Alarm për bombë pak para mbërritjes së Kombëtares

472
Si për ironi të fatit, disa orë përpara se Kombëtarja shqiptare të mbërrinte dje në aeroportin e Vjenës pati një alarm për bombë. Mëngjesin e djeshëm aeroporti ka bllokuar fluturimet. Në momentin kur një avion është bërë gati të nisej drejt Londrës, një nga pasagjeret ka alarmuar autoritetet vendëse për një alarm për bombë. Një nga pasagjeret mendoi se në krah kishte një person që ka lidhje me organizatën terroriste ISIS. Pasagjerja ka pikasur në telefonin e personit që ka pasur në krah një mesazh që e ka konsideruar se kishte të bënte me organizatën terroriste.
Në këtë moment, të gjithë pasagjerët kanë zbritur nga avioni dhe autoritetet kanë bërë rikontroll të pasagjerëve dhe të bagazheve. Kjo procedurë ka bërë që avioni të vonohej për rreth tri orë. Në momentin që është marrë siguria e plotë se asnjë prej pasagjerëve nuk ka rrezik, atëherë është kryer edhe udhëtimi i rregullt i avionit drejt Londrës. Si gruaja që ngriti alarmin edhe personi i dyshuar nuk kanë udhëtuar me atë avion që duhet të niseshin për në Londër. Autoritetet në aeroport kanë hetuar mbi ngjarjen dhe ka rezultuar që personi i dyshuar ka qenë një student iraken që kryen studimet në Londër. Kjo ngjarje ka shkaktuar jo pak probleme për oraret e fluturimeve të ndryshme.
Sigal