Arrestohen në Selanik 2 atentatorët e Kryekomisarit

551
Sigal

 Arben Preng Frroku dhe Jakë Mark Jaku kapen brenda 24 orëve. Në shtëpi iu gjet një arsenal armësh dhe sasi të mëdha droge

  Një biznesmen, së bashku me nipin e tij, janë ndaluar në Selanik, të Greqisë duke u dyshuar si atentatorë të vrasjes së Dritan Lamajt. Policia ka bërë të ditur se, Arben Preng Frroku, vjeç 44, banues në Tiranë dhe Jakë Mark Jaku, vjeç 31, banues në Tiranë janë vënë në pranga në shtetin grek, pas hetimeve për konfliktin e tyre me Kryekomisarin, si edhe për faktin se, në shtëpinë e tyre është gjetur një arsenal armësh dhe lëndësh narkotike. Ndërkohë, është gjetur  edhe makina që ka shërbyer për lëvizjen e atentatorëve pas atentatit.  Pa kaluar as 24 orë nga vrasja e Kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj, policia, pas një operacioni të mirëorganizuar ka arritur të prangosë dy të dyshuarit kryesorë si autorë të këtij atentati të rëndë. Një  bashkëpunim i Policisë së shtetit me atë të vendit helen, kanë bërë të mundur arrestimin në Selanik të Arben Frrokut dhe Jak Jakut, si autorë të dyshuar të vrasjes së Lamajt. Ndërkohë, policia ka gjetur automjetin e përdorur në këtë vrasje, si dhe ka sekuestruar një arsenal armësh. Operacioni është ndërtuar në fshehtësi të plotë nëpërmjet një bashkëpunimi dypalësh me policinë greke, duke arritur të arrestojë dy të dyshuarit brenda një kohe mjaft të shpejtë.

Njoftimi i Drejtorisë së Policisë

Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thuhet se: “Në vijim të hetimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, nga grupi i posaçëm hetimor, në përbërje të të cilit janë ekspertë të strukturave kundër Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe Prokurorë të Krimeve të Rënda, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar. Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se autorët e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë janë shtetasit: Arben Preng Frroku, vjeç 44, banues në Tiranë dhe Jakë Mark Jaku, vjeç 31, banues në Tiranë. Deklarata e Policisë vijon me mënyrën e organizimit operacional duke sqaruar se: “Në sajë të masave të marra dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me autoritetet policore Greke, është bërë i mundur ndalimi i këtyre dy shtetasve në qytetin e Selanikut, në Greqi. Nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara nga grupi hetimor është arritur në konkluzionin se vrasja e Kryekomisar Dritan Lamaj, është kryer nga autorët e dyshuar për shkak të detyrës si punonjës policie. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në banesat e autorëve të dyshuar, ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Jakë Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar arsenal armësh, përkatësisht: 1 armë zjarri, snajper, 2 armë zjarri automatike, tip “Kallashnikov”, 1 armë zjarri pistoletë, tip “Bereta”, 2 armë gjahu, një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme, etj.. Po ashtu, u gjetën e sekuestruan rreth 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe rreth 35 gram lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Nga strukturat e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale, ndërkohë që, ndaj shtetasit Ndue Mark Jaku vjeç 21, banues në Tiranë, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Po në vijim të hetimeve të kryera është gjetur dhe automjeti, me të cilin dyshohet se, kanë lëvizur autorët e dyshuar të krimit. Nga grupi hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje, ndërkohë që për dy autorët e dyshuar të vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamaj po kryhen të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, me qëllim vënien e tyre para organeve të drejtësisë shqiptare.

Vrasja

Dritan Lamaj, ish shefi i Komisariatit, Nr. 6, në Tiranë, u ekzekutua me breshëri automatiku në afërsi të shtëpisë së tij, sapo ka dalë nga makina në zonën e “Vasil Shantos”. Për hetimin e kësaj ngjarjeje policia u vendos e gjitha në gatishmëri duke bërë të mundur arrestimin e dy të dyshuarve, në Selanik të Greqisë. Pas atentatit mafioz të mbrëmjes së të dielës, ku mbeti i vdekur Kryekomisar Dritan Lamaj, thuajse të gjitha strukturat e shtetit janë vënë në lëvizje për kapjen e autorëve.

