Reshje të dendura shiu? Ja parashikimi i motit në orët në vazhdim

322
Sigal

Pas disa ditëve me mot të qëndrueshëm vendi ynë sot u ndikua nga kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik.

Kjo bëri që moti në pjesën e parë të ditës të jetë me vranësira mesatare dhe të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme e lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Reshjet kanë qenë në formën e shtrëngatave dhe stuhive ndërsa njëkohësisht edhe ajri mbi vendin tonë për shkak të këtyre reshjeve është pastruar nga sasia e lartë e pluhurit dhe rërës.

Sasia më e lartë e reshjeve deri në këto momente u regjistrua në qytetin e Durrësit me 20.2mm shi pasuar nga kryeqyteti me 15.6mm dhe në qytetet e tjera më pak se kjo sasi reshjesh. Sa i përket temperaturave në mesditë ato nuk i kaluan vlerat prej 26-27ºC ndërsa dita do të mbyllet me kthjellime në zonën e veriut dhe atë të qendrës, ndërsa në zonën e jugut mot me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu.

Por si do të vijoj moti për ditën e nesërme?

Për shkak të depërtimit të masave ajrore të qëndrueshme moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në relievet malore.

Temperaturat në vlerat minimale parashikohen nga 10ºC në zonat malore deri në 15ºC në ato të ulta dhe ato bregdetare. Në vlerat e mesditës temperaturat parashikohen me rritje duke prekur vlerat nga 24ºC në relievet malore deri në 30ºC në ato të ulëta dhe ato bregdetare.