Berat, banorët me sëmundje profesionale kërkojnë ndihmë mjekësore nga shteti

633
Sigal

PASOJAT E LËNDËVE KIMIKE/ Flet Shpëtim Dyrma, ish-punonjës në Kombinatin Ushtarak: “Jetoj në kushte të vështira”

Ndryshimi i sistemit solli edhe mbylljen e uzinave dhe ndërmarrjeve të ndryshme që funksiononin në Qarkun e Beratit. Në këtë industri kimike në Poliçan, Berat e Kuçovë ishin të punësuar mijëra punëtorë, të cilët përballeshin çdo ditë me lëndët helmuesi siç ishin cianuret, acidet e ndryshme, plumbi, zhiva, dyleni dhe lëndë të tjera kimike me rrezikshmëri për jetën. Dhe si pasojë e punës, numri i punonjësve të prekur nga lëndët helmuese është i lartë. Sipas të dhënave të marra në Spitalin e Beratit mësohet se, janë rreth 300 persona të sëmurë me sëmundjet profesionale, të cilët janë pajisur me kartelë mjekësore që në kohën e komunizmit, pa harruar këtu të përmendim dhe punëtorët, të cilëve u janë shfaqur sëmundjet e profesionit pas disa vitesh që ishin larguar nga puna. Të ndodhur në këto kushte shumica prej tyre nuk kanë mundësi të kurohen për shkak të kushteve të këqija ekonomike që jetojnë. Gjatë kohës që ishin të punësuar ata kryenin vizita të shpeshta mjekësore, këto kontrolle ua kryente vetë shteti. Trajtimi i tyre në bazë të diagnozave që kishin bëhej përpos spitalit të Beratit edhe në Spitalin Ushtarak. Problemi nisi me fillimin e reformave të shumta, ku shumë ndërmarrje dolën jashtë funksionit. Mbyllja e tyre u shoqërua edhe me rritjen e numrit të të papunëve. Punonjësit, të cilët punonin në industrinë kimike pas heqjes nga puna filluan të kishin shqetësimet e para shëndetësore, të cilëve iu shfaqën sëmundjet profesionale në mushkëri, gjak, zemër, në lëkurë, kocka etj., por me kalimin e viteve këto sëmundje kanë përparuar në trupin e tyre. Kjo për arsye se shteti nuk i ndihmon ata në trajtimet mjekësore, kur dihet që ata vuajnë pasojat e punës.

Rreziku

Një numër i madh punëtorësh të prekur nga cianuret ndodhen dhe në Kuçovë, të cilët kanë punuar në reparte kimike të ish-uzinës së riparimit të avionëve, ku një pjesë e tyre kanë pësuar deformime në organet trupore nga cianuret apo lëndët kimike të tjera që përdoreshin në këto reparte. Edhe reparti i baterive, ku punonte një numër i madh punëtorësh, gjatë kohës që ata punonin shtroheshin në spital dhe pasi kuroheshin riktheheshin përsëri në punë. Por ata punëtorë sot janë lënë jashtë kujdesit. Ende nuk dihet numri i saktë, i këtyre punëtorëve, të cilët vuajnë nga pasojat e lëndëve kimike pasi shteti i ka braktisur. Ish-kuadri akademik kimist, Servet Muka u shpreh për gazetën, se lëndët kimike depërtojnë thellë në organizmin e njeriut. “Ata nuk shërohen, por kurohen nëse bëhen analizat rregullisht mjekohen me medikamentet përkatëse. Por këta njerëz janë lënë në mëshirë të fatit dhe askush nuk do t’ja dijë për jetën e tyre. Të punosh me cianur, një nga helmet më të rrezikshme për jetën, një kohë të gjatë sigurisht që, do të sëmuresh”, tha Muka.

Rasti i 65-vjeçarit

Shpëtim Dyrma, 65 vjeç, një ish-punonjës i reparteve kimike të ish-Kombinatit Ushtarak të Poliçanit shprehet se, po lëngon nga zemra për shkak të cianurit. “Jam shumë keq, pasi nuk kam mundësi të kurohem. Madje, kam disa vjet që nuk kryej dot analizat, pasi kushtojnë shtrenjtë në laboratorët privat, pasi në spitalet shtetërore nuk bëhen pasi nuk kanë pajisjet e duhura dhe më drejtojnë tek privati. Në kohën e socializmit ne na i hiqte të gjitha shpenzimet ndërmarrja dhe shteti. Na kuronin me kujdes dhe na jepnin shpresë për një jetë normale. Kur u mbyllën këto ndërmarrje për ne u mbyll dhe jeta jonë që jemi drejt vdekjes. Pasi nuk kemi mundësi më për t’u mjekuar apo kontrolluar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Por si unë ka një numër të madh ish-punëtorësh në Poliçan, të cilët vuajnë pasojat e sëmundjeve profesionale të shkaktuara nga lëndët kimike. Një pjesë e tyre tashmë kanë ndërruar jetë nga këto sëmundje, por mund të rronin edhe më shumë po të ishin kuruar apo të kryenin kontrolle falas në spital”, tha Dyrma.