Tregtarët ilegalë të skrapit dhunojnë 200 varre në Elbasan

792
Sigal

Banorët: Gjithçka ka ndodhur në një muaj. Kemi informuar gjithë institucionet, por asnjë nuk po vepron

Mbi 200 varre në varrezat publike të qytetit të Elbasanit kanë rënë pre e vjedhjes nga tregtarët e skrapit vetëm gjatë muajit të fundit. Fenomeni i vjedhjes për skrap, i cili është kthyer në një problem madhor e shkatërrues, ka përfshirë tashmë edhe varrezat e qytetit të Elbasanit, duke i dëmtuar dhe thyer në mënyrë barbare, me qëllim vjedhjen e objekteve prej metali ku nuk ka mbetur më as gjë metal tek këto varre. Për banorët, dhunimi i varreve të të afërmve të tyre është një rast pa precedent, anti -human dhe i panjohur më parë në këtë trevë.

SKANDALI

Përgjegjësi i varreve në Elbasan, Bashkim Vidhani thotë në një prononcim për gazetën “Telegraf” se, dëmi është i konsiderueshëm dhe shumë i madh, por “ne nuk kemi se çfarë të bëjmë pasi hajdutët hyjnë në orët e vona të natës ku ne e kemi dhe të pamundur që të biem në gjurmët e tyre”. Por,-thotë Vidhani,-ne kemi marrë masa të menjëhershme duke bashkëpunuar dhe me policinë e Elbasanit që të biem në gjurmët e këtyre hajdutëve, të cilët iu kanë bërë dëme shumë të konsiderueshme familjarëve që i kanë të afërmit e tyre në këto varreza. “Menjëherë sapo ne të kapim qoftë dhe një hajdut të vetëm, ai do të marrë të gjithë ndëshkimin e duhur  për këtë veprim të shëmtuar”,- shton Vidhani. Por ky nuk është i vetmi fenomen negativ që bie në sy pranë varrezave të qytetit. Varret janë kthyer edhe në baza të përdoruesve për injektimin e lëndëve narkotike një tjetër shqetësim dhe problem madhor që duket me sy hapur. Shiringat gjenden kudo mbi pllakat e varreve dhe për këtë deri tani askush nuk ka marrë masa nga organet kompetente që ndoshta atyre nuk ju bie shumë në sy dhe nuk përbën ndonjë problem të madh për derisa nuk reagojnë, por bëjnë syrin qorr dhe veshin e shurdhër.

FAMILJARËT E TË VDEKURVE

Familjarët që kanë të afërmit e tyre në këto varre shprehen për gazetën “Telegraf” të irrituar. “Ne nuk e dimë se çfarë bën shteti që nuk merr asnjë masë për këto akte të shëmtuara pasi të shkosh tek varrezat nuk gjen as një varr të pa vjedhur dhe ta pa masakruar. Ne mezi sa i kemi rregulluar duke hequr bukën e gojës dhe i kemi rregulluar. Ne nuk i kemi rregulluar për t’i vjedhur dhe për t’i çuar për skrap, por i kemi rregulluar se i kemi njerëz të afërm ndaj i bëj thirrje të gjithë institucioneve përkatëse që të marrin masa dhe të parandalojnë këtë shqetësim madhor për ne”,- pohon 69-vjeçarja N. Allushi.