Arrestohet ish-zyrtari i Ujësjellësit për shpërdorim detyre

408
Sigal

LEZHË- Ditën e diel, strukturat e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, ndaluan 56 -vjeçarin Dedë Keraj, banues në fshatin Adriatik, me detyrë ish-Përgjegjës i Stacionit të Pompave të Ujësjellësit në Gorre-Kurbin.Burime zyrtare konfirmuan se, arrestimi i Kerajt u bë pasi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, urdhëroi ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”. Nga i njëjti burim mësohet se, ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Nikoll Toni, me detyrë ish-përgjegjës turni në Stacionin e Pompimit në Gorre, Kurbin, person ky i arrestuar tre ditë më parë, kanë trajtuar me pagë shtetas, të cilët kishin mbushur moshën dhe merrnin pension pleqërie si dhe kanë paguar punonjës, të cilët kanë qenë më shumë se tre muaj jashtë vendit.Po nga të njëjtat burime pohohet se abuzimi me detyrën është bërë mbi bazën e përfitimeve personale nga Dedë Keraj dhe bashkëpunëtori i tij. Për momentin, burimet zyrtare nuk japin detaje nëse në këtë aktivitet kriminal ka dhe persona të tjerë përveç dy të akuzuarve më sipër për shpërdorim detyre me qëllim përfitimi.