vend.

Pasi qëlloi disa herë dhe konstatoi se fqinji kishte ndërruar jetë, Zefi u largua menjëherë në drejtim të paditur së bashku me armën e krimit. Të shtënat u dëgjuan nga banorët, të cilët lajmëruan Policinë për atë që kishte ndodhur.

Hetuesit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e këtij krimi të rëndë.

Pasi kryen procedurat standarde në vendin e ngjarjes, morën në pyetje familjarët e viktimës dhe autorit, të cilët kanë shprehur habi se përse kishte precipituar situata në këtë pikë, sepse kishin marrëdhënie të mira mes njëri-tjetrit dhe se nuk kishin pasur asnjëherë konflikte. Më pas hetuesit shkuan në lokalin ku kishin qëndruar autori dhe viktima para ngjarjes dhe aty kanë mësuar se ata ishin konfliktuar për arsye banale, teksa qëndronin nën shoqërinë e njëritjetrit.

Policia ka shpallur në kërkim autorin e krimit, ndërsa për kapjen e tij u ngritën postblloqe në zonën përreth. “Më datë 24.02.2019, rreth orës 01:10, në lagjen ish-Kënetë, shtetasi N.Z., 37 vjeç, për motive të dobëta dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.N., 45 vjeç, banues në këtë lagje.

Autori i dyshuar, pas krimit është larguar menjëherë dhe është shpallur në kërkim. Policia po punon për kapjen e tij. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, bëhet e ditur nga Policia.