 Ceremoni nderimi për Kryekomisarin Dritan Lamaj

 Me një ceremoni madhështore është nderuar dje figura e Kryekomisarit Dritan Lamajt. Në nderim të tij, u zhvilluan homazhe në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë nga ora 12:30’ – 13:45’.

Nën muzikën funebre, përfaqësues të lartë të Shtetit dhe qeverisë shqiptare, drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, kolegë dhe miq të të ndjerit, të afërm dhe bashkëqytetarë të tij, i kanë bërë nderimet e fundit Kryekomisar Dritan Lamajt.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryekomisarit Dritan Lamaj, kryen homazhe edhe personalitetet  e politikës dhe të shtetit shqiptar, si: Kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, ministri i Drejtësisë z. Eduart Halimi, ministri i Transportit z. Sokol Olldashi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë z. Xhemal Gjunkshi, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të artit, kolegë, familjarë dhe të afërmit, etj.. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Edi Rama akuzoi shtetin shqiptar se po tradhton punonjësit e policisë. Ndërsa Berisha nga ana e tij, tha: “Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta, nderimin tim më të madh për rënien në detyrë të Komisarit Dritan Lama, njërin nga oficerët, komisarët e shquar të Policisë së Shtetit shqiptar. Ky akt kriminal, ky akt barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Qeveria do të mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe të gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar”.

Më herët, ministri i Brendshëm z. Flamur Noka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj, gjatë vizitës në familjen e Kryekomisar Dritan Lamaj, shprehën ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit dhe ato personale, duke shtuar se humbja e parakohshme e Kryekomisarit, bashkëshortit dhe babait, ka mbushur me trishtim të thellë jo vetëm familjen dhe të afërmit e tij, por edhe këdo që e ka njohur e ka punuar me të, si dhe çdo shqiptar.  Më tej z. Noka dhe z.Burgaj garantuan familjarët e të ndjerit se mbështetja e Qeverisë dhe e Policisë së Shtetit ndaj tyre nuk do të mungojë kurrë.

Pas kryerjes së ceremonisë së homazheve, trupi i Kryekomisar Dritan Lama u përcoll në drejtim të varrezave të Dëshmorëve të Kombit.

Flamuri dhe simbolet iu dorëzuan familjarëve të të ndjerit. Pas homazheve Kryekomisari u varros në varrezat e Sharrës. Pranë varrit të Kryekomisar Dritan Lamaj, vendosën kurora ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj, familjarë dhe të afërm.

 Kush është Kryekomisari Dritan Lamaj

Në deklaratën e Policisë thuhet se: Kryekomisari Dritan Lamaj, është i datëlindjes 15.04.1972, me arsim të lartë, ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, vajzë. Kryekomisar Dritan Lamaj është titulluar oficer policie dhe pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, në vitin 1995  në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Kryekomisar Dritan Lamaj ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit nga viti 1995 deri në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe ka kryer detyra të ndryshme në strukturat e policisë së Komisariateve të Policisë Gjirokastër, Vlorë dhe në Komisariatet e Policisë Tiranë. Nga 01.11. 2012, ka kryer detyrën e specialistit, në Departamentin për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kryekomisar Dritan Lamaj, duke shërbyer për një kohë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ka marrë pjesë në shumë operacione për vendosjen e rendit dhe sigurisë publike, në parandalimin dhe zbulimin e krimit, është dalluar për marrëdhënie të mira me kolegët, eprorët dhe komunitetin, si dhe shprehte një impenjim dhe interesim të madh për përmbushjen e detyrës së ngarkuar. Më datën 24.02.2013 humbi jetën për shkak të detyrës.